2016-06-26 10:22:00

Françesku në Liturgjinë Hyjnore, në Etchmiadzin, lutet për bashkimin e plotë


Dita e tretë dhe e fundit e shtegtimit papnor në Armeni nisi me Meshën dhe takimin me ipeshkvijtë armenë katolikë. Pastaj Papa Françesku mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Në përfundim të kremtimit, pas fjalës së Catholicos, përshëndetja e Françeskut.

“Në kulmin e kësaj vizite aq të dëshiruar e, për mua, të paharrueshme, dëshiroj t’i lartoj Zotit mirënjohjen time, njëherësh me himnin e madh të lavdit e të falënderimit lartuar nga ky elter” - këto, fjalët e para të Papës në kremtimin e Liturgjisë Hyjnore, pasuar nga përshëndetja prekëse, plot mirënjohje, drejtuar Shenjtërisë  së tij, Catholicos Karekinit II:

“Këto ditë më hapët portën  e shtëpisë suaj e provuam sa e bukur dhe e ëmbël është që vëllezërit të jetojnë së bashku (Ps. 133,1). U takuam, u përqafuam vëllazërisht, u lutëm së bashku, ndamë dhuratat, shpresat e shqetësimet e Kishës së Krishtit, së cilës ia ndjemë njëherësh rrahjet e zemrës, sepse e besojmë dhe e ndjejmë si një të vetme. ‘Një korp i vetëm e një shpirt i vetëm, ashtu si një e vetme është shpresa;  një Zot i vetëm, një fe e vetme, një Pagëzim i vetëm. Një Zot e Atë i të gjithëve, që është mbi të gjithë, vepron përmes të gjithëve dhe është i pranishëm në të gjithë” (Ef 4,4-6).

Kjo, përshëndetja, që i drejtoi Papa bergoglio Karekinit II, me besim se mund t’i shqiptonin me gëzim, një zëri, këto fjalë të Shën Palit Apostull, e edhe të shenjtorëve të tjerë, duke nisur nga Shën Bartolomeu e Tadeu, që e shpallën për herë të parë Ungjillin në këto troje, e Shenjtorët Pjetër e Pal, që dhanë jetën për Zotin në Romë, ndërsa mbretërojnë me Krishtin në qiell e sigurisht gëzohen duke parë dashurinë vëllazërore e frymëzimin konkret të bashkimit të plotë:

“Për gjithë këtë, falënderoj Zotin, për ju e me ju: Park astutsò! (Lavdi Zotit!)”.

Në këtë Liturgji Hyjnore u lartua drejt qiellit kënga solemne e trisagioni-t, për t’i kënduar himne shenjtërisë së Hyjit, kujtoi Papa, e uroi:

“I Parëlinduri, që zbriti këtu, e bekoftë udhën tonë, Shpirti Shenjt bëftë që  besimtarët të kenë  një zemër të vetme e një shpirt të vetëm e ardhtë për t’i shkrirë  përsëri në një gjë të vetme”.

Ishte një lutje e pandërprerë, fjala e Papës në këtë Liturgji hyjnore, drejtuar Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, me fjalët e liturgjisë së Kishës armene:

“Eja o Shpirt i Shenjtë, ti që me ofshame të vazhdueshme je ndërmjetësuesi ynë pranë Atit  të mëshirshëm, ti që i ruan shenjtorët e i pastron mëkatarët, dikoje mbi ne zjarrin tënd të dashurisë e të unitetit e ky zjarr i bëftë shkrumb e hi shkaqet e shkandullit tonë, posaçërisht, mungesën e unitetit ndërmjet dishepujve të Krishtit” (Gregori i Narek, Libri i vajtimeve, 33,5).

Kisha armene ectë në paqe e bashkimi ndërmjet nesh qoftë i plotë - vijoi të urojë Papa. Të gjithë paçin një etje të fortë për unitet, një unitet, që nuk duhet të jetë as nënshtrim i njërit nga tjetri, as thithje, por mirëpritje e të gjitha dhuratave që Zoti i dha secilit për t’ia treguar botës të plotë misterin e madh të shëlbimit, realizuar nga Krishti Zot, përmes Shpirtit Shenjt.

Ta pranojmë thirrjen e shenjtorëve, ta dëgjojmë zërin e të përvuajturve e të të varfërve, të morisë së viktimave të urrejtjes, që vuajtën e flijuan jetën për fenë; t’ua vëmë veshin breznive të reja, që kërkojnë ardhmëri të çliruar nga përçarjet e së kaluarës -  theksoi me forcë Papa - dhe në vijim u lut që nga ai vend i shenjtë, ku po kremtohej Liturgjia Hyjnore, të përhapet përsëri drita  rrezëlluese e fesë, e kjo dritë,  e cila që nga Shën Gregori, ati i Armenisë, sipas Ungjillit, i ndriçoi këto troje, i bashkoftë të gjithë të krishterët në dritën e dashurisë, që fal e pajton”.

Fjalë ringjalljeje e pajtimi, pra në përfundim të përshëndetjes së Atit të Shenjtë:

“Ashtu si Apostujt në agimin e Pashkëve, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë, ngarendën drejt vendit të ngjarjes, të tërhequr nga agimi i lum i një shprese të re, (krh Gjn 20,3-4) kështu edhe ne, në këtë të dielë të shenjtë, ndjekim thirrjen e Zotit për bashkim të plotë e shpejtojmë hapin drej tij”.

E, në përfundim një çast prekës e historik: Françesku i kërkoi Shenjtërisë së Tij, Karekinit II, ta bekojë Papën e Kishën katolike e të bekojë edhe rendjen e të dyja palëve drejt unitetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.