2016-06-25 13:55:00

Papa armenëve: provuat një shfarosje të përbindshme dhe të çmendur; kurrë më tmerre të tilla!


Ditën e shtunë në Armeni Françesku e përfundoi me Takimin Ekumenik dhe Lutjen për paqen. Po dita e 25 qershorit për Papën nisi heret, në orën 08.45, me Vizitën në Kompleksin përkujtimor Tzitzernakaberd e vijoi me Meshën, kremtuar në orën 11.00, në Sheshin Vartanants të Gyumri-t.

Në orën 16.45 Vizita në Katedralen Armeno-Apostolike të Shtatë Plagëve, në Gyumri; dhe menjëherë pas, në orën 17.15, Vizita në Katedralen Armeno Katolike të Shenjtorëve Martirë, në Gyumri; më pas, kthimi me avion në Yerevan. E pikërisht në Sheshin e Republikës, në Yerevan, në orën 19.00, u mbajt Takimi Ekumenik dhe u kremtua Lutja për paqen.

Papa i drejtoi fjalën Patrikut të të gjithë armenëve, presidentit dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë takim, duke ripohuar mahnitjen para bukurive të Armenisë, emocionin para khatchkar-kryqeve vigane prej guri, që i soditi ngado shkoi, dëshmitarë të heshtur të një historie të lumnueshme dhe majën e malit Ararat, ku duket sikur flet edhe vetë heshtja.

Ishte një përqafim i ri, që mbarë Kisha katolike po ia jepte asaj të Armenisë. Françesku kujtoi përsëri përparimin e udhës ekumenike, me vizitat e shumta e takimet ndërmjet dy Kishave, që vijojnë të bëhen më të shpeshta e më të përzemërta. E, më pas, i falënderoi vëllezërit e Kishës armene për besnikërinë ndaj Krishtit, shpesh heroike, dhuratë e paçmaur për gjithë të krishterët. Duke ecur krah për krah në një udhë të përbashkët – nënvizoi - shikojmë plot me besim ditën, në të cilën, me ndihmë të Zotit,  do të jemi një para elterit të flijimit të Krishtit, në bashkim të plotë eukaristik. Jemi shtegtarë drejt këtij caku aq të dëshiruar e shtegtojmë së bashku:

“Në këtë udhë na prijnë shumë dëshmitarë, posaçërisht shumë martirë, që e vulosën me gjak fenë e përbashkët në Krishtin: janë yjet tona në qiell; ndriçojnë mbi ne e na tregojnë udhën, që na mbetet të përshkojmë mbi tokë, deri në bashkimin tonë të plotë”.

Kështu u shpreh Papa e, në vijim, ndërmjet etërve të mëdhenj, kujtoi Chatholicos Nerses Shnorhalin, njeri i Kishës, i palodhur në kërkimin e bashkimit, me dëshirë të zjarrtë për të vënë në jetë vullnetin e Krishtit.

Por, shtoi Papa, për ta realizuar këtë bashkim, sipas Nersesit, nuk mjafton vullneti i mirë i ndokujt në Kishë: duhet të luten të gjithë bashkë njëri për tjetrin, si sonte. E nga ana ime - shtoi Papa - ju siguroj se duke mblatuar bukën e kelkun në elter, do t’ia paraqes gjithnjë Zotit Kishën e Armenisë dhe popullin e saj.

Françesku kujtoi, në vijim, me hollësi, mësimet e Nersesit lidhur me nevojën që kanë besimtarët në Krishtin për ta thelluar dashurinë reciproke, sepse vetëm dashuria mund ta shpëtojë kujtesën e t’i shërojë plagët e së kaluarës. Prej këndej Catholicos Nersesi ftonte që në udhën drejt bashkimit, të ecet duke i përngjarë  stilit të dashurisë së Krishtit, i cili “nga i pasur, që ishte”, (2Kor 8,9), e “përuli vetveten”(Fil 2,8). Të vijojmë udhën tonë me vendosmëri, madje të vrapojmë drejt bashkimit - ftoi Papa - e në vijim kujtoi përsëri fjalët kuptimplote të Zotit: “Po ju jap paqen time. Nuk po juan jap ashtu si e jep bota” (Gjn 14,27):

“Dëgjuam këto fjalë të Ungjillit, që na shtyjnë t’ia kërkojmë Zotit këtë paqe, të cilën bota lodhet shumë për ta gjetur. Sa të mëdha janë sot pengesat në udhën e paqes e sa tragjike pasojat e luftërave! Mendoj popullsitë e detyruara të braktisin gjithçka, posaçërisht në Lindjen e Mesme, ku tani vëllezërit e motrat tona vuajnë nga dhuna e persekutimi, për shkak të urrejtjes e të konflikteve gjithnjë më të ndezura nga plaga e përhapjes së tregtisë së armëve, nga tundimi për përdorimin e forcës dhe nga mungesa e respektit për njeriun, posaçërisht për më të ligështit, për të varfërit e për gjithë ata, që kërkojnë një jetë dinjitoze”.

