2016-06-29 12:47:00

Françesku: të hapur, në takim me të gjithë, sipas shembullit të Pjetrit e të Palit


Pas Meshës solemne, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke lëvduar Zotin për predikimin dhe dëshminë e Apostujve Pjetër e Pal, që kremtohen sot. Mbi fenë e këtyre dy Apostujve - vijoi Ati i Shenjtë - themelohet Kisha e Romës, që i nderon prej kohe si Pajtorë. E edhe mbarë Kisha universale i admiron, duke i shikuar si dy shtylla e dy drita,  që ndriçojnë jo vetëm në qiellin e Romës, por edhe, e sidomos, në zemrën e besimtarëve të Lindjes e të Perëndimit.

Në rrëfimin kushtuar misionit të Apostujve, Ungjilli na thotë se Jezusi i dërgoi dy nga dy. Në një farë mënyre, edhe Pjetri e Pali u dërguan nga Toka e Shenjtë deri në Romë, për të predikuar Ungjillin. Ishin dy burra krejt të ndryshëm njëri nga tjetri. Pjetri “peshkatar i përvuajtur”, Pali “mësues e doktor”, siç na e kujton liturgjia e sotme. E nëse këtu në Romë, e njohim Jezusin - kujtoi Ati i Shenjtë në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - e nëse feja e krishterë është pjesë e gjallë e themelore e pasurisë shpirtërore dhe e kulturës së këtyre trojeve, këtë duhet t’ia dimë guximit apostolik të këtyre dy bijve të Lindjes së Afërt. Ata, nga dashuria për Krishtin, lanë atdheun e tyre e, pa pyetur fare për vështirësitë gjatë shtegtimit, për rreziqet e mosbesimin, me të cilat do të ndesheshin, arritën në Romë. E këtu u bënë lajmëtarë e dëshmitarë të Ungjillit ndërmjet njerëzve dhe e vulosën me martirizim misionin e tyre të fesë e të dashurisë:

“Pjetri e Pali sot rikthehen simbolikisht ndërmjet nesh, përshkojnë udhët e qytetit, trokasin në portat e shtëpive tona, e, sidomos, të zemrave tona. Dëshirojnë të na e sjellin  përsëri Jezusin, dashurinë e Tij përdëllyese, ngushëllimin e Tij, paqen e Tij. Ta pranojmë mesazhin e tyre! Ta bëjmë thesar dëshminë e tyre! Feja e çiltër dhe e fortë e Pjetrit e zemra e madhe, universale e Palit, do të na ndihmojnë të jemi të krishterë gazmorë, besnikë ndaj Ungjillit e zemërhapur me të gjithë”.

Papa kujtoi, më pas, edhe dorëzimin e paliove kryeipeshkvijve të rinj metropolitë si dhe praninë, në Meshë, të delegacionit, ardhur në Romë në emër të Patrikut Ekumenik Bartolomeu, si shenjë e lidhjes vëllazërore ndërmjet dy Kishave.

Pastaj ia besoi sot mbarë botën, e posaçërisht Romën, Zojës “Salus Populi Romani”, me urimin që të gjejë gjithnjë në vlerat shpirtërore e morale, me të cilat është e pasur, themelin e jetës së saj shoqërore e të misionit të saj në Itali, Evropë e botë.

Kujtoi edhe Konferencën ndërkombëtare mbi investimet, që sapo përfundoi në Romë, titulluar “Ta bëjmë vitin e Mëshirës, vit barazie  për të varfërit”. Uroj - nënvizoi Papa - që investimet private, njëherësh me ato publike, të favorizojnë çlirimin nga varfëria të shumë njerëzve të përjashtuar.

Më pas, përshëndetjet drejtuar shtegtarëve të shumtë, ardhur nga të katër anët, posaçërisht nga Spanja, Ukraina e Kina.

Përshëndetjen e fundit Françesku ia ruajti Romës, në festë për Pajtorët e vet, duke kujtuar edhe pikturat, realizuar me lule nga disa artistë, përgjatë Rrugës së Pajtimit, veprimtari që njihet me emrin “Ifiorata”. Pasi falënderoi për këtë nismë, në vijim kujtoi edhe se sonte, sipas traditës, do të përsëritet shfaqja piroteknike, sivjet në Sheshin e Popullit.  Festa ka përsëri qëllim solidar. Ashtu si vitin e kaluar, do të mbështesë veprat e bamirësisë në  Tokën Shenjte dhe në vendet e  Lindjes së Mesme.

E në fund, përshëndetja:

“Të gjithëve ju uroj gëzuar festën! E, mos haroni të luteni për mua. Drekën e mirë e mirupafshim!”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.