Shën Luigj Gonazaga në veprën e dom Ndré Mjedjes. Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar, dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”.
Në XXI kapituj të veprës tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa
Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike
që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve
të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë,
ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.
Në kreun e parë - siç e quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga!
Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu
Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende
zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të
harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të
kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei
qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei
gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína
të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren
herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave,
qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave
e ndera e shtëpisë së tyne.
Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë”
shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjedjen lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë
kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me
i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte,
mësimi i të vertetave të Fés, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë
tjeter veç njikaq prej moshës së ré katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit,
simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare –shënimi ynë)
per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per
ta...- shkruhet në Letrën Apostollike të Shenjtit Atë Papë.
Ndonëse shumica e veprave fetare të dom Ndré Mjedjës janë përkthime apo përshtatje,
mund të themi me plot gojën se me to meshtari shqiptar dha një ndihmesë të shquar
për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.
Ndër veprat fetare të Dom Ndré Mjedjes mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit
Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm
22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes
më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes,
botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur
prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.
Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi
me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun
prej veprës “Cuneus Prophetarum”.
Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi
i pergjithtë i moshës së rë", për çka shkruam më lartë. Një tjetër vepër
me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit, që
bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherësh.
Vepër e dom Ndre Mjedjës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të
uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”,
e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.
Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedjës së madh, ndjejmë gati gati
po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike, sepse janë shkruar me dorë mjeshtri,
artisti e shkencëtari, e prandaj zgjojnë interesimin e jashtëzakonshëm .
All the contents on this site are copyrighted ©. |