2016-06-24 00:00:00

Kisha Armene


Kisha armene, e pavarur dhe autoqefale, quhet Apostolike, me që zuri fill përmes predikimit të Apostujve Tadeu e Bartolomeu. Ndonëse në marrëdhënie të mira në frymë ekumenike me Kishat ortodokse, katolike e protestante, ka një prijës të vetin, Catholicos, krejt të pavarur nga hierarkitë kishtare të konfesioneve të tjera. Zanafilla e saj nis me skizmën e Koncilit Ekumenik të vitit 451.

Kisha armene quhet si ortodokse, ashtu edhe katolike, sepse mbahet si shprehje sa e fesë së vërtetë të krishterë, ashtu edhe e universalitetit të Kishës.

Në dhjetor të vitit 1996, Shën Gjon Pali II dhe Shenjtëria e tij Catholicos i të gjithë armenëve, Karekini I, nënshkruan një deklaratë, përmes së cilës pohohet zanafilla e përbashkët e Kishës armene dhe e asaj katolike romake.

Fillesat e Kishës armene

Ndonëse, sipas traditës, ungjillëzuesit e parë të Armenisë qenë Apostujt Bartolomeu e Juda Tadeu, ka shumë mundësi që ungjillëzimi të ketë qenë vepër e misionarëve të Sirisë e të Kapadokies. Sidoqoftë lulëzoi aq, sa në vitin 299 mbreti Tiridati II u kthye në fenë e krishtetë me gjithë popullin e vet. Në këtë ngjarje ndikoi fuqimisht Shën Gregori Ndriçues, figurë madhore e krishterimit armen.

E lidhur, në fillim, me Kishën metropolitane të Çezaresë së Kapadokies, në territorin romak, Kisha armene shpalli pavarësinë në fillim të shekullit V, nën jurisdiksionin e një lloj patriarku, që mori emrin Catholicos. Ky titull, në hapat e para të krishterimit, i jepej kreut të bashkësive të krishtera jashta kufijve të perandorisë romake-bizantine, domethënë, jashta jurisdiksionit të patriarkëve. Aktualisht titullin Catholicos vijojnë ta mbajnë krerët e Kishës armene, nestoriane e gjeorgjiane. Duke nisur nga shekulli IV, institucionet kishtare armene konsolidohen dhe formohet liturgjia, e ndikuar fuqimisht nga riti i lashtë i Jeruzalemit. Njëkohësisht krijohet edhe alfabeti armen, që mendohet të jetë vepër e murgut Mesrop (360-440). Kjo krijoi kushtet për të përkthyer në gjuhën kombëtare tekstet liturgjike,  që deri aso kohe ishin të shkruara në gjuhën greke ose siriake.

Ndarja e Kishës armene nga ajo katolike

Në vitin 451, në Kalçedoni u mbajt Koncili ekumenik, që përcaktoi dy natyrat  njerëzore e hyjnore, në një Vetje të vetme, atë të Krishtit. Edhe pse Kisha armene, e zënë në luftërat me persianët, nuk mori pjesë në diskutimet konciliare, vendimet e Koncilit i priti me mosbesim, duke pasur parasysh se pushteti perandorak bizantin  kishte marrë pjesë gjallërisht në përfundimet konciliare. Kisha armene nuk i pranoi përfundimet konciliare, duke u ndarë, kësisoj, nga Kisha katolike. Dy koncile kombëtare, kremtuar në vitin 506 dhe në njëqind vjetorin e Kalçedonisë (551), konfirmuan refuzimin dhe lidhjen me monofizizmin. Vetëm disa ipeshkvij armenë nuk pranuan t’i dënojnë kalçedonezët: e kjo pati si pasojë skizmën në gjirin e Kishës armene, që zgjati për shumë kohë.

