2016-06-14 12:24:00

“Drita” shtëpia botuese e Kishës së Kosovës në Panairin e Librit në Prishtinë


Nga data 7 deri me 12 qershor, u mbajt Panairi 18-të i Librit Prishtina 2016, një ndër ngjarjet më të shënuara kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Në mesin e shumë botuesve shqiptarë, nga vendet e ndryshme, mori pjesë edhe shtëpia botuese e Kishës katolike “Drita”, e cila para publikut u prezantua me rreth 100 tituj, botuar që nga fillimi i saj e deri më sot.

Në kuadër të Panairit u organizua promovimi i dy librave të botuar sivjet nga “Drita”: ribotimi i imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve” I e II, realizuar me rastin e 10 vjetorit të kalimit në amshim të studiuesit Prof. Dr. Engjëll Sedaj, transliterues i tekstit në gjuhën e sotme. E tjetri libër për arbëreshin Josip Rela-n nga prof. Isak Shema “Jeta e krijimtaria letrare”, një ribotim i rishikuar, me rastin 120 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të mirënjohur arbëresh Josip Rela.  Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...

“DRITA” në mesin e 100 botuesve në Panairin e Librit në Prishtinë

Shoqata e Botuesve të Kosovës prej 7 deri me 12 qershor organizoi në Prishtine për të 18 herë Panairin e Librit, “Prishtina 2016”, në të cilin u ekspozuan mbi 1500 tituj të rinj me mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Interesimi ishte shumë i madh dhe sipas organizatorit pati mbi 40 mijë vizitorë, nxënës, studentë, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale Kosovës.

“Kjo ngjarje madhore promovon rritjen e kulturës së leximit e cila është e domosdoshme për ardhmërinë tonë, për një shoqëri moderne për të cilën ne po aspirojmë ta ndërtojmë. Libri mbetët udhërrëfim për të ardhmen tonë, ne po punojmë që vendi ynë të avancohet si një vend me dije më të madhe e kulturë, kështu që leximi i librit duhet të ketë rol fondamental në ndërtimin dhe zhvillimin tonë”, tha në hapje kryeministri kosovar Isa Mustafa.  

Ne kuadër te ketij panairi, ishte prezent edhe Shtëpia Botuese “Drita” e Kishës Katolike të Kosovës.Famullitari i Prishtinës don Fatmir Koliqi më tha se në stendën e tyre kanë ekspozuar mbi 100 tituj librash, përfshirë edhe disa ribotime e botime të reja. “Sivjet e them më plot kënaqësi se e kemi ribotuar edhe njëherë librin “Çeta e Profetëve” të Imzot Pjetër Bogdanit të madh e një tjetër për Josip Relen nga prof. Isak Shema që u promovua dje” tha don Fatmiri i cili përmendi edhe tituj tjerë. 

Me pas ne sallën e improvizuar për promovim librash e aktivitete tjera të panairit, u promovua kryevepra e Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetëve” e ribotuar në 10 vjetorin e kalimit në amshim të prof. Engjell Sedaj,  për te cilin folën dr.don Lush Gjergji dhe prof. Anton Berisha.
Jeta dhe vepra e Imzot Pjetër Bogdanit është pak e njohur ndër Shqiptarë, e edhe më pak e studiuar e hulumtuar në mënyrë shkencore e arkivore, tha fillimisht don Lush Gjergji ne fjalën e tij kushtuar kësaj figure markante të Kishës e kombit, ku e përjetshme kapitale mbetet vepra “ Çeta  e Profetëve”.  Titulli dhe qëllimi i botimit është profetik dhe tejet i qëlluar, qe me dritën e Krishtit dhe kulturën e krishterë të luftohet terri, injoranca, robëria, besëtytnia dhe e keqja. Këtë mision dhe dërgim Imzot Pjetër Bogdani  ia beson së pari Zotit, fesë së krishterë, pastaj librave dhe botimeve të karakterit fetar e kulturor.
“Fati im është fati i Popullit tim!” ishte fjala e tij, identifikim ky madhështor e ungjillor me klerin dhe popullin e krishterë të përndjekur e te rrezikuar në çdo vend, është dëshmi e dashurisë së krishterë për grigjën e besuar, edhe më gjerë, për mbarë Popullin tone veprat dhe fatin e tij tragjik.
Dy  ndër studiuesit më të shquar janë tashmë të ndjerët,  Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjëll Sedaj, që një pjesë të madhe të jetës dhe studimeve ia kanë kushtuar Imzot Pjetër Bogdanit, jetës dhe veprës madhore, e përmes tij periudhës së errët dhe tejet të rrezikshme për popullin tonë, tha mes tjerash don Lushi, duke shtuar se edhe me këtë ribotim po “ngjallet” Imzot Pjetër Bogdani ynë, në mendjet dhe zemrat tona, për të jetuar mbi të gjitha në amshim, pastaj  edhe në Kishën e Popullin tonë.

nga Prishtina Mrika-Rabie Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.