2016-06-21 11:16:00

Me 21 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar


Me 21 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar

Sot më 21 qershor, Kisha katolike përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur: Shën Luigj Gonzagën meshtar rregulltar.
Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretërshës Elizabeta.

Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç mori kungimin e parë nga Shën Karl Borromeo e, më vonë, vendosi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, te Jezuitët, por për këtë iu desh të luftonte dy vjet me të atin.

Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit.

Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. U shërbeu pa u kursyer të prekurve nga murtaja, që kishte goditur Romën më 1590 dhe që preku edhe atë vetë, duke i shkaktuar vdekjen më 1591, kur ishte vetëm 23 vjeç.

Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Mbetet model i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike. Kisha na paraqet shenjtin si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i fton të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, i vetmi që mund t’i bëjë të aftë ta përballojnë seriozisht jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.