2016-06-26 09:00:00

Manastiri i Khor Virap, një nga vendet më të shenjta të Kishës Armene, në kufi me Turqinë


Manastiri i Khor Virap një nga vendet më të shenjta të Kishës Armene, në kufi me Turqinë, në këmbët e Malit Ararat, ka një emër që do të thotë “burg i thellë”. Fillimisht, ishte një kështjellë e fortifikuar, ku shën Gregori Ndriçues u burgos në një pus të thellë për 13 vjet me radhë nga mbetri Tiridate III, që persekutonte të krishterët. I goditur nga një sëmundje e rëndë, mbreti, që u shërua me ndërhyrjen e lutjet e shën Gregorit, u kthye në krishterim së bashku me gjithë familjen dhe e shpalli Armeninë komb të krishterë (301 pas Krishtit).

Në shekullin V, aty ku ishte burgu u ngrit një manastir dhe u themelua një Vëllazëri e krishterë. Në shekujt XII-XIII, në manastir ndodhej një seminar i mirënjohur dhe një qendër studimesh, ku u formuan njerëz të mëdhenj të jetës fetare e kulturore të vendit. Kisha e ndërtuar mbi pusin e shën Gregorit (6,5 metra nën nivelin e tokës) është vend shtegtimesh të vazhdueshme nga e gjithë Armenia.

Pasi u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1679, manastiri u rindërtua gradualisht me shtesa, si këmbanorja (gjysma e shekullit XIX) etj.. Manastiri është nën jurisdiksionin e Selisë Nënë të Eçmjaxhinit. Shën Gjon Pali II vizitoi manastirin më 27 shtator 2001, në përfundim të udhëtimit të tij triditor në Armeni.








All the contents on this site are copyrighted ©.