2016-06-20 11:17:00

Koncistori i Papës: më 16 tetor, Shenjtërimi i 5 të Lumëve


Sot Kisha njohu shenjtërinë e pesë të Lumëve. Në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, Papa Françesku kryesoi kremtimin e Orës së Tretë dhe Koncistorin e Zakonshëm Publik për shenjtërimin e këtyre figurave, që jetuan ndërmjet ‘700-tës e 800-tës.

Do të shpallen Shenjtorë Salomon Leclercq, martir i Vëllezërve të Shkollave të Krishtera; Manuel González García, ipeshkëv i Palecias, themelues i Bashkimit Eukaristik Shpërblyes dhe i Kongregatës së Motrave Misionare Eukaristike të Nazaretit; priftërinjtë  Lodovico Pavoni, themeleus i Kongregatës së Bijave të Zojës së Papërlyer dhe Alfonso Maria Fusco, themelues i Kongregatës së Motrave të Shën Gjon Pagëzuesit si dhe rregulltarja Elisabetta e së Shenjtnueshmes Trini, murgeshë e Urdhërit të Karmelitanëve të zbathur.

Është 47 vjeç, Salomon Leclercq, i Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, kur Revolucioni francez, i cili që prej tre vjetësh vijon të ushtrojë persekutime të egra kundër Kishës katolike, e vë para alternativës: të betohet për besnikëri ndaj Kushtetutës, apo t’i paguajë pasojat e refuzimit. Leclercq i kundërvihet padrejtësive - siç bëjnë edhe shumë priftërinj, rregulltarë e rregulltare të tjera - e kjo është porta e vdekjes, që hapet edhe për të. E kapërcen, duke u bërë martiri i parë lasalian, në Paris, më 1792.

Tabernakuj të braktisur

Do të kalojë në histori si “ipeshkvi i tabernakujve të brakstisur”, imzot Manuel González García, spanjoll, që jetoi ndërmjet tetëqindës e nëntëqindës. Shkëlqen për përkushtimin e tij ndaj kultit eukaristik, për të cilin themelon e kushton dy struktura, Bashkimin Eukaristik Shpërblyes dhe Kongregatën e Motrave Misionare Eukaristike të Nazaretit. Shuhet në Madrid, në vitin 1940.

Në pararojë të edukimit

Lodovico Pavoni, prift breshian, është një nga edukatorët e pararojës në kohën e tij. Koncepton, në fillim të viteve ‘800, modelin e mësimdhënies e të përgatitjes për punë, që u paraprin shkollave moderne profesionale. Edhe Kongregata rregulltare e Bijve të Zojës së Papërlyer, themeluar prej tij duket kaq e re e e guximshme, me të ashtuajturit “fretërit punëtorë”, ndonëse i duhet të presë shumë kohë, para se të miratohet nga ana e autoriteteve. Vdes më 1849, në kulmin e rilindjes italiane, ndërsa përpiqet të shpëtojë dy djem nga rreziku i luftimeve të Dhjetë ditëve të Breshias.

Zoti shpjeguar njerëzve të thjeshtë

Figurë e tetëqindës është edhe Alfonso Maria Fusco, prift salernitan, njeri fjalëpakë, por i pajisur me dashuri të pashterrshme. Plot butësi e dhembshuri, i kushtohet shërbesës ndërmjet fshtarëve, të cilëve u flet me fjalë të thjeshta e të kuptueshme, si dhe formimit të të rinjve, posaçërisht atyre, që janë të varfër a jetimë. Themelon Kongregatën e Motrave të Shën Gjon Pagëzuesit e ndërron jetë  në moshën 71 vjeçare, në vitin 1910.

Mblatim në Karmel

Elizabeta e së Shenjtnueshmes Trini jeton ndërmjet tetëqindës e nëntëqindës një jetë të thellë shpirtërore.  Në shekull, Elizabeta Catez, hyn murgeshë  në Urdhërin e Karmelitaneve të zbathura, në Karmelin e Dizhon, në vitin 1901. Është 21 vjeç. Pesë vjetët e jetës së saj rregulltare janë ngjitje e vazhdueshme kah Zoti, që i dhuron hirin të durojë e të ofrojë vuajtjet, shkaktuar nga sëmundja e tmerrshme e Addison. E prekur prej saj, vdes më 1906.








All the contents on this site are copyrighted ©.