2016-06-18 19:01:00

Vila Nazaret. Papa: nëse feja nuk kalon në krizë, është e “trukuar”


Dëshmia e Ungjillit nga ana e atij, që di t’i ndotë duart, martirizimi i të krishterëve në  Lindjen e Mesme dhe ai i ndershmërisë në “parajsën e ryshfeteve”, dyshimi, që e shoqëron përherë fenë. Këto temat, në qendër të reflektimit të Papës në bashkësinë e Vilës Nazaret, me rastin e 70-vjetorit të themelimit.

Dëshmia e krishterë ishte në qendër të reflektimit të Françeskut që, duke komentuar Ungjillin, i ftoi të gjithë të kenë mëshirën e Samaritanit të Mirë që, përballë skamnorit, nuk ngurron t’i shpërvjelë mëngët e t’i ndotë duart, duke vënë në pah dëshmitë e këqija të priftit e të doktorit të ligjit.

Dëshmia e atij, që ndot duart

Gjatë komentimit të Ungjillit, Papa kujtoi se në fragmentin e ditës takojmë një mori njerëzish: atë që bën pyetjen “kush është i afërmi im?”, Jezusin e pastaj vijnë personazhet e shëmbëlltyrës: cubat, i varfëri gjysëm i vdekur në mes të rrugës, pastaj prifti, doktori i ligjit, ndoshta avokat, i zoti i bujtinës… E në shëmbëlltyrë - kujtoi Papa – ndoshta as prifti, as doktori i ligjit e as i zoti i bujtinës, nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjes: “Kush është i afërmi”, madje nuk dinin as si është ‘i afërmi’, apo jo? Prifti ishte për ngut, siç janë gjithë priftërinjtë, sepse shikonte tash e parë orën: “Epo, duhet të shkoj se kam një Meshë” ose, shpesh herë: “Kam lënë Kishën hapur, duhet ta mbyll, sepse orari është ky e nuk mund të rri më tutje”. Doktori i ligjit, njeri praktik, tha me vete: “Nëse ngatërrohem me këtë punë, nesër do të më duhet të shkoj në gjykatë e të dal dëshmitar, të them çka bëra e të humbas kështu nja dy a tri ditë pune… Jo, jo. Më mirë ….”Rroftë Ponci Pilat” - tha, e u nis e shkoi. Ndërsa ai tjetri, mëkatari, që nuk ishte prej popullit të Zotit, u prek thellë në shpirt. Pati mëshirë! E u ndal. Të tre - prifti, avokati e samaritani - e dinin fare mirë ç’duhej bërë, e si njëri, ashtu edhe tjetri, e morën vendimin e tyre. Po mua më pëlqen të mendoj për të zotin e bujtinës. Njeri pa emër. Ai pa gjithçka e nuk kuptoi gjë prej gjëje. “Po ky qenka i çmendur - tha me vete - një samaritan, që ndihmon një hebre! I marrë e i shkundur. E pastaj, si ia lidhi me duart e veta plagët dhe e solli në bujtinë, vjen e më thotë: “Kujdesu për të, se të paguaj unë, mos kij dert, edhe nëse duhet diçka më shumë”. Po unë nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë! Është i çmendur, sigurisht! E pra ishte pikërisht i çmenduri, që e mori fjalën e Zotit: në dëshmi. Një mëkatar pati mëshirë. Një mëkatar,  po, por jo një besimtar i Popullit të Zotit. Pati mëshirë, edhe pse nuk kuptonte asgjë. U ndalua ndoshta për kuriozitet, për të parë ç’po ndodhte, por me shqetësim në zemër. E këtë e bën dëshmia. Dëshmia e samaritanit kalli shqetësim në zemrën e të zotit të bujtinës. Por ç’ndodhi më pas, këtë nuk e  thotë Ungjilli, nuk na e thotë as emrin e tij. Por jam i sigurt se ky njeri e mori mesazhin e dëshmisë. Pastaj të nesërmen samaritani kaloi rishtas atje e sigurisht deshi të paguajë gjëkafshë, por i zoti i bujtinës gjegji; “Jo, lërë lëre, kjo është për llogari time”, e ndoshta kjo ishte përgjigjja e parë që i jepte dëshmisë. Po pse po ndalem sot tek ky person - mund të më pyesni. - Ndalem, sepse dëshmi do të thotë të jetosh në mënyrë të tillë, që të tjerët të shikojnë veprat tuaja e të lumnojnë Atin,  që është në Qiell, domethënë, ta takojnë Atin… t’i dëshmojnë fjalët e Jezusit.

