2016-06-28 19:13:00

Bartolomeu I: uniteti i të krishterëve është vërtetësi në dashuri


Angazhimi ekumenik në mbrojtje të pakicave të persekutuara, rëndësia e parimeve të krishtera përballë krizës së emigrantëve e refugjatëve: këto, dy problemet kyçe të letrës, që Patriku Ortodoks Bartolomeu I i dërgoi Papës Françesku.

Letra iu dorëzua Papës paradite, gjatë audiencës së delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.

“Kishat tona dëgjojnë britmën e viktimave të dhunës, të fanatizmit, diskriminimeve e persekutimeve, padrejtësisë shoqërore e urisë”, shkruan Bartolomeu në letrën drejtuar Papës Françesku, në të cilën kujton me mirënjohje të thellë takimin në Lesbo, më 16 prillin e kaluar. Takim, nënvizon Patriku, që pati si qëllim t’i ndihmojë emigrantët e refugjatët, duke u dhënë guxim e shpresë, por duke pohuar edhe nevojën për të garantuar zgjidhjen paqësore përballë krizës më të rëndë, që nga kohët e Luftës II Botërore, që shkaktoi viktima të shumta edhe ndërmjet të krishterëve.

Qytetërimi evropian  nuk mund të kuptohet, pa rrënjët e krishtera

Në veçanti, Bartolomeu shikon Evropën: “Kriza aktuale e emigrantëve dhe e refugjatëve - pohon - dëshmoi sa i nevojshëm është për kombet evropiane, përballimi i problemit mbi bazën e parimeve të krishtera të vëllazërimit  e të drejtësisë shoqërore". Prej këndej, thirrja për të pranuar se qytetërimi evropian nuk mund të kuptohet, pa kujtuar edhe rrënjët e krishtera, sepse e ardhmja e tij nuk mund të jetë një shoqëri krejtësisht e shekullarizuar ose plotësisht subjekt i ekonomisë a i fundamentalizmit. Në të vërtetë, kultura e solidaritetit, e udhëhequr nga feja e krishterë, nuk mbrohet përmes progresit të internetit e të globalizimit”.

Udha ekumenike, dialog në vërtetësi e dashuri

Më pas Patriku kujton angazhimin ekumenik për të mirën e njerëzimit, për lirinë e tij, në kontrast me të keqen shoqërore e në përpjekjen që të ketë gjithnjë epërsi drejtësia e paqja. Impenjimi i përbashkët, që përbën një dëshmi për Kishën e Krishtit - shkruan Bartolomeu - i fuqizon përgjegjësitë reciproke shpirtërore  përballë sfidave bashkëkohore. Përsa i përket udhës drejt bashkimit të ortodoksëve me katolikët, Patriku pohon se dialogu i vërtetësisë në dashuri “konfirmon modelet e krishtera” dhe çon në njohjen teologjike, në përvojën ekumenike e në pasurimin e anasjelltë shpirtëror.

Kthesë ekologjike për mbrojtjen e gjithësisë

Pikë tjetër qendrore e Letrës, është mbrojtja e Krijimit, temë shumë e ndjerë nga Patriku Ekumenik, impenjimin e të cilit Papa e përmend në Enciklikën “Lëvduar qofsh”’ kushtuar  kujdesit për shtëpinë e përbashkët. Bartolomeu nënvizon shkaqet shpirtërore e morale të krizës ekologjike aktuale e kujton nevojën e ndryshimit rrënjësor të sjelljes, për të gjetur rrugëzgjidhje.

Lutje për suksesin e Sinodit panortodoks

Duke shikuar, më pas, Sinodin panortodoks të sapo përfunduar në Kretë, Bartolomeu i kërkon Papës të lutet për një rezultat të frytshëm të këtij takimi, i pari pas një mijë vjetësh. Së fundi, Patriku i lutet Zotit “që ta forcojë Papën për të mirën e Kishës, për unitetin e të krishterëve e edhe për dobinë e njerëzimit kaq të trazuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.