2016-06-20 17:10:00

Në Blinisht Meshë falënderimi për lumturimin e Françesko Maria Greco


 Në Blinisht, Meshë falënderimi per Lumturimin e Françesko Maria Greco, meshtar e Themelues i Kongregatës 'Motrat e Vogla Punëtore të Zemrave të Shenjta'. Më 21 majin e kaluar, në stadiumin San Vito të Cosenza-s, është lumturuar prifti kalabrez Françesko Maria Greco, lindur në Acri më 1857 e vdekur aty më 1931.

Në letrën apostolike që autorizon regjistrimin e priftit Françesko Maria Greco ndër të lumë, Papa Françesku e quan, “apostull i palodhur i Ungjillit”. Meshën me ritin e lumturimit e pati kremtuar më 21 majin e kaluar kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve. I Lumi i ri Françesko Maria Greco është i lidhur edhe me arbëreshët e me Shqipërinë, për këtë arsye të dielën e kaluar, në Blinisht, në Kishën e Martirëve Shqiptarë, është kremtuar Mesha e falënderimit për lumturimin e këtij meshtari shembullor, po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit....

Motrat e Vogla Punëtore të Zemrave të Shenjta

Në famullinë e Shën Shtjefni në Blinisht, në Kishën e Martirëve Shqiptarë, pasditen e së dieles me 19. 06. 2016, është kremtuar një Meshë falenderimi me rastin e Lumturimit të Francesko Maria Greco, meshtar dhe Themelues i Kongregatës së Motrave të Vogla Punëtore të Zemrave të Shenjta.

Bashkësia e Motrave të kësaj kongregate, populli i Zotit, famullitari don Enzo Zago e meshtarë të tjerë, u bashkuan në këtë Meshë Shenjte të udhëhequr nga administratori dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli, me falenderimin ndaj Hyjit për dhuratën e Lumturimit të Fancesco Maria Grecos.

Është kjo një ngjarje e cila na gëzon të gjithëve ne popullin e Hyjit, gjallëron Kishën dhe e zbukuron atë me të lum dhe shenjtër. Do ishte bukur që në këtë kremtim të shenjtë të ishte mes nesh bariu i jonë mons. Lucjan Avgustini, por jemi të sigurtë që Ai është me ne shpirtërisht, e na shoqëron në këtë festë nga qielli. Ishin këto fjalët e dom Simonit Kullit që shoqëruan fillimin e kremtimit të meshës, i cili mes emocionesh kërkoi që në lutjet e secilit prej nesh të porosisim edhe shpirtin e bariut tonë që tashmë gëzon në amshim.

Gjatë predikimit të tij, dom Simoni u ndal në jetën dhe veprën e të Lumit Francesco, i cili e pati fort për zemër Mësimin e Fesë. E ndërsa shpesh thoshte: “të edukosh në fe do të thotë të edukosh në jetë”. Duke vazhduar më tej, dom Simoni solli një tjetër fakt se i Lumi Francesco ishte shumë i lidhur me shqiptarët që jetonin në Jugun e Italisë. Edhe atyre deshi t’ua mësonte të vërtetat e fesë duke përpiluar një katekizëm të veçantë për Arbëreshët tanë. Një dashuri e tillë ndaj popullit tonë do shfaqej edhe më tepër me ardhjen e motrave të themeluar prej tij në Shqipëri në vitet 1940, ku do vendoseshin për të jetuar në Vlorë. Ndërsa pas rënies së komunizmit, në vitin 1994, ato u vendosen përfundimisht në Piraj të Zadrimës, duke hapur kështu një mision të ri në tokë të re.

Kush ishte Mons. Francesco Maria Greco,

Me 26 korrik 1857 lind në Akri Francesco Maria Greco  nga prindër me bindje të thellë fetare. Qysh fëmijë udhëhiqet nga nëna e tij në udhën e besimit. Pasi mbaroi gjimnazin shkon në Napoli në vitin 1874 për të kryer liceun. I ati shpresonte t’i trashëgonte të birit zanatin e farmacistit në Akri. Por, Francesco, zgjedh jeten meshtarake, forcon lutjen në këmbët e Virgjërës së Pompeut, duke realizuar kështu thirrjen e tij dhe duke mposhtur rezistencen e të atit.

Me 17 dhjetor 1881 shugurohet meshtarë dhe kthehet në Napoli ku përfundon studimet universitare për doktoraturë në teologji. Në shtator të 1887 emëroret famullitar në kishën Shën Kollit në Akri, e pas një viti emërohët Arqiprift. Vepra e tij edukuese,  drejtuar para së gjithash rinisë, ka si qëllim që “ duke edukuar në fe edukohet në jetë”. Punëtor i Ungjillit , është i bindur që injoranza fetare, nga e cilia lindin mjerimet morale, është plaga më e dhimbshme e Kalabrisë në kohën e tij, prandaj, themelon në famulli shkolla katekeze, shoqata, një orator interfamullitarë, dhe me bashkëpunimin e Moter Maria Tereza De Vincenti, themelon Institutin  e Motrave Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta.

Si shërmendi i lidhur me hardhinë, Ati Themelues i kësaj kongregate solli fryte të shumta baritore e shënjtërimi, dhe vazhdon të jetojë përmes veprave të tija të ungjillizimit e të dashurisë, të shpërndara në Itali dhe jashtë saj. Dita e tij tokësorë përfundoi në Akri me 13 Janar 1931. Eshtrat e tij pushojnë në Kishën e Shën Franceskut të Paulit pranë Shtëpisë Nënë në Akri. Pasi u përhap  fama e shënjtërisë së jetës së tij, me 8 dhjetor 1957, filloi procesi i kanonizimit, për të pranuar ushtrimin e veprave heroike të vyrtyteve të krishtera. Me 24 maj 1961 u bë inspektimi i rregullt kanonik. Kisha Shenjte e lartësoi në Elterin e të Lumturve me 21 maj 2016, në një ceremoni të organizuar në Kozenca në Itali?








All the contents on this site are copyrighted ©.