2016-06-20 19:44:00

Koncili Pan-ortodoks: Bartolomeu falënderon Françeskun


Me një falënderim të përzemërt drejtuar Papës Françesku që dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi Koncilin e Madh të Kishës ortodokse dhe, së bashku me besimtarët, u lut për të, Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, hapi sot paradite në Chania, në ishullin e Greqisë, punimet konciliare, që nisën menjëherë, pas Liturgjisë Hyjnore, kremtuar dje, në Solemnitetin ortodoks të Rrëshajëve. Para se të lexonte hyrjen - njofton agjencia Sir - Patriku Bartolomeu kujtoi ata, që po e mbështesin Koncilin e, ndërmjet tyre, Papën Françesku.

Kishat munguese vënë në dukje arsyet e mospjesëmarrjes

Duke marrë fjalën, Bartolomeu u kujtoi të pranishmëve se bota po i shikon e kjo - shtoi - kërkon edhe më shumë përgjegjësi. Para se të niste leximin e hyrjes, kujtoi edhe mungesën e Kishës së Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë e të Antiokisë. Në vijim lexoi mesazhet ardhur nga Patriku Gjoni X i Antiokisë dhe Patriku Kirill i Moskës, në të cilat sqaroheshin edhe arsyet e mospjesëmarrjes.

Dje, kremtimi Solemn i Rrëshajëve

Primatët e Kishave ortodokse kremtuan dje Festën e madhe të Rrëshajëve, në Kishën e Shën Menas, në Heraklion, me një liturgji, që zgjati katër orë. Liturgjinë e kryesoi Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i rrethuar nga patrikët Teodori i Aleksandrisë, Theophilos i Jeruzalemit, Irinej i Serbisë, Danieli i Rumanisë; kryepeshkopët Chrysostomos i Qipros e Ieronymos i Athinës dhe i gjithë Greqisë, metropoliti Sawa i Varshavës dhe i gjithë Polonisë dhe kryepeshkopët Anastasios i Shqipërisë dhe Rastislav i Çekisë e i Sllovakisë. Në liturgji ishin të pranishëm edhe  Presidenti i Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, anëtar të qeverisë dhe autoritete politike vendase.

Thirrja e Bartolomeut për unitet

Duke iu drejtuar primatëve dhe turmës së peshkopëve, klerit, laikëve, si brenda, ashtu edhe jashta Kishës, Patriku Ekumenik foli për unitetin dhe katolicitetin e Kishës. “Sot është një ditë në të cilën i drejtojmë britmën tonë Shpirtit Shenjt dhe e lusim të vijë e të rrijë mes nesh, të na ruajë në vërtetësinë e shenjtërinë e Tij, sipas lutjes së dhimbshme të Zotit në Kopshtin e Gjetsemanit. Lutja e Jezusit për unitet, është kërkesë zanafillore e njerëzimit, në një botë të  ndarë”.  

Udha e bashkimit kërkon shumë flijime e shumë punë

“Pavarësisht nga ndryshimet tona - vijoi Bartolomeu - ne, ortodoksët, duhet të nënvizojmë se udha e vetme në të cilën duhet të ecim, është ajo e unitetit". Natyrisht, kjo udhë kërkon flijime të shumta, kërkon punë e edhe luftë të rreptë, për të mos u larguar. Është e qartë se ky Koncil do të japë ndihmesën e vet në këtë drejtim, duke vendosur - përmes këshillimit në Shpirtin Shenjt - dialogun  e ndershëm e konstruktiv, klimën e besimit e të mirëkuptimit reciprok. Misioni ynë është unitetit i Kishës ortodokse dhe i besimtarëve të saj - pohoi me forcë patriku ortodoks i Kostandinopojës.

Bota ka etje për një mesazh vërtetësie, pastërtie e shprese

Më pas Bartolomeu theksoi; “Duke i lënë mënjanë problemet e shkaktuara nga prejardhja jonë e ndryshme etnike, i lutemi Shpirtit Shenjt të zbresë mbi ne, e kështu, të shndritur nga Ai, që është dritë e jetë e gurrë shpirtërore urtie, të mund t’i drejtohemi botës, e cila ka etje për mesazhin e vërtetësisë, të pastërtisë e të shpresës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.