2016-06-25 18:08:00

Shenjtorët e Javës 26 qershor – 3 korrik


E diel 26 qershor, Kisha katolike kremton të Dielën e 13-të gjatë vitit, e gjith një më 26 qershor kalendari përkujton shën Virgjilin, shën Gjonin e Palin martirë dhe shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei. Liturgjia e kësaj së diele, vë në qendër të vëmendjes sonë, ecjen pas Krishtit. Pra, tema kryesore që përshkon leximet biblike, e në mënyrë të posaçme Leximin e Parë ( 1Mbr 19,16-19-21) dhe Ungjillin ( Lk 9.51-62), është thirrja e Zotit. Të ndjekësh Zotin do të thotë të ecësh udhës së tij.

Të hënën më 27 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Çirilin r Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës. Shën Çirili na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, dmth, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë. 

Të martën më 28 qershor, kalendari përkujton shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir, njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Ky shenjtor kishte mësuar nga Bariu i Mirë ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit. 

Të mërkurën më 29 qershor, Kisha katolike kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt. Pra Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, të cilëve Krishti u besoi lartimin e ngrehinës së Kishës Katolike Universale, që i bën ballë shekujve. Kremtohen solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës.

Të enjten më 30 qershor, kalendari kishtar përkujton Martirët e parë të Romës, gjurmët e të cilëve janë në 15 katakombet në qendër e në jug të Italisë. Në katakombe njihemi me dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës së parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin.

Të premten më 1 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Julin, shën Aronin e Shën Esterin, këta dy të fundit i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës. Shën Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë të Biblës, që njihen me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe i vetmi burim biografik për këtë shenjt.

Të shtunën më 2 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin Realinin, rregulltar jezuit. Kur po jepte shpirt, më 2 korrik të vitit 1616, këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur me ngut, i shkoi tek shtrati i vdekjes e iu lut të bëhej Pajtor i qytetit.

Të dielën e ardhshme më 3 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 14-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 3 korrik, kalendari përkujton shën Tomën apostull. Figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë kudo në botë, Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.








All the contents on this site are copyrighted ©.