2016-06-24 00:00:00

Emis 44: “Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës”. Në kërkim të deles e të drahmës së humbur


Pasi jetuam disa çaste me Samaritanin e Mirë, në emisionin e 44-t të rubrikës kushtuar Jubileut të Mëshirës, vijojmë shtegtimin, në gjurmët e Krishtit, në kërkim të deles e të drahmës së humbur e të rigjetur, dy shëmbëlltyra nga më të bukurat e Besëlidhjes së Re. Shfletojmë Ungjillin e Shën Lukës e ndalemi tek Kapitulli i 15-të, në të cilin mëshira e Zotit për mëkatarët shpjegohet me tri shëmbëlltyra (ajo e deles së gjetur, e drahmës së gjetur dhe e atit të mëshirshëm), që vijnë njëra pas tjetrës, pa ndërprerje. Gjithsesi duhet t’i dallojmë dy të parat. Janë më të shkurtëra se e treta, shumë më e gjatë. Kjo, së pari. E, së dyti, sepse kanë përfundime të ndryshme. Ndërsa dy shëmbëlltyrat e para përfundojnë me festë, e treta na lë me frymën pezull: nuk tregohet nëse vëllai i madh vendos të marrë pjesë në festën për kthimin e të voglit, apo ikën e shkon në rrugën e vet, duke  hapur një plagë të re në zemrën e atit.

Por t’i jetojmë edhe një herë dy shembëlltyrat e para, duke nisur nga ajo e deles së humbur:   

1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

Shëmbëlltyra e drahmës së humbur

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet”.

Mëkatarët nuk janë njëlloj

Në kohën e Jezusit mund të dalloheshin katër kategori mëkatarësh: fizikë, racorë, shoqërorë e moralë. Me sa duket Zoti pati lidhje me të katrat. Kategoria e parë e mëkatarëve, ajo fizike, lidhej me konceptin sipas të cilit çdo e metë fizike buron prej mëkatit. Sëmundjet shikoheshin si pasojë  e mëkatit e jo si gjendje e natyrshme njerëzore. Kur Jezusi shëron njeriun, që kishte lindur i verbër, dishepujt pyesin veten nëse verbëria vjen nga mëkati i të sëmurit, apo nga ai i prindërve (Gjn 9,1-2). Përveç lidhjeve ndërmjet mëkatit e sëmundjes, në gjirin e popullsisë palestineze qe përhapur ideja sipas së cilës mbasi vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet, çdo mrekulli duhej shpërblyer me pastrimin në Tempull. Po Jezusi i njeh vetes të drejtën të pastrojë nga mëkati, si atëherë kur shëron të gjymtin, që ia lëshojnë nga çatia, tek këmbët.(Mk 2,1-12). Gjesti shikohet si blasfemi, që i shkandullon të pranishmit.

Kategoria e dytë e mëkatarëve ishte me natyrë racore: të huajtë shikoheshin si mëkatarë, sepse nuk e zbatonin ligjin sipas traditave judaike. Në këtë kategori bënin pjes Samaritanët dhe paganët, që jetonin në Palestinë; nënshtrimi ndaj Ligjit të Mosiut u krijonte mundësinë të çliroheshin nga kjo formë e mëkatit. Prandaj paganëve nuk u lejohej të shkelnin në Tempull të Jeruzalemit, por detyroheshin të respektonin kufijtë e shentjërisë së vendit. Përndryshe i priste mbytja me gurë.  

Kuptimit racor të termit “mëkatar”, i shtohej edhe ai shoqëror, lidhur  me tragrambledhësit, që punonin për pushtetin perandorak e shikoheshin me të njëjtin sy të shtrembër, si fajedexhinjtë. Ndërmjet dishepujve të vet, Jezusi zgjedh Levin, të birin e Alfeut, të cilin e fton ta ndjekë pas, ndërsa punonte në bankën e taksave. Për të nënvizuar ripërtëritjen e këtij grupi mëkatarësh, rrëfen shëmbëlltyrën e tagrambledhësit dhe të farizeut në Tempull (Lk 18, 9-14), tek e cila do të ndalohemi më pas.

Kategoria e fundme e mëkatarëve është me natyrë etike: përfshin fajdexhinjtë dhe prostitutat. Patëm rastin të vërejmë se gruaja, që ia lan këmbët Krishtit në shtëpinë e Simeonit, është mëkatare e mirënjohur. Samaritania, me të cilën Jezusi ndalohet për të shkëmbyer dy fjalë, ka pasur pesë burra e jeton me një të gjashtë, që sigurisht, nuk është burri i saj (Gjn 4,1-30).

Po Jezusi ndalet me të gjithë, sepse ka ardhur t’i shërojë plagët e të gjithë mëkatarëve, pa përjashtuar asnjë. E pikërisht për këtë paditet si mëkatar (Gjn 9,24-25), që i pëlqen të jetojë me mëkatarët. Por mrekullitë e përgënjeshtrojnë akuzën, sepse një mëkatar nuk mund t’i bëjë mrekullitë, që bën Ai, para syve të atyre, që e duan e që s’e duan. E pikërisht shëmbëlltyrat na i shpjegojnë arsyet, që e shtyjnë të  takohet me mëkatarët.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.