2016-06-13 13:47:00

SHBA: ngushëllimi i ipeshkvijve për masakrën e Orlandos


“Dhunë e papërshkrueshme”: kështu e quan imzot Joseph Kurtz, kryetar i Konferencës ipeshkvnore amerikane, masakrën e djeshme në Orlando të Floridës. Gjatë një breshërie me armë zjarri, në një diskotekë për homoseksualë mbetën të vrarë 50 vetë, ndërsa 53 të tjerë u plagosën. Atentatori, amerikan me origjinë afgane, u vra nga policia. Tani për tani po ndiqen dy pista për shkakun e ngjarjes: akt urrejtjeje kundër homoseksualëve, ose terrorizëm.

Të mbrohet jeta dhe dinjiteti i çdo njeriu

Ngjarje dramatike që, shkruan imzot Kurtz në një notë, na kujton sa e çmuar është jeta njerëzore. Lutemi për viktimat, për familjet e tyre dhe për të gjithë ata, që u prekën nga një ngjarje kaq e tmerrshme, shton prelati. “Dashuria përdëllyese e Zotit - përfundon - na bën thirrje për solidaritet me vuajtjen dhe për vendosmëri gjithnjë më të madhe në mbrojtjen e jetës e të dinjitetit të çdo njeriu”.

Solidaritet me homoseksualët

Të njëjtën vijë ndjek edhe kryeipeshkvi i Çikagos, imzot Blaise Cupich: “Lutjet tona e zemrat tona janë me viktimat e masakrës së Orlandos, me familjet e tyre, me vëllezërit e motrat tona homoseksuale”, shton prelati. Falënderon, më pas, njerëzit që vrapuan t’i ndihmojnë të plagosurit, duke dhënë prova heroike mëshire e guximi edhe përballë një tmerri e rreziku kaq të madh.

“Jo”  sigurimit me lehtësi të armëve

“E kemi për detyrë t’i përgjigjemi urrejtjes me dashuri - nënvizon imzot Kupich. - Dhunës me paqe. Intolerancës me tolerancë. Së fundi, ipeshkvi i fton gjithë besimtarët e Çikagos ta përsërisin angazhimin për zhdukjen e shkaqeve të kësaj tragjedie, ndërmjet të cilave, lehtësia e sigurimit dhe e përdorimit të armëve vdekjeprurëse. “Nuk mund të rrijmë duarkryq, pa bërë asgjë”, përfundon imzot Cupich.








All the contents on this site are copyrighted ©.