Papa kujtoi edhe një herë provat e tmerrshme që përballoi populli armen, “të keqen e madhe” që i ra mbi kokë, duke cituar fjalët e shqiptuara gjatë homelisë së Meshës Shenjte, kremtuar për besimtarët e ritit armen, më 12 prill 2015, për këtë tragjedi, të cilën e quajti përsëri shfarosje të përbindshme e të çmendur, që mbetet në kujtesë e ta përvëlon zemrën.

E njëkohësisht kujtoi me admirim sesi feja e krishterë, edhe në çastet më tragjike të historisë  armene, qe zemreku, që shënoi fillimin e rilindjes së popullit të vënë në një sprovë kaq të rëndë.

Por, vijoi me besim e shpresë Papa:

“Kujtesa, e përshkuar nga dashuria, bëhet e aftë të ecë në shtigje të reja mahnitëse, ku intrigat e urrejtjes shndërrohen në projekte pajtimi, ku mund të shpresohet për një ardhmëri më të mirë për të gjithë e ku veprimtarët e paqes janë vërtet të lum(Mt 5,9)”.

Prej këndej Papa i ftoi të gjithë të angazhohen për të hedhur bazat e një ardhmërie, që nuk i nënshtrohet forcës mashtruese të hakmarrjes; një ardhmërie, ku nuk ndjehet kurrë lodhja në udhën e krijimit të kushteve për paqen, për punën dinjitoze, kujdesin për nevojtarët, luftën e pareshtur kundër korrupsionit, që duhet shkulur me rrënjë.

Pastaj Ati i Shenjtë iu drejtua të rinjve, për t’u kujtuar se atyre u përket e ardhmja dhe për t’i ftuar:

“Duke bërë tuajën urtinë e madhe të të parëve tuaj, synoni të bëheni ndërtues të paqes! Bëhuni nismëtarë aktivë të kulturës së takimit e të pajtimit!”.

Pastaj, lutja për paqe edhe në Nagorno Karabakh:

“Zoti e bekoftë ardhmërinë tuaj  e  bëftë që, me hirin e Tij të rifillojë udha e pajtimit ndërmjet popullit armen e atij turk e paqja të agojë edhe në Nagorno Karabakh”(Mesazhi drejtuar  armenëve, 12 prill 2015).

Papa e përfundoi fjalën e tij me një lutje të Gregorit Narek, që mund të quhet edhe “Doktor i paqes”, me vlerë për gjithë besimtarët: “Kujtoji, o Zot, ata që në fisin njerëzor, janë armiqtë tanë, por për të mirën e tyre! Mos i qit fare ata, që më kafshojnë, shndërroji!”.

Narek, pjesëmarrës i vetëdijshëm në çdo nevojë të njeriut, deshi të bëhej një me të ligështit e mëkatarët e çdo kohe e të çdo vendi, për të ndërmjetësuar në favor të të gjithëve. Ky solidaritet universal me njerëzimin është mesazh i krishterë paqeje, britmë, që kërkon mëshirë për të gjithë, nënvizoi Françesku.

Në përfundim, duke cituar fjalët e Shën Gjon Palit II shqiptuar në 1700 vjetorin e Pagëzimit të popullit armen, Papa Bergoglio uroi që të gjithë armenët, të pranishëm në shumë vende të botës, të jenë ambasadorë e kumtues të paqes: 

“Bota mbarë ka nevojë këtë kumtim, ka nevojë për praninë tuaj, ka nevojë për dëshminë tuaj të pastër”. Kha’ra’rutiun amenetzun! (Paqja qoftë me ju!)

Nesër, dita e tretë dhe e fundit e shtegtimit apostolik në Armeni. E ngarkuar me veprimtari, që Papa do t’i nisë në orën 09.15, duke u takuar me Ipeshkvijtë e Kishës armeno-katolike, në Pallatin Apostolik të Etchmiadzin;

10.00 Pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore, në Katedralen armeno-apostolike;
Drekë Ekumenike në Pallatin Apostolik, me Catholicos-in, Kryeipeshkvijtë e Ipeshkvijtë e  Kishës Armeno Apostolike, Ipeshkvijtë katolikë armenë dhe kardinajtë e ipeshkvijtë e grupit, që e shoqëron Papën;

15.50 Takim me delegatët e bamirësit e Kishës Armene Apostolike në Pallatin Apostolik;

16.05 Nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët në Pallatin Apostolik;
17.00  Lutje, në Manastirin e Khor Virap (Hor-Virab);

18.15  Ceremonia e lamtumirës, në aeroport;  

18.30 Nisja me avion për Romë;

20.40 Arritja në Aeroportin e Romës/Ciampino.  








All the contents on this site are copyrighted ©.