2016-06-15 14:21:00

Më 15 qershor kalendari përkujton Shën Gjermanën Kuzin, virgjër


E lindur më 1570 në një fshat pak kilometra larg Tuluzës, në një familje punëtorësh të thjeshtë, Gjermana mbeti tërë jetën bareshë e varfër. Shëndetligë që në lindje, me dorën e djathtë gjysmë të paralizuar, shumë shpejt u sëmurë nga skrofulla, sëmundje që, duke u bërë kronike, i shkaktoi vuajtje gjatë tërë jetës.

Pak kohë pas lindjes, e humbi nënën. Babai u martua sërish e ajo mbeti krejt e izoluar në shtëpinë prindërore. E çuan të kulloste grigjën. Kur u kthye për herë të parë nga kullotat, e gjeti derën e shtëpisë të mbyllur. Që atë natë u detyrua të flinte në stallë, së bashku me bagëtitë. Gjithë këto fatkeqësi i priti me përvujtërinë më të madhe e, në mjerimin e vet, gjente mënyra për t’u shërbente barinjve e bareshave që endeshin tërë ditën nëpër shtigjet e maleve, në kërkim të kullotave, së bashku me të.
Falë atyre pak mësimeve që kishte marrë nga prifti famullitar, në shpirtin e Gjermanës lulëzoi një fe e flaktë dhe një përshpirtëri e jashtëzakonshme për Zotin e Zojën e Bekuar. Shkonte ditë për ditë në Meshë, luste rregullisht Rruzaren shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, lutej përherë e kudo. Prandaj banorët e Pibrakut, qytetit të saj të lindjes, nisën ta thërrisnin “fanatikja” dhe filluan ta tallnin për shkak të fesë së bindur në Jezu Krishtin dhe devocionin që kishte. Një ditë grigja e Gjermanës nuk u pa të dilte nga vathi. As Gjermana nuk u pa në Kishë për Meshë. Kishte fjetur përgjithmonë në Hyjin, duke gjetur paqen e përjetshme, të cilën në këtë tokë nuk e kishte gëzuar kurrë. Ishte data e 15 qershorit të vitit 1601. 
Pas vdekjes, me ndërmjetësimin e saj pranë Hyjit të Gjithëpushtetshëm, ndodhën mrekulli të shumta, që ngjallën nderim e devocion të jashtëzakonshëm ndër besimtarë për bareshën e thjeshtë, e cila i mbylli sytë, e harruar nga të gjithë, por jo nga Zoti, në një stallë bagëtish. Gjermanën nisi ta nderonte gjithë Pibraku e më pas Franca dhe mbarë bota e krishterë.
Simbolike leximet liturgjike në festës së saj, që na kujtojnë se: “Zoti i bekon ata që dhurojnë me gëzim” dhe “ Ati yt që është në qiell, do të shpërblejë një ditë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.