2016-06-12 16:26:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: të zhduken shkaqet e punës së të miturve, skllavëri moderne


Papa i kujtoi edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pjesëmarrësit në Jubileun e të sëmurëve dhe njerëzve të gjymtyar. Kujtoi, gjithashtu, viktimat e shfrytëzimit të punës së të miturve, njerëzit që jetojnë në skutat e qytetit të Romës si dhe të sëmurët nga gërbula. Më pas falënderoi Zotin për të Lumët e rinj të Kishës.

T’i zhdukim shkaqet e skllavërive moderne

Afërsi e përzemërsi ndaj të fundëmve. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku nënvizoi edhe një herë përparësitë e botës aktuale. Posaçërisht, në Ditën sotme botërore kundër punës së të miturve:

“Ta përsërisim të gjithë së bashku përpjekjen për t’i zhdukur shkaqet e kësaj skllavërie moderne, që i lë miliona fëmijë pa asnjë të drejtë themelore dhe i detyron të jetojnë në kushte rreziqesh të rënda. Sot në botë ka shumë fëmijë skllevër”.

Mendimi për të sëmurët, të gjymtuarit, të mënjanuarit dhe angazhimi kundër gërbulës

Papa foli përsëri për Jubileun e të sëmurëve dhe njerëzve me gjymtime, duke i falënderuar pjesëmarrësit për praninë në kremtimin e sotëm, edhe pse të pashëndet a të paaftë për të përballuar emocione e lodhje të kësaj natyre. U shprehu mirënjohjen edhe mjekëve e punonjësve të shëndetësisë që, në “Pikat e shëndetit”, vendosur pranë Bazilikave Papnore, u treguan të gatshëm për t’u bërë vizita specialistike qindra njerëzve, që jetojnë në skajet e skutat e Romës, ku pak mund të flitet për kujdes shëndetësor. I nxiti, pastaj, të gjithë, për angazhim të frytshëm në luftën kundër gërbulës, duke përshëndetur e duke falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit në takimin ndërkombëtar të kohëve të fundit, kushtuar të prekurve  nga sëmundja e Hansen.

Gëzim për të Lumturit e rinj, pranë më të ligshtëve

Françesku foli edhe për dy të Lumturit e rinj të Kishës. Priftin Giacomo Abbondo, i cili jetoi në shtatëqinden, lumnuar dje në Vercelli, Papa e kujtoi si njeri të dashuruar me Zotin, prift të ditur, meshtar gjithnjë të gatshëm për t’i ndihmuar besimtarët e famullisë, që i qe besuar. Bashkohemi – shtoi Ati i Shenjtë - me  gëzimin dhe falënderimin që i larton sot Zotit gjithë dioqeza.

Më pas, mendimi i Françeskut shkoi në katedralen e Monrealit, në Sicili, ku sot lumnohej motra Carolina Santocanale, themeluese e Motrave kapuçine të Zojës së Papërlyer të Lurdës, që u bë “e varfër, ndërmjet të varfërve”, duke hequr dorë nga rehatitë e jetës në mjediset e pasura, aristokratike, ku kishte lindur e ku mund ta kalonte gjithë jetën:

“Nga Krishti, posaçërisht nga Eukaristia, thithi forcë për amësinë e saj shpirtërore e për dashurinë ndaj më të varfërve e më të ligshtëve”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.