2016-06-30 14:15:00

Papa: shtegtim i lum në Armeni, do të rikthehem në Kaukaz për paqen


“E falënderoj Zotin për shtegtimin e i shpreh mirënjohjen Presidentit të Republikës Armene, Catholicos Karekinit II, patrikut e ipeshkvijve katolikë si dhe mbarë popullit armen, që më pritën si shtegtar vëllazërimi e paqeje”. Janë fjalët e Papës Bergoglio në Audiencën e sotme Jubilare. Më pas, kujtimi i vijimit të këtij shtegtimi në  Kaukaz:

“Pas tre muajsh, në dashtë Zoti, do të bëj një shtegtim në Gjeorgji e Azerbajxhan, dy vende të tjera të rajonit kaukazik. E pranova ftesën për t’i vizituar këto dy vende, për dy arsye: nga njëra anë, për të vlerësuar rrënjët e lashta të krishtera, të pranishme në këto troje - gjithnjë me frymën e dialogut me fetë e kulturat e tjera -  e nga tjetra - për të inkurajuar shpresat e shtigjet e paqes”.

Historia na mëson se udha e paqes kërkon guxim të madh e hapa të vazhdueshme, duke nisur nga ato më të voglat e duke vijuar me hapa gjithnjë më të mëdha, për të arritur tek takimi me tjetrin”. Pikërisht për këtë - shtoi Papa - urimi im është që të gjithë, e secili, të japin kontributin për pajtim:

“Të gjithë jemi të thirrur ta fuqizojmë bashkimin vëllazëror ndërmjet nesh, për ta dëshmuar Ungjillin e Krishtit e për të qenë tharm i një shoqërie më të drejtë e më solidare. Prandaj e kreva gjithë vizitën së bashku me Patrikun e Kishës Apostolike Armene, i cili më përbujti tri ditë në shtëpinë e tij”- kujtoi Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.