2016-06-25 13:49:00

Papa në memorialin armen: kujtesa është burim paqeje e ardhmërie


Si akt i parë i ditës së dytë në Armeni, Papa u nis nga Yerevani, për në Tzitzernakaberd(Xixernagapert), “kodra e dallëndysheve”, mbi të cilën lartohet Memoriali kushtuar kujtimit të masakrave të popullsisë armene nën perandorinë otomane, më 1915. I përuruar më 1967, monumenti përkujtimor u pasurua me rastin e 80-vjetorit të masakrave, në vitin 1995, me një Muze, ku ruhen dëshmitë dhe dokumentet e masakrave. Në Memorial, Papa dhe Catholicos u pritën nga Presidenti, me të cilin e përshkuan në këmbë pjesën e fundit të udhës, që çon në Memorial, ku Papa vuri një kurorë me lule përjashta monumentit. I pranishëm edhe një grup fëmijësh me fotografitë e martirëve të 1915-tës. Përballë Flakës së përhershme u tha Atyna. Më pas u bënë dy lexime: i pari, nga Letra drejtuar Hebrenjve (u detyruat të duroni një luftë të madhe) dhe i dyti nga Ungjilli i Gjonit (çdo gjë që ta kërkoni në emrin tim, do ta bëj”). Në përfundim Papa shqiptoi lutjen për ndërmjetësim, drejtuar Krishtit përmes të përkujtuarve në këtë kodër, që mban emrin simbolik “e dallëndysheve”, si të donte t’i kujtonte popullit armen se të rënët e flijuan jetën pikërisht që në Vendin e Kryqeve, të vijë përsëri pranvera, pas stinës së akullt të persekutimit.

Ja edhe lutja e Françeskut:

O Krisht, ti që i kurorëzon shenjtorët e tu

e ua plotëson dëshirat besimtarëve

e i shikon me dashuri e ëmbëlsi krijesat e tua,

dëgjona nga qiejt e shenjtërisë sate,

nëpër ndërmjetësimin e Hyjlindëses,

e lutjeve të të gjithë shenjtorëve

edhe të atyre që kujtohen këtu sot.

Dëgjona, o Zot e ki mëshirë!

Na fal e na i ndjej mëkatet tona;

na bëj të denjë për të të lumnuar

me ndjesi hiri

së bashku me Atin e Shpirtin Shenjt

sot e përgjithmonë

në shekuj të shekujve. Amen!

Pas lutjes Papa, Catholicos dhe Presidenti armen shkuan në tarracën e  Muzeut  të memorialit. Gjatë udhës nëpër kopsht, Papa ujiti një pemë, në kujtim të vizitës. Mbi tarracë, takimi prekës me dhjetë pasardhës të të persekutuarve armenë, asokohe të shpëtuar e të mikpritur në Castel Gandolfo nga Papa Piu XI.

Para se të largohej nga ky vend prekës, Françesku nënshkroi Librin e Nderit:

“Këtu lutem, me dhimbje në zemër - shkroi Papa - që kurrë më të mos ketë tragjedi si kjo, e njerëzimi të mos harrojë e të dijë ta mundë të keqen me të mirë; Zoti i dhëntë popullit armen dhe botës mbarë paqe e ngushëllim. Zoti e ruajtë kujtesën e popullit armen. Kujtesa nuk duhet të zbehet e as të harrohet; kujtesa është burim paqeje e ardhmërie”.

Nga Muzeu, Papa shkoi në aeroportin e Yerevanit, prej nga u nis për në Gyumri, ku kremtoi Meshën Shenjte në Sheshin Vartanàns.








All the contents on this site are copyrighted ©.