2016-06-30 15:32:00

Atentati i Turqisë: i tronditur rëndë, mëkëmbësi apostolik i Stambollit


“Menjëherë pasi mori njoftimin për atentatin, Kisha katolike turke i lartoi Zotit lutjen për viktimat e masakrës e për mbarë popullin turk. E lutjet me besimtarët, thellësisht të tronditur, vijojnë”. Këtë pohon, për agjencinë Sir, imzot Ruben Tierrablanca Gonzales, mëkëmbës i ri apostolik i Stambollit, nga Antakya, ku katolikë e ortodoksë u mblodhën dje për të kremtuar së bashku festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit. 

Papa Françesku u bashkua shpirtërisht me dhimbjen e Turqisë

“Trishtimi e tronditja” për masakrën në aeroportin Ataturk të Stambollit, u ndje fort në Kishën vendase të Antakya, ku ishin të pranishëm në lutje disa nga krerët e Kishës katolike dhe të asaj ortodokse, nunci apostolik dhe shumë refugjatë të krishterë sirianë. “Papa Françesku deshi, përmes Sekretarisë së Shtetit, ta njoftonte nuncin se edhe ai vetë ishte aty, mes njerëzve në lutje, i bashkuar shpirtërisht me ta”.

Çasti është delikat, por duhet dhënë shpresë

Çasti - pohon imzot Tierrablanca - është delikat. Vazhda e dhunës, që po godet Turqinë, është pjesë përbërëse e klimës së terrorit, që ndjehet fort në rajon e edhe në Evropë. Siria, Iraku, Libia janë shembull i qartë. Por, pavarësisht nga lufta e dhuna, fabrikat e armëve punojnë me ritëm, nuk ndalen asnjë çast. Atëherë, cila mund të jetë rrugëdalja? Vështirë ta thuash! Ne, si Kishë, jemi të thirrur të komunikojmë shpresën e të japim mesazhin e paqes. E këtë dhe po bëjmë.

Ngushëllimet e sekretarit të përgjithshëm, Olav Fykse Tveit

Edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (Wcc), pastori Olav Fykse Tveit,  dërgoi ngushëllime, duke bashkuar zërin në dënimin e ashpër të atentatit në aeroportin e Stambollit: “Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre - deklaroi -  dhe kërkojmë dyfishimin e përpjekjeve për t’i kthyer paqen rajonit e për t’i dhënë fund konflikteve, që po ushqejnë akte të tilla kriminale. Ky sulm ishte posaçërisht i përbindshëm, sepse  synonte të shkaktonte sa më shumë viktima, në një nga zonat aeroportuale më të frekuentuara të botës”. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.