2016-06-23 14:12:00

Imzot Becciu: bamirësia duhet administruar pa shpërdorime


Edhe veprat e bamirësisë duhet të administrohen “me urti e pa shpërdorime”. Kështu thekson zëvendësi për punët e përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, imzot Angelo Becciu, në prag të ditës kushtuar “Obolit të Shën Pjetrit” apo “Lëmoshës së Shën Pjetrit”, që shërben për bamirësinë e Papës. Në të gjithë botën, më 26 qershor, njerëzit do të japin lëmoshët, që Ati i Shenjtë i përdor për qëllime të ndryshme bamirëse.

Papa Françesku, kujton imzot Becciu për agjencinë katolike Sir, thotë shpesh se, për të qenë e vërtetë, bamirësia duhet të jetë konkrete. “Do të thotë se nuk mund të ndalet vetëm në mendimin e në ndjenjat, por duhet të arrijë tek xhepat! E do të thotë edhe, sidomos sot, se veprat e bamirësisë duhet të mendohen me urti e të administrohen mirë, që të arrijnë vërtet tek ata, që kanë nevojë, pa shpërdorime”.

Dita, që i kushtohet bamirësisë së Papës, nënvizon prelati, “është e duhet të jetë siç ishte në Kishën e zanafillës, një gjest spontan”. Mbledhja e këtyre lëmoshëve bëhet afër solemnitetit të Shën Pjetrit, që kremtohet më 29 qershor. Në fund të fundit, vëren imzot Becciu, është dhurata e Kishave për Pasardhësin e Pjetrit, i cili nuk e mban për vete, por ia jep sërish Kishës e të varfërve, sipas nevojave.

Prelati komenton edhe akuzat për populizëm e pauperizëm ndaj Papës Françesku, pas thirrjeve të tij për të mos i kthyer sytë tjetërkund, para varfërisë. “Më vjen të them – thekson imzot Becciu – se reagimi i parë, kur ftesa është pak si e parehatshme dhe na bën të mendojmë, është pikërisht kritika disi inatçore, që në fund të fundit, po ta peshojmë mirë, ka shijen e abstraktes, të ideologjikes, të partishmërisë e mbi të gjitha, nuk ndihmon. Besoj se në këto raste, duhet shkuar përpara pa u hidhëruar: dihet se ‘të gjesh kashtën në syrin e vëllait’ është një nga sportet më të përhapura në botë. Kisha është e thirrur të mos bëjë kështu, por të shkojë përpara drejt së mirës, me besim, duke parë vetëm Ungjillin e jo tjetër, edhe kur i cënohet imazhi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.