2016-06-16 10:26:00

Edhe Moska për shtyrjen e Koncilit


Rrugëzgjidhja e vetme e mundshme është të vijohet puna përgatitore e Koncilit të Shenjtë e të Madh, që të arrihet në marrëveshjen e të gjitha Kishave ortodokse për zhvillimin e tij në një datë tjetër”: patriarkana e Moskës bashkohet me këtë propozim, formuluar këto ditë nga Kishat e Antiokisë, Gjeorgjisë, Serbisë e Bullgarisë dhe kërkon shtyrjen e Koncilit panortodoks, në program, në ishullin e Kretës, nga 19 deri më 26 qershor.

Vendimi u mor tri ditë më parë, në përfundim të takimit të jashtëzakonshëm të sinodit. Dorëheqja e tri Kishave (ajo e Antiokisë, Gjeorgjisë e Bullgarisë), nga pjesëmarrja në ngjarjen e madhe, kërkesa për shtyrjen nga pala serbe, përgjigjja negative që i dha Patriarkana e Kostandinopojës propozimit të Moskës për të mbledhur një asamble parakonciliare, që të shqyrtojë pikat bazë të mosmarrëveshjeve, e shtynë Kishën ruse të pohojë se “kushti i nevojshëm i mbledhjes së Koncilit Shenjt e të Madh, krijuar nga ekzistenca e një marrëveshjeje ndërmjet primatëve të të gjitha Kishave ortodokse autoqefale, të njohura universalisht, nuk është plotësuar qartë”. Propozimi për ta shtyrë takimin e Kretës iu dërgua menjëherë patrikut ekumenik dhe kryepeshkopit të Kostandinopojës, Bartolomeu, ashtu si dhe të gjithë primatëve të Kishave ortodokse lokale. “Në rast se ky propozim nuk do të pranohet nga patriku Bartolomeu - nënvizohet në një notë të Patriarkanës së Moskës - e koncili do të mblidhet, pavarësisht nga mungesa e mirëkuptimit të disa kishave ortodokse lokale, me keqardhje të thellë delegacioni i Kishës ortodokse ruse nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë”.

“Kisha ortodokse ruse mbetet e lidhur ngushtë me përmasën e saj perandorake e nuk e ndjek misionin universal të ëndërruar nga Bartolomeu. Ky, mendimi i Profesor Andrea Riccardit, i Bashkësisë së Shën Egjidit, që prej vitesh ka marrëdhënie të mira me botën ortodokse. Në një intervistë, dhënë Vatican Insider, komenton vendimin komunikuar mbrëmjen e 13 qershorit nga Sinodi i Shenjtë i Kishës ortodokse ruse, që kërkon shtyrjen e koncilit panortodoks.

Profesor ç’mendoni për këtë vendim të rusëve?

“Në këtë çast, përfaqëson faktikisht dështimin e planit për mbledhjen e një Koncili panortodoks. Është vendim, që shpreh e fotografon copëzimin e ortodoksëve, të ngujuar në kufijtë e tyre kombëtarë. Në kundërshtim me këtë qëndrim, ëndrra e patrikut ekumenik të Kostandinopojës ka qenë gjithnjë ta çojë ortodoksinë nga tradicionalizmi e nga nacionalizmi, në mundësinë për t’i kumtuar e për t’i thënë diçka mbarë botës. Do të mjaftonte që të kremtohej koncili panortodoks, pavarësisht nga arritjet e mundshme, që të ishte shenjë e rëndësishme për gjithë të krishterët e për mbarë botën.

Ç’e bëri të dështojë këtë projekt?

“Personalisht nuk besoj se dështimi është plotësisht vepër e manovrës së rusëve. Besoj më shumë se në fund, Kisha e Moskës nuk u përpoq për suksesin e projektit të koncilit panortodoks. Po e shpjegoj më mirë:  një gjë është të hamendësosh se përçarjet, dyshimet e reja, që i nxitën disa Kisha ortodokse të kërkojnë shtyrjen, u provokuan në një farë mënyre, nga rusët”- e unë nuk e mendoj këtë - e tjetër të konstatosh sesi, përballë vështirësive dhe të metave, Kisha ruse nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar pengesa, por as për t’i zgjidhur. Nuk e besoj të provokimin nga ana e rusëve, sepse po të kishin dashur ta bënin koncilin të dështonte, do ta kishin pasur këtë mundësi që në fazën përgatitore. Sipas mendimit tim, kjo ndodhi edhe për shkak të përçarjeve, që ekzistojnë brenda ortodoksisë ruse”.

Me fjalë të tjera, ju thoni: nuk vepruan për ta bërë të dështojë, por nuk bënë asgjë as për ta mbështetur suksesin?

“Pikërisht, Moska e la në punë të vet përgatitjen e ngjarjes, e kjo tregon se nuk kishte ndonjë interes të madh për koncilin e se nuk e ndjen nevojën për këtë përmasë universale, që ndjek Bartolomeu, pa marrë parasysh ligështinë e Patriarkanës së Kostandinopojës, ligështi që përfaqëson edhe forcën e saj. Bartolomeu dëshiron t’i hapë rrugën ortodoksisë në botë, duke u ballafaquar me problemet e botës e duke i treguar fytyrën e një Kishe të bashkuar. Rusët, ndërkaq, vijojnë t’i sjellin sytë nga kufijtë imperialë, kufijtë e vendit të tyre. Ndërsa Kishat e tjera, të cilat në çastin e fundit deklaruan se nuk do të marrin pjesë, rrezikojnë të bëhen pakica nacionaliste e tradicionaliste në vendet ku ka krizë demografike e ku përparojnë kryesisht grupet e krishtera protestante. Jemi përballë një krize të madhe të ortodoksisë”.

Çfarë mendoni se do të ndodhë tani?

“Duhet pritur, duhen vlerësuar hapat e ardhshme e fjalët që do të thuhen,  duke nisur nga 19 qershori, kur dhjetë kishat, që vijojnë t’i përgjigjen projektit të përbashkët, do të mblidhen në Kretë. Të shumta janë pyetjet. E para, ç’ndikim mund të ushtrojë sot Kisha ortodokse mbi botën moderne? E, a mund të vijojnë të mbijetojnë Kishat ortodokse, me një ngjyrim të fortë  kombëtar, sikur historia të mos ekzistonte?".








All the contents on this site are copyrighted ©.