2016-06-21 18:11:00

Armeni. Atë Lombardi: Papa përqafon vuajtjet e një populli


Afrohet data e fillimit të shtegtimit të 14-të apostolik të Papës Françesku. Ati i Shenjtë do të jetë, nga 24 deri më 26 qershor, në Armeni, etapa e parë e një vizite më të gjerë në Kaukaz, që do të vijojë me shtegtimin në Gjeorgji e në Azerbajxhan, shtatorin e ardhshëm. Çastet më kryesore të shtegtimit u paraqitën sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga drejtori, atë Federico Lombardi:

“O Nënë e Shenjtë e Zotit, silli sytë e tu kah trojet e Armenisë!”. Atë Lombardi e nisi konferencën e shtypit me lutjen  e Shën Gjon Palit II, për të treguar se vendi kaukazik, i pari që, në vitin e largët 301 pas Krishtit e pranoi krishtërimin si fe zyrtare, në kulmin e veprimtarisë së Shën Gregorit Ndriçues, është posaçërisht i dashur për katolikët e mbarë botës. Me të njëjtat ndjenja do të niset edhe Papa Françesku, për të përqafuar fenë e thellë, dëshirën për paqe e vuajtjet e një populli të tërë, shumica e të cilit jeton sot jashtë atdheut të vet, por pa harruar për asnjë çast traditat fetare e kulturore të trojeve atërore. Tre milionë e 300 mijë, ata që jetojnë në Amerikë.

Ndër çastet më domethënëse të shtegtimit, që vuri në dukje atë Lombardi, përveç takimeve me autoritetet civile e fetare, vizita në Memorialin e Tzitzernakaberd (Xixernagapert), që kujton masakrën e një milion e gjysëm armenëve, në vitin 1915. E, duke i dhënë përgjigje gazetarëve mbi çështjen e përdorimit të termit “genocid”, ose “medz yeghern” “e keqja e madhe”, siç e quajnë armenët, atë Federico Lombardi dha këtë sqarim:

“Askush nga ne nuk e mohon se këto masakra janë kryer, por nuk duam të bëjmë prej kësaj diskutime politiko-sociologjike. Është një tragjedi e pamasë, e di për çfarë po flas. Po përdor termin “medz yeghern”, fjalë që e përdorin vëllezërit e mi  armenë dhe besoj se e dimë ç’kuptim ka”.

I ftuar në Sallën e Shtypit të Vatikanit, imzot Anton Ayvazian i Kishës armene katolike të Sirisë, foli për Armeninë, në pritje plot entuziazëm të Papës:

Përgjigje: - Kjo vizitë është vërtet rasti më i bukur për t’i treguar botës civile e posaçërisht vetë popullit armen, se Ati i Shenjtë është tejet pranë këtyre njerëzve, që vuajtën shumë. Vuajtja shekullore e popullit armen, është në thellësi të zemrës së Atit të Shenjtë, është rast i përshtatshëm për të thënë: “Unë jam me ju. Keni të drejtë të jetoni ndërmjet popujve; të drejtë të jetoni në paqe e sidomos, të drejtë t’ju njihet drejtësia!” .

Pyetje: - Realiteti fetar në Armeni është krejt i posaçëm…

Përgjigje: - Një armen nuk mund të jetë i tillë, nëse nuk është i pagëzuar. Nuk mund të ekzistojë armeni, që deklaron se është i tillë, pa e pasur krishterimin si “diplomë” të shkruar në gjakun e tij, në gjenetikën e tij, sepse krishterimi është i rrënjosur tepër thellë në mendjen e në psikologjinë e armenëve. Prandaj kemi pasur miliona e miliona martirë. Luftërat në Armeni janë bërë gjithnjë për të mbrojtur fenë e krishterë.

Pyetje: - Si po jetohet Jubileu i Mëshirës në Armeni?

Përgjigje: - Ky popull është gjithmonë i mëshirshëm. Armeni nuk mund të urrejë. Edhe kur urren, urrejtja nuk i zgjat shumë, sepse vihet menjëherë në paqe me të afërmin. E kjo ka vlerë të veçantë në zemrën e Atit të Shenjtë: ai i njeh thellë armenët. Janë njerëz të mirë, që vuajtën shumë, që e duan jetën, janë të dashuruar me jetën!








All the contents on this site are copyrighted ©.