2016-06-11 08:30:00

Jubileu i invalidëve: Krishti është porta e të sëmurëve


Dita jubilare e të sëmurëve dhe e të gjymtuarve, që kremtohet këto tre dite në Rome e në Vatikan, na sjell ndërmend kuptimin dhe domethënien, që i jep kësaj ngjarjeje Papa Françesku. Jezusi, shkruan Papa në “Misericordiae Vultus” (8), para njerëzve që e ndiqnin, duke parë se ishin lodhur e rraskapitur, ndjeu dhembshuri të madhe për ta. Në sajë të kesaj dashurie shëroi të sëmurët, që i paraqiteshin. Ajo, që e nxiste Jezusin, nuk ishte tjetër, veçse mëshira.

Invaliditeti dhe sëmundja janë pjesë e misterit të njeriut. Sigurisht, është e drejtë të luftojmë kundër sëmundjes, sepse shëndeti është dhuratë e Zotit. Por është e rëndësishme edhe të dimë ta interpretojmë planin e Hyjit, kur vuajtja na troket në derë. Krishti është Porta për të sëmurët.

E në këtë ditë, nuk mund të mos kujtojmë edhe Nënë Terezën, e cila do të shpallet shenjte pikërisht më 4 shtator, me rastin e Jubileut të veprimtarëve e të vullnetarëve të mëshirës. Ai Jubile i veçantë do ta ketë për pajtore rregulltaren shqiptare të dashurisë e të bamirësisë, që e shkriu jetën në shërbim të më të varfërve ndër të varfër e nuk iu dridh dora, kur iu desh të ndërrojë e të pastrojë plagë, të cilat të tjerët nuk kishin guximin as t’i shihnin me sy.








All the contents on this site are copyrighted ©.