2016-06-22 15:22:00

Papa: të prekësh të varfërit e të përjashtuarit të pastron nga hipokrizia


“Kur paraqitemi para Jezusit, nuk është nevoja të mbajmë fjalime të gjata, mjaftojnë pak fjalë, por plot besim”. Këtë theksoi Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme - e fundmja para pushimeve verore - në të cilën shëmbëlltyra e të gërbulurit të pastruar nga Jezusi për fenë e tij, e nxiti të bëjë thirrje kundër përjashtimit të njerëzve nga radhët e shoqërisë: “Po ta prekësh të varfërin - tha Françesku - mund të pastrohesh nga hipokrizia”. Më pas kujtoi përsëri refugjatët, pikërisht sot, kur një grup i ardhur nga Afrika, qe ulur te këmbët e tij, e Ati i Shenjtë ia paraqiti turmës me fjalët: “Janë vëllezërit tanë, i krishteri nuk përjashton askënd!”.

U ngjitën me Françeskun, mbi  tremen  e Bazilikës e u ulën tek këmbët e tij.

“Skenë e pazakontë – kjo e audiencës së sotme! - Një grup afrikanësh, që ndihmohen nga Karitasi i Firencës, me një parullë, që bën thirrje për afërsi, pret që Papa të zbresë nga xhipsi. Ai zbret e i pret tek porta e i merr me vete, që ta dëgjojnë së bashku me 15 mijë besimtarët e pranishëm, “shenjën” e mëshirës përmes shëmbëlltyrës së të gërbulurit, treguar nga Shën Luka Ungjilltar.

Para Jezusit nuk duhen folur shumë fjalë

“Nëse ti do, mund të më pastrosh!”. Është  lutja për shërimin e korpit e të shpirtit, të cilën ia drejton Jezusit i gërbuluri, njeri me fytyrë të trishtuar - vërejti Françesku – sepse i sëmurë, që mbahej si i papastër. E për arsye se sëmundja shikohej si mallkim, ai detyrohej t’u shmangej të gjithëve, të rrinte larg Zotit e njerëzve. E megjithatë, i gërbuluri nuk dorëzohet, nuk e merr parasysh ligjin e guxon të hyjë në qytet, vetëm e vetëm për ta takuar Jezusin. E këtë e bën për fe, e bën pse i beson:

“E pranon, kështu, pushtetin e Jezusit: e është i sigurt se Ai ka forcë ta shërojë e se gjithçka varet nga vullneti i tij. Kjo fe është forca, që e bën të shkelë çdo rregull e të kërkojë takimin me Jezusin e, duke u gjunjëzuar para Tij, e thërret me zë të lartë ‘Zot!’. Lutja e të gërbulurit tregon se kur paraqitemi para Jezusit, nuk është nevoja të mbajmë fjalime të gjata. Mjaftojnë vetëm pak fjalë, por që shoqërohen me besim të plotë në gjithëpushtetin e Tij e në mirësinë e Tij. T’i besosh me gjithë zemër vullnetit të Zotit, do të thotë të  fitosh përsëri mëshirën e tij të pambaruar”.

Edhe Papa mbrëmjeve lutet, si i gërbuluri

Po pse të mos i lutemi edhe ne të gjithë Jezusit, ashtu si i lutej i gërbuluri? Papa ia kërkon këtë gjithë besimtarëve, u kërkon të luten çdo ditë e, duke hyrë në intimitet me turmën, tregon:

“Në mbrëmje, para se të shkoj në krevat, them këtë lutje të shkurtër: ‘O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh!’. E them, më pas, pesë Atyna,  një për secilën nga plagët e Jezusit, sepse Jezusi na pastroi pikërisht me plagët e Tij. Por nëse këtë e bëj unë, mund ta bëni edhe ju, në shtëpinë tuaj e mund të thoni: ‘O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh!’, e të mendoni për plagët e Jezusit e të thoni ‘Atynën’ për secilën nga plagët e Zotit. E Jezusi na dëgjon gjithnjë!”.

Rrëfimi ungjillor tregon, më tej, se edhe vetë Jezusi u prek thellë nga i gërbuluri, e u prek aq, sa të shtrinte dorën për ta prekur, duke shkelur ligjin e Moisiut, që të ndalonte t’u afroheshe të sëmurëve të tillë. E edhe këtu syri i Papës nisi të ngulej në të përditshmen tonë, i ndriçuar nga mësimi i Jezusit.

Prekja e  të varfërve e të përjashtuarve, të pastron nga hipokrizia

Sa herë na ndodh të takojmë një të varfër, që vjen drejt nesh?! Mund të jemi edhe bujarë, mund të kemi mëshirë, por zakonisht, për ta prekur nuk e prekim. I japim monedhën, por pa e prekur me dorë. E harrojmë se është vetë Korpi i Krishtit! Jezusi na mëson të mos kemi frikë ta prekim të varfërin e të përjashtuarin, sepse është Ai vetë në ta. Prekja e të varfërit e të përjashtuarit mund të na pastrojë nga hipokrizia e edhe të na shqetësojë për kushtet, në të cilat jeton njeriu, që e prekëm.

T’i prekësh të përjashtuarit”, këtë e ka shumë për zemër Papa, sidomos sot, kur të përjashtuar janë edhe të rinjtë, si afrikanët, emigrantët, refugjatët, që ishin ulur në tremen e Bazilikës. ‘Shumëkush mendon - vërejti Papa – se është më mirë të rrijnë në vendet e tyre, të cilat, nuk duhet harruar, janë troje të pushtuara nga vuajtja”.

Prej këndej, thirrja:

“Janë tanët, refugjatët! Por shumëkush i shikon si të përjashtuar . Ju lutem, janë vëllezërit tanë! I krishteri nuk përjashton askënd, i bën vend gjithkujt, lërini të vijnë të gjithë”.

Të bëhemi vetëdijshëm për mjerimet tona

Duke e përfunduar shëmbëlltyrën e të gërbulurit, Papa vërejti se pas shërimit, Jezusi e fton “të mos flasë me askënd”, por të shkojë e të paraqitet te prifti. E, duke u nisur nga kjo porosi e Jezusit, Françesku nënvizoi tre aspekte: hiri, që vepron në ne, nuk kërkon sensacionalizëm; ripranimi i të përjashtuarit në bashkësi, e shëron plotësisht dhe e bën dëshmitar të Jezusit; hiri, pra, shëron  deri në thellësi:

“Forca e mëshirës, me të cilën Jezusi e shëroi të gërbulurin, e bëri të besojë me gjithë zemër e të hyjë në udhën e misionit. Ishte i përjashtuar, e tani është një nga ne”.

Lutja e të gërbulurit, prandaj, duhet të jetë mënyra me të cilën edhe ne i drejtohemi Zotit, duke u bërë të vetëdijshëm për mjerimet tona, pa i mbuluar, sa për sy e faqe,  me sjellje të mira. Kjo, ftesa me të cilën  Papa e përfundoi audiencën e përgjithshme, duke përsëritur tri herë rresht, njëzëri me Sheshin e mbushur plot: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh!”.

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa falënderoi posaçërisht “Vilëzën e Mëshirës” të Poliklinikës Gemelli; bujtinën për njerëz të pastrehë, drejtuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, vepër konkrete në këtë Jubile të jashtëzakonshëm, si dhe protagonistët e Garës së Saracinos të Arezzo-s, kushtuar, sivjet, temës së Mëshirës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.