Më pas Papa foli për vendin, që po vizitonte, Vilën Nazaret, vepër pune, ku favorizohet dëshmia. Këtu - shtoi - njerëzit nuk vijnë ‘të kacavaren për t’u ngjitur lart e më lart’. As për të fituar para, jo, por për të ndjekur gjurmët e Jezusit e për të dhënë dëshmi për Jezusin, për ta mbjellë dëshminë. Në heshtje, pa shpjegime të tepërta, me gjeste, me gjuhën e gjesteve, apo jo? E unë jam i sigurt se ai, i zoti i bujtinës, është në qiell, sepse kjo farë mbiu e u rrit atje. E dëshmia kalon e përhapet. Vetëm Hyji e ruan, e bën të rritet. E ndërsa i zoti fle, bima hedh shtat.

Martirizimi, mister i fesë. Jo reduksionizmave sociologjike

Papa e paraqiti si shembull, guximin e fesë së vërtetë dhe dëshmimin e  besueshëm të Krishtit të ngjallur, dhënë nga martirizimi i të krishterëve koptë egjiptianë, të therur në bregdetin e Libisë:

“Mua nuk më pëlqen kur flitet për genocid të të krishterëve, për shembull, në Lindjen e Mesme; ky është reduksionizëm! E vërteta është persekutimi, që i çon të krishterët në besnikëri, në mbrojtje të patundshme të fesë së tyre. Të mos e bëjmë reduksionizëm sociologjik këtë, që është mister feje: martirizmin”.

Martirizimi i përditshëm i ndershmërisë, në parajsën e përfitimeve

Por martirizimi i dhunshëm nuk është i vetmi, në përpjekjen për ta dëshmuar Krishtin, vërejti Françesku: nuk duhet harruar edhe martirizimi i heshtur, i përditshëm, martirizimi i ndershmërisë, në një botë, që është bërë “parajsa e përfitimeve, e ryshfeteve”, ose martirizimi i heshtjes, përballë tundimit të përgojimeve:

“Është martirizim i përditshëm, kur ti shkon… Martirizim i ndershmërisë. i durimit… në edukimin e fëmijëve, martirizimi i besnikërisë në dashuri”.

Nëse feja nuk hyn në krizë, të krishterit i mungon diçka

Koherencë e krishterë do të thotë të pranosh se je mëkatar, i shëruar nga Krishti, ose në rrugën e shërimit. Është e kundërta e mburrjes, e besimit se je i përkryer - tha Papa. - Në këtë kuptim Ati i Shenjtë pranoi se në rini e provoi, e vijon ta provojë ende sot, dyshimin dhe çkurajimin e fesë:

“I krishteri, që nuk e ka ndjerë këtë, disa herë, që nuk ka hyrë kurrë në krizë feje, e ka diçka mangut; është i krishterë, që kënaqet me pakëz mendësi bote, e kështu shkon nëpër jetë”.

Më pas Papa preku edhe probleme të tjera të mprehta, si ai i kulturës së zotit para, që e vret njeriun; foli për mikpritjen, të cilën e quajti portë të udhës së krishterë, për martesën, duke theksuar se është më mirë të mos martohesh fare, sesa të mos e njohësh misterin sakramendor të martesës.

Përkëdhelja, gjuhë e shenjtë e bashkëshortëve të krishterë

Papa i këshilloi bashkëshortët të mos e mbyllin ditën të grindur:

“Mos harroni të ledhatoheni: ledhatimi është një nga gjuhët më të shenjta të martesës. Përkëdheljet: të dua shumë, të dashuroj .. ledhatimet: martesat që janë të afta të ledhatohen, të duhen me korp, me gjithçka… besoj se kështu mund të ruhet forca e sakramentit, sepse edhe Zoti e ledhaton me shumë ëmbëlsi nusen e tij, Kishën”.

Në përfundim, Papa iu drejtua veprës, që kryhet në Vilën Nazaret dhe njerëzve të saj, duke përfunduar me fjalët:

“Uroj që kjo vepër të vijojë të jetë vepër dëshmie, shtëpi për të gjithë.   Zoti na çliroftë nga cubat - shtoi - janë shumë, tepër, e na çliroftë edhe nga priftërinjtë që nguten, që nuk kanë kohë të dëgjojnë, as të shikojnë, sepse koha u duhet për punët e veta; e na çliroftë nga doktorët, që duan ta paraqesin fenë e Jezu Krishtit me saktësi matematike e na ndihmoftë të ndalemi e të na mësojë urtinë e Ungjillit: të ndotim duart! Zoti na e dhëntë këtë hir. Amen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.