2016-06-12 09:30:00

Jubileu i të sëmurëve dhe i të gjymtuarve, me Papën në Vatikan


Përfundoi sot, Jubileu i të sëmurëve dhe i të gjymtuarve, pas tri ditë veprimtarish të larmishme në Romë e Vatikan. Sot, Papa Françesku kremtoi Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e një deti pjesëmarrësish. Për herë të parë në këtë shesh, leximi i Ungjillit u dramatizua nga një grup njerëzish me të meta mendore, në mënyrë që Fjala e Zotit të ishte e kuptueshme edhe për shtegtarët me këto probleme. Gjithashtu, mesha u transmetua drejtpërdrejt në të gjithë botën, e shoqëruar me gjuhën e shenjave për ata, që nuk dëgjojnë. Ndër ministrantë, edhe disa të rinj daun dhe disa me të meta mendore. Ndihmoi meshë një diakon shurdh, ndërsa leximet u shqiptuan nga persona me invaliditete të ndryshme, përkthyer në gjuhën ndërkombëtare të shenjave.

Invalidët, protagonistë në meshë

Ishte ekspozuar ikona e Zojës “Salus infirmorum”, e cila ruhet në kishën e shën Marisë Magdalenë në Campo Marzio. Është fjala për një fugure të viteve ‘500, dhuruar më 1619 nga një fisnike romake, pasi Zoja i dëgjoi lutjet për shërimin e saj. Edhe koha para fillimit të meshës ishte e veçantë. Të pranishmit dëgjuan disa dëshmi, ndër të cilat atë të Enrico Petrillo-s, të shoqit të italianes Chiara Corbella, që vdiq në moshën 28 vjeçare për një tumor gjatë shtatzanisë, si edhe dëshminë e Maria Grazia Fiore-s, me dy fëmijë invalidë. Në mikrofonin tonë, kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella:

“Janë shumë çaste të ndryshme, por që tregojnë, para së gjithash, kujdesin e thellë e të madh për këtë botë të invaliditetit, e cila, duhet të them se shpesh, edhe në kremtimet tona, nuk trajtohet me gjithë kujdesin që meriton. Por, meqë kjo ishte ditë jubilare kushtuar atyre, pa dyshim që e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek këta persona”.

Deri tani, mëse 9 milion shtegtarë për Jubileun e Mëshirës

Mesha e sotme u kremtua 6 muaj pas fillimit të Jubileut të Mëshirës, nënvizon imzot Fisichella, i cili paraqet statistikat e deritanishme:

 “Me statistikat e fundit, numri i shtegtarëve, që kanë ardhur në Romë për ngjarje të ndryshme jubilare, së bashku me vizitën në katër bazilika, përveç asaj në shenjtëroren e Zojës së Dashurisë Hyjnore, arrin në 9.100.935. Numër i rëndësishëm për gjashtë muajt e parë të Jubileut. Më 8 qershor u mbushën saktësisht gjashtë muaj nga hapja e Portës Shenjte”.

Tri ditët e Jubileut të të sëmurëve dhe invalidëve

Jubileu i të sëmurëve dhe i invalidëve filloi të premten me shtegtimin e kalimin e Portës Shenjte. Në kishën e Shën Marisë në Vallicella, një redemptorist shurdh dhe i verbër, i mirënjohuri atë Ciryl Axerold, mbajti një katekizëm, që u përkthye në gjuhën e shenjave. Dje, katekizmi në gjuhë të ndryshme, mbi temën “Mëshira, burim gëzimi”. Pasdite, festa “Përtej kufizimeve” me të sëmurët e invalidët në kopshtet e Kështjellës së Shën Engjëllit në Romë. Dhanë shfaqje këngëtarë e balerinë profesionistë, që pavarësisht se me ndonjë të metë fizike, kanë arritur suksese të mëdha në skenën e artit. Të pranishëm edhe kore, ku përfshihen të rinjtë me të meta mendore. Gjithnjë në kopshtet e Kështjellës, u ngritën shtatë stenda, ku realitete të ndryshme, nga Unitalsi tek Bashkësia e Shën Egjidit, paraqitën përvojën e tyre.

“Pikat e shëndetit”, ku të pastrehët bënë vizita falas

Vëmendje të veçantë meriton nisma e Fondacionit Med Tag. Që të premten, pranë katër Bazilikave të mëdha papnore të Romës, u ngritën të ashtuquajturat “Pika të Shëndetit”, të cilat shërbyen falas: që nga vaksinimet kundër polmonitit e deri tek pap testi. Rreth 350 vullnetarë ndihmuan mëse 700 të pastrehë. E imzot Fisichella sqaroi se në nëntor, pikërisht 6 mijë të pastrehëve do t’u kushtohet një ditë jubilare në nivelin evropian.








All the contents on this site are copyrighted ©.