Kjo situatë e largimit nga Kisha universale zgjati deri në shekujt XI- XIII, kur Kisha latine, e përfaqësuar nga Kryqtarët, ngjalli ndër armenët, lëvizjet unioniste. Kështu Catholichos Nersès IV (1166-1173) ia kushtoi gjithë jetën mirëkuptimit ndërmjet Armenëve, Grekëve e Latinëve. Gjatë Koncilit të Firences (1439), përfaqësuesit armenë nënshkruan aktin e bashkimit me Romën.

Kishë me katër patriarkë

Deri në shekullin XI, Kisha armene ishte e bashkuar nën një patriark, Catholicosi i Etchmiadzin (Zbritja e të Parëlindurit), qytet shenjt i armenëve. Me dyndjen e madhe të armenëve në Cilici, ku më 1073 u themelua principata e Armenisë Minore, Catholicosi i Etchmiadzinit u largua nga selia e tij e Kaukazit e u vendos në atdheun e ri armen. Në vitin 1293 lëvizi drejt Sis, kryeqytet i Cilicisë. Këto zhvendosje të selisë  patriarkale e thelluan hendekun ndërmjet dy Armenive: asaj të Madhes, të Kaukazit, që mbeti pa kreun shpirtëror, e asaj të voglës, të Cilicisë.

Njëzet vjet më pas, në vitin 1311, ipeshkvi armen i Jeruzalemit, i pakënaqur nga afrimi i Armenëve të Cilisië me Romën, mori titullin e patriarkut, konfirmuar zyrtarisht nga Sulltani i Egjiptit. Një shekull më pas, më 1441, ishte radha e Armenisë së Kaukazit që, duke ndjerë nevojën e një kreu shpirtëror, emëroi një Chatholicos të ri, me jurisdiksion mbi armenët e Armenisë së Madhe,

Patriakati i katërt filloi nën pushtimin otoman. Disa vite pas pushtimit të Kostandinopojës,  turqit favorizuan themelimin e një patriarkati në kryeqytet (1461), me jurisdiksion civil e kishtar mbi të gjithë armenët e perandorisë. E, prej këndej, Kisha armene ortodokse vijon të jetë e ndarë deri më sot në katër struktura autonome: catholicos i Etchmiadzin-it e ai i Sis; patrikët e Jeruzalemit e të Kostandinopojës. Ndërmjet tyre, i vetmi element i ndërvarjes, është njohja e primatit të nderit catholicosit të Etchmiadzinit.

Cotholicosi i Sis, themeluar më 1293, vijoi deri në vitin 1921. Genocidi i viteve 1915-18 e detyroi patrikun ta zhvendosë selinë në Haleb e, më pas, më 1930, në Antelias, në veri të Beirutit, ku vijon të jetë edhe sot. Ka jurisdiksionin mbi armenët e Libanit, të Sirisë dhe të një pjese të diasporës; gjithsejt, 400 mijë besimtarë.

Patriku i Jeruzalemit, me seli në Jeruzalem, në manastirin e Shën Jakut të Madh, qendër fetare e shoqërore e armenëve të Tokës Shenjte, ka jurisdiksionin mbi Armenët  e Tokës Shenjte dhe të Jordanisë (4 mijë besimtarë). Rreth këtij manastiri shtrihet një lagje e banuar krejtësisht nga armenët, me kishat e tyre, seminarin, shkollat, shoqatat, bibliotekën me 50 mijë vëllime, tipografinë dhe muzeun e artit fetar. Patriku i Jeruzalemit zgjidhet nga vëllazëria e Shën Jakut, me 60 anëtarë, ndërmjet të cilëve, murgjërit e manastirit e, sidomos, shumë shekullarë,. Asistohet nga katër ipeshkvij. I pari prej tyre ka titullin Sakristi i Madh dhe është njëkohësisht, edhe  eprori i manastirit.

Patriarkana është pronare e dy kapelave në Bazilikën e Varrit Shenjt, një kapele në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem; e kishës së Shën Jakut të Madh, ngritur në vendin e martirizimit të tij si dhe e shtëpisë së Annës dhe Kaifës, kryerabinë në kohën e Krishtit. Me françeskanët dhe grekët ortodoksë, është bashkëpronare i Varrit të Zotit dhe e Shpellës së Lindjes së Tij. 

