2016-06-13 14:46:00

Papa personelit të Pam: jeni në themel të luftës kundër urisë


Punë shpesh e padukshme, por që i krijon shumëkujt, posaçërisht fëmijëve, kushtet për të mos vdekur nga uria. Me këto fjalë e falënderoi Papa personelin e Programit Ushqimor Botëror, në një bisedë të lirë, jashtë tekstit zyrtar. Papa vuri, më pas, theksin mbi guximin që e ka dalluar gjithnjë punën e veprimtarëve të Pam.

Ju falënderoj për punën tuaj “të fshehur”, punë e padukshme, por falë së cilës bëhet e mundur që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Papa Françesku e nisi kështu fjalimin drejtuar personelit të Pam. Fjalimin e mbajti në italisht, ndërsa e dorëzoi atë, që ishte shkruar në spanjisht.

Falënderoj ata që, në Pam, punojnë pa u dukur, por me guxim

Françesku u ndalua posaçërisht tek angazhimi i veprimtarëve të organizmit  të Kombeve të Bashkuara në luftën kundër urisë. Ju - u tha - jeni themelet:

“Shumë përpjekje, shumë gjëra mund të bëhen, e edhe bëhen në botë, në luftën kundër urisë, e i bëjnë shumë njerëz guximtarë. Prej këndej,  faleminderit për ndihmën tuaj të padukshme. Emrat tuaj duken vetëm në listën e personelit, e, në fund të muajit, në atë të pagës, por përjashta askush nuk e di si ju quajnë. Por emrat tuaj e bëjnë të mundur këtë punë të madhe, këtë luftë të madhe kundër urisë”.

Ju falënderoj për punën tuaj - ripohoi Papa - që u jep të hanë shumë fëmijëve. E në vijim nënvizoi guximin e njerëzve, që punojnë për Pam:

Të mos harrohet kurrë, kush ra në shërbim të luftës kundër urisë

Ju, vijoi, jeni këmbët e duart, të cilat mbështesin guximin e gjithë atyre, që shkojnë përpara. Më pas kujtoi emrat e veprimtarëve të Pam, rënë gjatë shërbimit, duke i quajtur dëshmitarë të luftës kundër urisë:

“Kurrë, kurrë të mos harrohen emrat e atyre, që shkruhen aty, në hyrje. Ata mundën ta bëjnë atë që bënë, sepse ishin të guximshëm, sepse kishin besim në punën e tyre, por edhe pse mbështeteshin nga kjo punë. Faleminderit e ju kërkoj të luteni për mua, që edhe unë të mund të bëj diçka kundër urisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.