2016-06-24 00:00:00

Prania e Ararat – Armenisë, në “letrën plakë” shqipe


Trojet e lashta legjendare të Armenisë i gjejmë në vjershërimet e para shqipe, me temë biblike. Rikrijime, më shumë se përkthime, janë shkruar nga vjershëtari i parë i shqipes, françeskani atë Pali prej Hasi e botuar  në  veprën e Budit “Doktrina e krishterë”(1618). Ararat është mali ku u ndal barka e Noehit gjatë përmbytjes universale e, mbi atë maje fluturoi pëllumbi me degën e ullirit në sqep (në gojë, shkruan vjershëtari), simbol universal i paqes:

Ja si i këndon këtij çasti biblik fra Pali prej Hasi, në poemthin “Të mbytunt e botës nd’ ujë, në kohë të Noehit”:

E avisi u funduo

Liqejt i depertoj

Mbë gjithë anët u vershuo,

Gjithë dhèn e mbuloj.

 

E shiu në qiellshit po bij

Nuk pushon ditë e natë;

Katerdhietë ditë ugjij

Porsi thotë ndë ligjët plakë.

 

Sa ujët u shumuo

Gjithë malet i kaptoi

Gjithë dheu u faruo

Kafshë e gjallë kund së shpëtoi

Veçse nelt ajo barkë,

Mbë gjithë anët tu lundruom

Mbi gjithë mal të naltë

Qi ujët kish mbulom…

Është maja e Araratit, ku arkeologët vijojnë t’i kërkojnë edhe sot mbetjet e barkës së Noehit e ku profeti lëshoi pëllumbin e priti kthimin e tij deri në mbrëmje. Shkruan Pali prej Hasi:

“E mbramanet i a mbërrini

Si s’Inëzot urdhënuom,

Në gojë me nji rrembth ullini,

Të bukur, të mbuluom…

Ishte simboli i paqes ndërmjet Zotit dhe njeriut!

Kujtojmë, pastaj, elegjinë e famshme “Ararat”, botuar më 1944, në Venedik, në librin me të njëjtin titull, përkthyer në 28 gjuhë. Në gjuhën shqipe e përkthyen atë Aleks Baçli e atë Konrad Gjolaj, françeskanë, asokohe ende studentë universitarë në Antonianum të Romës.

Po shkëpusim, nga kjo elegji e gjatë, shkruar me tercina, që përfshin historinë e Ararat - Armenisë, nga barka e Noehit, tek bukuritë mahnitëse të natyrës,  tek genocidi e tek lidhja apostolike me Kishën katolike, vetëm atë pjesë, që pasqyron pikërisht genocidin e viteve 1015-1018, shpërndarjen e armenëve nëpër botë, por edhe vijimin e misionit…

Ararat

….

O Armení e hershme mbretní e t’Parve, hirin

qi pate t’ndryjshe mbrenda veti,

gjithçka mâ t’hijshëm n’tokë mund t’ hjekë dishirin,

 

nuk t’shof si të pásh dikur, pse larg ja treti

fati i zí t’gjitha hieshít  qi pat t’gzoje

njaj pop’llit keq t’salvuem qi i shperdám meti.

 

Ku prindt u linden nder t’Parrizit troje,

flladitë voeses s’kandshme e neper gurra t’kjarta

sot bijve i diellit gazi do t’mungoje!

 

Per korrë ma s’bahen n’ty grunaje t’ arta

ferra e pelin me hitha mblidhen n’ara, e

nder fusha tua heret aq fort t’larta.

 

Pinjuell, Âmes Kishë, ti i kje prej kohve t’para

N’sa motrat, që pá dijtë shk’asht miradija,

me t’pá nuk desheten kurr me sy, t’pamara,

 

gjymtyrët t’i lnuer’n pá dhimë, t’cillat nder vija

gjakut e lotësh përherë kjenë t’ shpërndame

t’bajtne larg n’ç’do skaj njef rrokullija;

 

a por veshin pá t’ vum n’ brimë tua e t’fshame

me pranga t’ashpra bijt’ t’ue sosh randohen

qi per jetë t’jetës mundimet t’psojn t’padame.

 

Nanë mbetë kercunë, ty prej s’dy sysh t’dikohen

Lot t’ idhta qi kroje të verteta dájn,

gjatë faqesh t’cillat pr’ore n’ gjak t’ri t’irnohen.

 

Gjith ky vajtim t’cill’n njerzt nuk  mund e bájn

e s’duen t’veshtrojn, nuk hupë e as nuk tallet

N’Liban nder cedrat, as ullijt s’e mbájn,

 

As mjes vikamesh mnís qi n’zemra kallet

vllazensh prej toke gjaku i flijeve s’pshtillet

pa mrrijtun der ktu nalt per t’njehun hallet,

 

Ktu ku krejt paster shtrihet kupa e qiell’et

e shmangut mjazmash qi man toka e velun,

kangës s’ême t’vajshme per t’i xanun fillet,

 

e t’njajten rrugë tuj rrahë, qi ‘i herë kje shkelun

prej gjurmsh s’vllaut t’mbetun në gjak t’vetin lá,

te aj Diell le t’arrijë ku e Drejta s’rri keq ngelun.

….

Qe, n’det t’njerzimit, n’t’cillen pá dá pshtillen

Stuhi t’ rrebta neper t’zymtë t’kësajë nate

Ku gjaku derdhet n’terr qi zotnon qiellen,

 

nji barkë e vogel, vesht pa marrë per fate

qi kundërshtare me e permbysun duen

e sigurtë l’kundet , dét, mjes valës sate”!...

Është barka e Kishës, që valë mbi valë, duke lundruar në shekuj në dete gjaku, arrin sot në këtë kulm: në takimin me Papën Françesku!








All the contents on this site are copyrighted ©.