2016-06-14 13:08:00

Papa: lutja për armiqtë, përkryerja e jetës së krishterë


Lutja për ata, që nuk na e duan të mirën, do t’i përmirësojë armiqtë dhe do të na bëjë ne më tepër “bij të Atit Qiellor”. Papa Françesku e përfundoi me këtë reflektim, meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë së cilës komentoi pjesën ungjillore ku Jezusi i nxit dishepujt të priren kah përkryeja e Zotit. Vërtet, Hyji, thuhet në Ungjill, bën të lindë dielli mbi të këqinj e të mirë.

Ligj pa zemër

“Keni dëgjuar se është thënë, por unë po ju them”: ky është refreni i Krishtit, që përsëritet shpesh në Ungjill, që njerëzit ta kuptojnë se Jezusi ka ardhur për t’i bërë të reja të gjitha gjërat. Fjala e Zotit nuk është një listë me detyra e detyrime, por është ftesë për ta dashur Atin Qiellor dhe vëllezërit me gjithë zemër, duke arritur deri në lutjen për armikun. Papa Françesku shpjegoi se kur Jezusi filloi predikimin e tij, interpretimi i Ligjit, në atë kohë, ishte në krizë:

“Ishte shpjegim tepër teorik, sipas rasteve… Mund të themi se Ligjit i mungonte zemra, që është dashuria e Zotit, dhënë për ne. Prandaj, Zoti ynë Jezu Krishti e përsërit atë, që shkruhej në Besëlidhjen e Vjetër: Cili është urdhërimi më i madh? Ta duam Zotin me gjithë zemër, me të gjitha forcat, me gjithë shpirt, ndërsa të afërmin si vetveten. Në shpjegimin e Dijetarëve të Ligjit, kjo nuk ishte aq në qendër. Në qendër ishin rastet: a mund të bëhet kjo? Deri në ç’pikë mund të bëhet? E nëse nuk mund të bëhet?... Ishin rastet tipike të Ligjit. E Jezusi nuk e mohon këtë, por e ngre në kuptimin e vërtetë të Ligjit për ta çuar drejt plotësisë”.

Urdhërimet e Tënzot në dritë të re

Papa Françesku vërejti se Jezusi ofron shumë shembuj për të vënë Urdhërimet e Tënzot nën një dritë të re. “Mos vrit”, pohoi, mund të ketë edhe kuptimin e “mos e fyej vëllain tënd”. E kështu me radhë, deri në pohimin se dashuria është “më bujare se karta e Ligjit”:

“Është punë, që nuk shërben vetëm për plotësimin e Ligjit, por është punë për shërimin e zemrës. Në shpjegimin e Jezusit për Urdhërimet – sidomos në Ungjillin sipas Mateut – kemi rrugën e shërimit: zemra e plagosur nga mëkati i rrjedhshëm – të gjithë ne e kemi zemrën e plagosur nga mëkati, të gjithë – duhet të ecë në këtë rrugë shërimi dhe të shërohet për t’i ngjarë Atit Qiellor, që është i përkryer: ‘Jini të përkryer, siç është i përkryer Ati juaj Qiellor’. Pra, rrugë shërimi për të qenë bij si Ati”.

Ta duash të afërmin, të lutesh për armiqtë

Përkryerja për të cilën flet Jezusi, përmbahet në pjesën e sotme të Ungjillit të Mateut: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë”. Është shkalla e fundit e rrugës, pohoi Ati i Shenjtë, ajo më e vështira. Papa kujtoi se kur ishte fëmijë, nën njërin nga diktatorët e kohës, njerëzit luteshin që Zoti ta çonte shpejt në ferr. Por, përfundoi Françesku, Hyji kërkon diçka tjetër:

 “Zoti na dhashtë hirin, vetëm këtë: të lutemi për armiqtë, të lutemi për ata që s’na e duan të mirën, por na duan të keqen. Të lutemi për ata, që na bëjnë keq, që na persekutojnë. E secili prej nesh ua di emrin e mbiemrin: lutem për këtë, për këtë, për atë e për atë tjetrin… Unë ju siguroj se kjo lutje do të bëjë dy gjëra: do ta bëjë më të mirë armikun, sepse lutja është e fuqishme, ndërsa ne do të na bëjë më tepër bij të Atit Qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.