2016-06-15 16:43:00

Një përgatitje sinodale


Rrallë herë një koncil është përgatitur për një kohë kaq të gjatë e është përqendruar kaq sinodalisht, si koncili i ardhshëm panortodoks. Në dashtë Zoti, do të mblidhet këto ditë, dyzet vjet pas konferencës së parë parakonciliare të vitit 1976 e pesëdhjetë vjet pas konferencës së parë panortodokse të vitit 1961. Rileximi i kësaj historie nuk është i panevojshëm, sepse na krijon mundësinë t’i kuptojmë më mirë sfidat aktuale të koncilit, me synim fuqizimin e unitetit të Kishës ortodokse,  që ka hasur pengesa jo të pakta.

Që në fillim të shekullit të njëzet, patriku i Kostandinopojës, Joakini III, u propozoi primatëve të Kishave ortodokse vendase një këshillim, për të arritur në qëndrime të përbashkëta si për marrëdhëniet me të krishterët e tjerë, ashtu edhe për kalendarin liturgjik. Pas Luftës I Botërore, në vitin 1923, patriku Melezio IV thirri në Kostandinopojë një kongres ndërortodoks, që  propozoi mbledhjen e një koncili në vitin 1925, me rastin e  1600 vjetorit të Koncilit të Nikesë. Në vitin 1930, patriku Focio II thirri mbi Malin Athos një komitet ndërortodoks parapërgatitor, lidhur me një koncil, që parashikohej për vitin 1932, me të njëjtin rend dite: marrëdhëniet ndërortodokse, lidhjet me të krishterët e tjerë dhe reforma e kalendarit. Por edhe kjo përpjekje dështoi: Kisha ruse ishte e paralizuar, e gjithsesi, pas Luftës II Botërore, kjo e fundit e rimori projektin panortodoks dhe, në vitin 1948, organizoi në Moskë një konferencë të gjerë të krerëve dhe të përfaqësuesve të Kishave ortodokse autoqefale.

Në vitet ’50 patriku ekumenik Atenagora hodhi idenë e koncilit dhe propozoi organizimin e një para-sinodi. Për shkak të vështirësive ndërkombëtare, u vu në jetë vetëm më  1961, në konferencën e parë panortodokse të Rodit,  e cila përpiloi një listë ambicioze me njëqind tema për t’u diskutuar. Më 1963 u mbajt konferenca IV në Gjenevë, ku u vendos të themelohej një sekretariat përgatitor i koncilit, për t’u mbajtur në Chambésy, pranë Gjenevës, dhe një komision përgatitor ndërortodoks. Së fundi, më 1976, në Chambésy, u mbajt konferenca e parë panortodokse  parakoncilare. Kjo e rëgjoi rendin e ditës në dhjetë tema, që ruhen deri në ditët tona: 1. Diaspora; 2. Autoqefalia; 3. Autonomia; 4. Diptikët; 5. Kalendari; 6. Martesa; 7. Agjërimi; 8. Marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës së krishterë; 9. Ortodoksia dhe lëvizja ekumenike; 10. Paqja, liria, vëllazërimi dhe dashuria ndërmjet popujve dhe zhdukja e dallimeve racore.

Konferenca vendosi edhe që propozimet e çdo Kishe mbi këto tema, të dërgoheshin pranë sekretariatit përgatitor, i cili, më pas, do të hartonte përmbledhjen e tyre. Përmbledhja do t’u dërgohej sinodeve të të gjitha Kishave lokale, për t’iu nënshtruar, në përfundim, shqyrtimit nga ana e konferencës panortodokse parakonciliare. E kështu, në Chambésy, u mbajtën  konferenca e dytë dhe tretë parakonciliare, të cilat adoptuan tekstet për temat e parashikuara, përveç katër të parave.

Në secilën nga etapat e procesit kërkohej unanimiteti, gjë që shpjegon edhe ngadalësinë, posaçërisht kur lindën tensione ndërmjet Kishave, siç ndodhi pas rënies së regjimeve komuniste.

