2016-06-18 06:00:00

Papa në audiencën jubilare: kthehemi kah Zoti, kur i shohim nevojat e tjetrit


Papa Françesku mbajti sot paradite në Vatikan Audiencën Jubilare, gjatë së cilës katekizmin e përqendroi në kthimin e besimtarëve kah Zoti. Kujtojmë se kjo audiencë mbahet një të shtunë në muaj. Ungjilli sipas Lukës, i ditës së djeshme, tregon periudhën kur Jezusi iu duk dishepujve pas ringjalljes e para se të lartohej në lavdinë e Atit Qiellor. Zoti u thotë apostujve si duhet të jetë predikimi i tyre, i cili, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të përmblidhet me dy fjalë: “kthim” dhe “falje mëkatesh”. Papa Françesku komentoi fjalën e parë, që e përshkon krejt Biblën.

Ç’do të thotë “kthim kah Zoti”, reflektoi Papa Bergoglio. Sipas profetëve, do të thotë të ndryshosh rrugën e jetës, për t’u kthyer sërish tek Hyji, duke i kërkuar Atij falje për mëkatet, i sigurtë se dashuria e Tij për njeriun është gjithnjë besnike. Edhe Jezusi e pati bërë “kthimin”, fjalë kryesore në predikimet e Tij: “Kthehuni dhe besojini Ungjillit”, shkruan shën Marku ungjilltar (1,15). Në ndryshim nga profetët, Jezusi ngul këmbë në përmasën e brendshme të ndryshimit.

Kur Jezusi bën thirrje për kthim kah Zoti, nuk e bën këtë nga pozicioni i gjykatësit, por përpiqet ta kuptojë njeriun dhe brishtësinë e tij. Kështu, njerëzit e ndjenin se Zoti i donte dhe motivoheshin më shumë për ta ndryshuar jetën. Papa përmendi kthimin e Mateut e të Zakeut, për të përfunduar se kthimi i vërtetë ndodh kur e pranojmë dhuratën e Hirit hyjnor e, shenja me të cilën e dallojmë kthimin autentik është kur i shohim nevojat e vëllezërve dhe jemi gati t’i ndihmojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.