2016-06-16 14:16:00

Papa, Kishave lindore: shpresë, përtej luftërave e persekutimeve


Sot paradite në Vatikan, Papa Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit e Veprave Ndihmë për Kishat Lindore (Roaco). “Vepra juaj duhet të jetë gjithmonë e udhëhequr nga bindja se nën koren materiale e morale, edhe nën lotët e gjakun e shkaktuar nga lufta, nga dhuna e nga persekutimet, nën këtë shtresë që duket e padepërtueshme, ekziston fytyra e ndritur, si ajo e engjëllit të mozaikut, zbuluar në Kishën e Betlehemit”. Kështu tha mes tjerash Papa në fjalimin, drejtuar Asamblesë së Veprave Ndihmë për Kishat Lindore (Roaco).

“Jam njoftuar – tha Papa Françesku – se pikërisht gjatë restaurimeve në Betlehem, në njërin prej mureve të Bazilikës së Lindjes, doli në dritë engjëlli i shtatë në mozaik që, së bashku me gjashtë engjëjt e tjerë, formon një lloj procesioni drejt vendit që përkujton misterin e lindjes së Fjalës së mëshiruar”.

Mozaiku i veçantë i Lindjes së Mesme mund të pasqyrojë një imazh të qartë e plot dritë,  pasi të jetë liruar nga papastërtia dhe nga shtresat e kores, atëherë shfaqen perspektiva domethënëse, që nxjerrin nga pah dritën nga gjysmëhija, figura të reja nga errësira.

Ky kalim vendimtar – tha Papa Françesku – mund të shihet qartë në profilin e një engjëlli, i cili për shekuj të tërë mbeti i fshehur, por u zbulua në njërin prej mureve – me petkun e vet ngjyrë të bardhë e të kaltër dhe me aureolën e artë – falë veprës së fundit të restaurimit në Bazilikën e Lindjes në Betlehem.

“Ky fakt na bën të mendojmë se edhe fytyra e komuniteteve tona kishtare mund të jetë e mbuluar prej ‘koreve’(papastërtive) që vijnë prej problemeve të ndryshme e prej mëkateve. E megjithatë, vepra juaj duhet të jetë përherë e udhëhequr nga bindja se drita ngadhnjen, e të mos harrojmë se fytyra e Kishës duhet të reflektojë dritën e Krishtit”.

“Të gjithë ju, me projektet e nismat tuaja – tha Papa Bergoglio duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Asamblesë së Takimit të Veprave Ndihmë për Kishat Lindore – bashkëpunoni në këtë ‘restaurim’, që fytyra e Kishës të reflektojë në mënyrë të dukshme dritën e Krishtit, të Fjalës së mishëruar”:

“Ai është paqja jonë e troket në portën e zemrës sonë në Lindje të Mesme, ashtu si në Indi a në Ukrainë, e për këtë vend të fundit kam dashur që lëmosha e caktuar gjatë prillit të kaluar, të shkojë si ndihmë për njërën prej Kishave të Evropës”.

Këtyre ditëve, Asambleja plenare e Roaco-s i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe pranisë së Kishave Siro-Malabareze e Siro-Malankareze në territoret e Indisë, përtej Kerala-s.  Papa uroi që në këtë vend të mund të vijohet sipas udhëzimeve të paraardhësve të tij, “në respektimin e së drejtës së secilës prej Kishave, pa ndarje, duke favorizuar bashkimin në dëshmimin e të vetmit Shpëtimtar Jezu Krisht”:

“Një bashkim i tillë, në çdo pjesë të botës ku katolikët latinë e lindorë jetojnë njëri pranë tjetrit, ka nevojë për pasuritë shpirtërore të Perëndimit e të Lindjes, nga ku mund të ushqehen brezat e rinj të meshtarëve, të rregulltarëve e të rregulltareve dhe të veprimtarëve baritorë, sipas asaj që ka pohuar shën Gjon Pali II: ‘Fjalët e Perëndimit kanë nevojë për fjalët e Lindjes, që Fjala e Zotit të manifestojë përherë e më mirë pasurinë e vet të pamatshme e të pashqyrtueshme”.

Së fundi Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se brenda pak ditësh, nga data 24 deri më 26 qershor, do të shkojë si shtegtar në një tokë lindore, në Armeni, e cila, “e para ndër Kombet, e pranoi Ungjillin e Jezusit”.

Në përfundim, Papa Françesku përshëndeti edhe Rojtarin e ri të Tokës së Shenjtë, atë Françesk Patton, emëruar kohëve të fundit në këtë mision, në vend të atë Pizzaballa-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.