2016-06-17 09:30:00

Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës. Jezusi, Samaritani i Mirë


Duke ecur përkrah Samaritanit, arritëm tek emisioni i 43-të i rubrikës kushtuar Jubileut të mëshirës, që tashmë ka bërë gjysmën e rrugës. E në këtë cak kujtojmë se që nga epoka e Etërve të Kishës, shëmbëllytyra u lexua duke parë në figurën e Samaritanit, tiparet e vetë Jezusit. Klementi Aleksandrin bën këtë koment: “E kush tjetër pati mëshirë për ne, për ne që, të ngarkuar me plagët - me ankthet tona me pasionet, zilitë, mundimet e gëzimet - qemë lënë në mëshirën e vdekjes, të princit të botës së terrinave? Jezusi është i vetmi, që mund t’i shërojë këto plagë, sepse Ai i zhduk vuajtjet, i shkul me gjithë rrënjë mundimet”.

Disa nga hollësirat e shëmbëlltyrës na nxisin të mendojmë se Jezusi, ndërmjet tjerash, u ndalua të bisedojë edhe me samaritanen (Gjn 4,9). Një mëshirë kaq e thellë, e aftë të shndërrohet në kujdes për të sëmurët, është tipike për Jezusin. Edhe hollësirat e dorës së dytë, si nisja nga bujtina, deri tek rikthimi i Samaritanit, i kanë nxitur komentuesit të mendojnë për periudhën që kalon ndërmjet ngjalljes së Zotit dhe ardhjes së Tij të dytë.

Gjithsesi domethënia e shëmbëlltyrës do të varfërohej, nëse do të shpjegohej duke shikuar vetëm figurën e Jezusit. Ajo që thuhet për Samaritanin, vlen për Jezusin dhe për gjithë bashkësinë e krishterë, ku përkushtimi për të afërmin, shndërrohet në kujdes plot zell për çdo njeri, që shikon vetveten tek tjetri. Shëmbëlltyra shpjegon edhe jetën e përditshme të çdo njeriu dhe e shndërron nga brenda, duke i shpjeguar doktorit të ligjit se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga ajo për të afërmin.

Përsosja e ligjit

Bashkësitë e para të krishtera ecën në gjurmët e Jezusit dhe e jetuan thellësisht shëmbëlltyrën e Samaritanit. Edhe Shën Pali diskuton në dy raste për urdhërimin më të rëndësishëm të Ligjit. Të krishterëve të Galacisë, që janë në rrezik ta përpijnë njëri-tjetrin, u kujton: “I tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër. ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’”(Gal 5,14). Liria e krishterë është absolute, sepse dhanti e vetë Krishtit: “Krishti na çliroi, që të mbeteshim vërtet të lirë” (Gal 5,1). E pikërisht për këtë arsye kjo liri nuk mund të shndërrohet në anarki, por vetëm të mishërohet në shërbim ose në dashuri për të afërmin. E kur, pastaj, u drejtohet të krishterëve të Romës, Pali rikthehet tek Urdhërimi i dashurisë duke theksuar fort se urdhërimet: “Mos e thyej kurorën; Mos vra; mos vidh, mos lakmo, përfshihen në urdhërimin: ‘Duaje të afërmin si vetveten’”. E dashuria nuk i bën keq askujt. Pra, është zbatim i përsosur i ligjit”. Në të dyja rastet, Shën Pali nuk vë theksin tek dashuria për Zotin, por tek ajo për të afërmin. Si është e mundur të flasë kështu?

Përgjigjen na e jep Letra e parë e Shën Gjonit: “Kush nuk e do të afërmin, që e shikon, nuk mund ta dojë Zotin, që nuk e shikon” (4,20). Rreziku kryesor, të cilit i druhen si Pali, ashtu edhe Gjoni, është se në Kishë, në emër të dashurisë së Zotit, mund të bëhen shpërdorime e çrregullime të mëdha e të hapen plagë të thella. Sepse është e lehtë t’ia përshtatësh dashurinë e Zotit, punëve të robit, ndërsa nuk është aspak e lehtë ta duash me gjithë zemër të afërmin, që e ke aty pranë me mish e eshtra. Nuk është, pra, dashuria për Zotin, ajo që lind dashurinë për të afërmin, si pasqyrë e dashurisë për Zotin.

Pa harruar të shtojmë se burimi mbetet gjithnjë i njëjtë: “Dashuria e Zotit për ne”. Ne e duam, sepse Ai na deshi i pari. Sa më shumë ta duash Zotin, aq më shumë do ta duash edhe të afërmin! Është dashuria që Zoti e Jezu Krishti kanë për njerëzit, ajo që i frymëzon “të mos jetojnë më për vetveten, por për Atë, që vdiq e u ngjall për ta” (2 Kor 5,15).

Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë i jep kuptim jetës së njeriut, të cilit i kujton se Krishti vijon të përkulet mbi plagët njerëzore, gjë që e bën të ndërrojë mendësi deri doktorin e ligjit. Nuk është fjala për të zgjedhur ndërmjet dashurisë për Zotin e asaj për të afërmin, por për të pranuar se kush e do vëllain, që e shikon, e do gjithnjë më shumë Zotin, të cilin nuk e shikon, ndërsa - realitet i hidhur i jetës njerëzore - jo rrallë ndodh krejt e kundërta. Po dashuria e Zotit vijon të na nxisë “ta duam të afërmin si vetveten, e Zotin, mbi gjithçka!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.