2016-06-29 11:10:00

Papa: Kisha nuk duhet të mbyllet në vetvete përballë rreziqeve


Në Solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Pajtorë të qytetit të Romës, Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin Eukaristik dhe bekoi paliot e shenjta, të cilat ua dorëzoi Kryeipeshkvijve të rinj metropolitë. Janë 25 ipeshkvij nga të pesë kontinentet. Palio është simbol i bashkimit me Pasardhësin e Pjetrit dhe i kujdesit që duhet të kenë kryeipeshkvijtë, si barinj, që e ngarkojnë delen mbi shpatulla.

“Kremtim solemn, pra, sot, në Vatikan, në festën e Apostujve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës, kryesuar nga Papa. I pranishëm edhe një delegacion, ardhur me këtë rast, sipas traditës, nga Kostandinopoja.

Simbolike, fjala e Papës, ndërtuar kryesisht mbi një binom, i cili  e përshkoi gjithë homelinë.

Fjala e Zotit e kësaj liturgjie përmban një binom qendror - ishin fjalët e para të Atit të Shenjtë:  mbyllje/ hapje. Pranë kësaj figure, mund të vëmë edhe simbolin e çelësave, premtuar nga Jezusi Simon Pjetrit, që të mund ta hapë hyrjen e Mbretërisë së Qiejve e sigurisht, jo që ta mbyllë para njerëzve, siç bënin disa skribë e farizenj hipokritë, që Jezusi i qorton ashpër (krh Mt 23,13). Me këtë citim shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut e vijoi Papa homelinë e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Kryeapostuj, Pajtorë të Romës.

Ati i Shenjtë komentoi leximet, duke nisur nga fragmenti i shkëputur prej  Veprave të Apostujve, që na flasin për tri mbyllje; mbylljen e Pjetrit në burg, të bashkësisë në lutje e në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, ku Pjetri shkon të trokasë pasi lirohet nga burgu.

Në krahasim me mbylljet – komentoi Papa – lutja duket si rrugëdalje; rrugë e daljes për bashkësinë, që rrezikon të mbyllet në vetvete për shkak të persekutimit e frikës, rrugë e daljes për Pjetrin, i cili, pa e nisur mirë misionin e besuar nga Zoti, flaket në burg prej Herodit, me rrezikun që të dënohet me vdekje. E ndërsa Pjetri ishte në burg – kujtoi Papa -  Kisha i lartonte  papushuar lutje  Zotit për të (Vap 12,5). Po Zoti, vijoi rrëfimin ungjillor Françesku - i dërgoi një engjëll, i cili  e shpëtoi nga dora e Herodit (krh v. 11):

“Lutja, si lëshim i plotë në dorë të Zotit e të vullnetit të Tij, është gjithnjë rrugëdalja nga mbylljet tona personale e  të bashkësisë”.

Më pas Papa kujtoi Palin, që duke i shkruar Timoteut, flet për lirimin e tij, për daljen nga rreziku i dënimit me vdekje, sepse…:

“Zoti ishte pranë tij dhe i dha forcë ta çonte deri në fund veprën e  ungjillëzimit ndërmjet popujve (krh 2 Tn 4,17). Po Pali flet për një ‘hapje’ shumë më të madhe, kah një horizont i pafundmë: për atë të jetës së amshuar, që e pret, pasi ta ketë kryer ‘vrapin’ tokësor”.

Është gjë e bukur, atëhere - vijoi Papa - ta shikosh jetën e Apostullit “krejtësiht në dalje”, falë Ungjillit; të projektuar me gjithsej përpara, një herë për t’ua çuar Krishtin atyre, që nuk e njihnin, e pastaj, për t’u lëshuar i tëri në krahët e Tij, për t’u çuar ai vetë nga Zoti, ‘i shpëtuar’, në qiell, në mbretërinë e Tij” (v18).

Pas kësaj sinteze të jetës e të veprimtarisë së Shën Palit Apostull, Papa u rikthye përsëri tek Pjetri, tek dëshmimi i tij i fesë dhe misioni që i besohet nga Jezusi, duke e shtjelluar rrëfimin ungjillor që na e tregon jetën e Pjetrit, si  jeta e secilit prej nesh - jetë që  hapet  plotësisht, kur e pranon  nga Hyji Atë hirin e fesë.

“Atëhere Simoni vihet për udhë - udhë e gjatë dhe e vështirë - që e çon  në dalje nga vetja, nga siguritë e tija njerëzore, posaçërisht nga krenaria e tij e përzjerë me guxim e vetmohim bujar. Në këtë udhë çlirimi, vendimtare është lutja e Jezusit: 'Jam lutur për ty (Simon), që feja jote të mos mungojë'. E po aq vendimtar është edhe shikimi  plot mëshirë i Zotit, pasi Pjetri e pati mohuar tri herë: shikim, që ia prek zemrën e e bën të shkrihet në vajin e pendimit (krh Lk 22,61-62). Atëhere Simon Pjetri u lirua nga burgu i vetes krenare e frikacake, e kapërcei tundimin, që e shtynte të mbyllej para thirrjes së Jezusit për ta ndjekur pas në udhën e kryqit”.

Duke vijuar ftillimin e fragmentit nga Veprat e Apostujve, Papa  u ndal tek një hollësi, që duhet pasur mirë parasysh: kur Pjetri del mrekullisht nga burgu i Herodit, shkon në shtëpinë e nënës së Gjonit, që thirrej Mark. Troket në portë e i gjegjet një shërbëtore me emrin Rode e cila, duke njohur zërin e Pjetrit, në vend që t’ia hapë portën, duke mos i besuar veshëve e plot me gëzim, vrapon t’ia tregojë ngjarjen së zojës. Ky tregim  që mund të tingëllojë si komik, tregon qartë atmosferën e frikës në të cilën jetonte e gjithë bashkësisa  e krishterë, që  kishte mbyllur portat, edhe për të papriturat  e Zotit.

Kjo hollësi na flet për tundimin e përhershëm që ekziston në Kishë, atë të mbylljes në vetvete, përballë rreziqeve, por edhe këtu hapet një rrugëdalje, përmes së cilës mund të kalojë veprimi i Zotit: thotë Luka se në këtë shtëpi shumë ishin mbledhur bashkë e luteshin” (v12):

“Lutja i krijon hirit kushtet të hapë një rrugëdalje: nga mbyllja, në hapje; nga frika, në guxim; nga trishtimi, në gëzim. E mund të shtojmë edhe nga ndarja, në bashkim”.

Po, e themi sot me besim, së bashku me vëllezërit e delegacionit të dërguar nga vëllai i dashur, Patriku Ekumenik Bartolomeu, për të marrë pjesë në festën e Shenjtorëve Pajtorë të Romës.

Festë bashkimi për mbarë Kishën, siç e dëshmon edhe prania e  Kryeipeshkvijve Metropolitë, ardhur për bekimin e paliove, që do t’u vihen  mbi supe nga përfaëqësuesit e mi, në Selitë përkatëse: 

“Shenjtorët Pjetër e Pal - janë fjalët e Papës në përfundim të homelisë - ndërmjetësofshin për ne, që të mund ta kryejmë me gëzim këtë udhë, të  provojmë veprimin çlirues të Zotit e t’ia dëshmojmë të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.