Kisha armene katolike

Kisha armene katolike nuk lindi në malet e Kaukazit, si motra ortodokse, por në  mjediset e arabizuara të Sirisë e të Libanit, larg ndikimeve të dy catholicos-ëve të  Etchmiadzin-it e të Sis. Zanafilla e kësaj kishe është fryt i zellit apostolik të misionarëve jezuitë, karmelitanë e kapuçinë, duke nisur nga shekulli X. Kthimin e lehtësonte fakti se ndërmjet armenëve ortodoksë e katolikë nuk kishte divergjenca serioze, edhe pse monofizizmi i të parëve ishte vetëm sa për emër. Prandaj armenët ortodoksë nuk konsiderohen heretikë, por skizmatikë, domethënë, të ndarë nga Kisha universale.

Në vitin 1740 një sinod i ipeshkvijve armenë, mbledhur në Romë, zgjodhi si patriark të parë katolik të ritit armen, kyeipeshkvin e Halebit, Abraham Ardzivian, shkarkuar nga detyra, sepse qe kthyer në fenë katolike. Si mori miratimin zyrtar nga Papa, patriarku i ri u vendos përkohësisht në Kraim të Libanit. Pasardhësi i tij, më 1749,  zgjodhi si seli zyrtare manastirin e Shën Marisë së Bzommar, mbi bjeshkët libaneze, dhuruar nga Patriku Maronit. Njëkohësisht nisën të zhvillohen strukturat ipeshkvnore të Kishës së re të Halebit, Palestinës, Cilicisë, Anatolisë dhe Mesopotamisë së Epërme.  Ndërkaq Kisha armene ortodokse nisi rezistencën kundër asaj katolike, duke arritur deri në atë pikë, sa të kërkonte ndihmën e otomanëve kundër “rebelëve të kombit armen”. Vetëm në vitin 1831 Armenët katolikë, me ndërhyrjen e Sulltanit, iu nënshtruan autoritetit të patrikut ortodoks, nga i cili vareshin në aspektin civil. Patriarku katolik Pjetri IX i mori njëkohësisht të dy pushtet, atë fetar dhe atë civil, mbi bashkësinë katolike dhe krijoi selinë e tij të Kostandinopojës, ku qëndroi deri në vitin 1928.

Lufta I Botërore qe shkatrrimtare edhe për Armenët katolikë të Anatolisë turke; praktikisht, u zhdukën nga harta  gjeografike: prandaj e transferuan selinë e tyre patriakale të Bzommarit në malet libaneze.

Jurisdiksioni i patriarkut katolik, sot Grégoire Pierre XX Ghabroyan, shtrihet mbi të gjithë armenët katolikë, me titullin  “Kryeipeshkëv i Armenëve të Sebastes”.

Kësaj Kishe i përkasin Instituti Patriarkal i Bzommarit (Liban), kongregata e Mekhitaristit, e ndarë në dy degë: ajo e ishullit të Shën Lazrit, në Venedik (themeluar më 1717), ajo e Vjenës (nga 1800-ta) si dhe murgeshat e Zojës së Papërlyer, themeluar më 1852.

Në Jeruzalem patriarkati katolik përfaqësohet nga një ipeshkëv, pa kler, me titullin e hekzarkut; ka jurisdiksionin mbi armenët katolikë në Tokën Shenjte dhe në Jordani. Hekzarku i sotëm është imzot Krikor Agostin Coussa, me seli ipeshkvnore në Stacionin IV të Udhës së Kryqit, ku ka një Kishë anekse, kushtuar Zojës së psherëtimave”.

Që nga shekulli XIX në Armeni janë edhe protestantët, të mbledhur në “Bashkimin e Kishave Armene”, me 150 mijë besimtarë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.