Kështu, në vitin 1996, për pak kohë u këput lidhja që bashkonte  patriarkanën e Moskës me atë të Kostandinopojës, të cilat mbanin qëndrime të ndryshme lidhur me njohjen e statusit të Kishës së Estonisë. Duhej pritur viti 2009, që të mblidhej konferenca IV parakonciliare, përsëri në Chambésy. Në këtë konferencë u krijuan asambletë peshkopale në dymbëdhjetë zona të botës, hapi i parë, ky, për të kapërcyer shumëllojshmërinë e jurisdiksioneve paralele në diasporë, pak e aspak të përshtatshme për ekleziologjinë ortodokse. Në vitin 2014, sinassi apo takimi i primatëve të Kishave ortodokse, mbledhur në Fanar, mori tre vendime të rëndësishme: 1. Ngritjen e një komisioni ndërortodoks të posaçëm për rishikimin e teksteve të hartuara nga konferencat panortodokse parakonciliare (disa prej të cilave kishin më se 20 vjet që prisnin): 2. Vendosjen e rregullës së unanimitetit për të gjitha vendimet e koncilit; 3. Thirrjen, më 2016, të koncilit, në të cilin çdo Kishë do të dërgonte një delegacion të përbërë nga primati i saj dhe njëzet e katër peshkopë (Kishat, që kanë numër më të vogël peshkopësh, mund t’i delegojnë të gjithë). Në tetor 2015, konferenca e pestë parakonciliare panortodokse, e mbledhur në Chambésy, mundi të miratojë një dokument përgatitor mbi marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës së krishterë dhe mbi agjërimin. Në janar 2016 u mblodh, përsëri në Chambésy, një sinassi e primatëve. Duke mos arritur të sigurohej mirëkuptimi lidhur me çështjen e autoqefalisë dhe të diptikëve, u vendos të shtyheshin këto çështje, ashtu si dhe ajo e kalendarit të përbashkët, për një koncil të mëvonshëm. Nga dhjetë temat e parashikuara më 1976, vetëm shtatë bëjnë pjesë në rendin e ditës së koncilit të ardhshëm. 1. Misioni i Kishës ortodokse në botën bashkëkohore; 2 Diaspora ortodokse; 3. Autonomia dhe mënyra e shpalljes së saj; 4. Sakramenti i martesës dhe ndalimet (tekst i adoptuar pa unanimitet); 5. Rëndësia e agjërimit dhe respektimi i tij sot; 6. Marrëdhëniet e Kishës ortodokse me pjesën tjetër të botës së krishterë (kësaj pike i shtohet edhe dokumenti për lidhjet me lëvizjen ekumenike). Sinassi adoptoi edhe rregulloren e koncilit, që konfirmoi posaçërisht përfaqësinë e një numri të kufizuar të peshkopatit, krijoi një sekretariat panortodoks dhe parashikoi ftesën e vëzhguesve të Kishave, konfesioneve dhe organizatave të tjera të krishtera si dhe të gazetarëve të akredituar, të cilët mund të marrin pjesë në seancat e hapjes e të mbylljes së koncilit. Duke pasur parasysh tensionet ndërkombëtare lidhur me situatën politike në Lindjen e Mesme, sinassi vendosi, në përfundim, ta lëvizë selinë e Koncilit nga Kostandinopoja, në Kretë, territor nën jurisdiksionin e patriarkanës ekumenike. Hapja e koncilit u caktua për datën 19 qershor 2016, pas Liturgjisë Hyjnore të Rrëshajëve, ndërsa mbyllja, për të dielën e mëpasme, 26 qershor.

Gjatësia e këtij procesi, për të cilin u deshën  më se 50 vjet, shpjegohet me kërkesën e unanimitetit në të gjitha fazat përgatitore. E jo vetëm.      Vështirësitë  shpjegojnë edhe sfidat e përbashkëta, që i imponohen kishës autoqefale nga një histori shumë e trazuar. Në fillim të shekullit XX, revolucioni rus dhe shembja e perandorisë otomane e dobësuan shumë patriarkanën e Moskës e edhe atë të Kostandinopojës, në një çast kur  autoqefali të reja, të lidhura me Shtetet-kombe, morën një rol më të rëndësishëm  e, në perëndim, u krijuan diaspora të reja. E këtyre sfidave të brendshme, u shtohen edhe të tjera, këtë herë të jashtme, pas Luftës II Botërore; posaçërisht, ajo e qëndrimit që duhej mbajtur përballë lëvizjes ekumenike dhe  kohëve moderne, sfidë kulturore kjo, që  krijon edhe një mori problemesh të tjera të rendit praktik e kanonik lidhur me kalendarin, disiplinën, agjërimin dhe martesën. Në këto rrethana - siç nënvizoi patriku Bartolomeu - sfida kryesore është të tregohet se Kisha ortodokse është e bashkuar e se është kështu pikërisht përmes kociliaritetit: “Qëllimi kryesor i këtij koncili panortodoks është të mësojë se Kisha ortodokse është një e vetme, shenjte, katolike e apostolike, e bashkuar në sakramente, e posaçërisht, në Eukaristinë hyjnore e në fenë ortodokse, por edhe në konciliaritetin”.

Mund të themi, pa asnjë dyshim, se vetë fakti i përgatitjes  së “Koncilit të Madh e Shenjt”, ishte shumë i dobishëm për Kishën ortodokse. Ndonëse duke mbajtur primatin e Kishës lokale, të ngritur shumë lart në ekleziologjinë ortodokse, ajo është bërë e vetëdijshme për unitetin e saj e, sidomos, për nevojën që ky unitet të bëhet sa më i dukshëm.

Me gjithë këtë përgatitje shekullore, sfidat nuk përfundojnë këtu, ndonëse tashmë në prag të ngjarjes së madhe, sepse pikërisht tani, Kisha ortodokse ruse  po kërkon shtyrjen e Koncilit. Po për këtë do të flasim më tej…








All the contents on this site are copyrighted ©.