2016-06-23 17:42:00

Kisha katolike më 24 qershor përkujton festën e lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit: dëshmitar i Krishtit.


Kisha katolike më 24 qershor përkujton festën e lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit: dëshmitar i Krishtit.

Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në Ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit.

Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Ndërsa piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja e Shën Gjonit’. 








All the contents on this site are copyrighted ©.