2016-06-10 10:30:00

Urime për Ramazan në mesazhin e disa prelatëve katolikë: kohë paqeje ndërmjet feve


Rast i volitshëm për nxitjen e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet feve, sidomos në ato rajone, ku janë më të qarta vështirësitë për një bashkëjetesë paqësore ndërmjet popullsive me fe të ndryshme. Ky është urimi kryesor në mesazhin e disa prelatëve katolikë, dërguar besimtarëve myslimanë me rastin e fillimit të Ramazanit, muajit të shenjtë kushtuar agjërimit dhe lutjes, që do të përfundojë ndërmjet datave 5 e 7 korrik, sipas vendeve.

Në Irak, Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, Louis Raphaël I Sako, në mesazhin e tij u shpreh solidaritetin dhe urimet “vëllezërve e motrave myslimane”, në këtë periudhë “agjërimi, lutjeje, pendese e ndryshimi të mendësisë”. Në letrën e tij për myslimanët, Sako uron që kjo kohë të jetë rast për të zbatuar në praktikë ndjenjat fisnike të dhembshurisë e të dashurisë. Në ditë vërtet të vështira për vendin, me mijëra të vdekur e të plagosur, me miliona të shpërngulur, Patriarku kaldeas nxit për një Ramazan të jashtëzakonshëm, që të ndihmojë largimin nga ideologjia ekstremiste dhe sektare, të krijojë kulturën e pajtimit, të nxisë vlerat e tolerancës, të afërsisë e të miqësisë, duke favorizuar kështu, bashkëjetesën paqësore, dialogun dhe respektin e ndërsjelltë. Duke kërkuar çlirimin e shpejtë të krejt territorit kombëtar nga prania e terroristëve të Shtetit Islamik (Isis), imzot Sako siguron lutjet e të krishterëve për gjithë muajin e Ramazanit.

Të njëjtat urime për paqe e të mira u shprehën edhe nga Patriarkati i Jeruzalemit të Latinëve, që, në mesazhin e tij, i referohet gjendjes në Siri, Irak, Egjipt, Jordani dhe në Tokën Shenjte. “Në Lindjen e Mesme të përshkuar nga dhuna – lexohet në letër – i përgjërohemi Zotit t’i ndihmojë njerëzit ta respektojnë njëri-tjetrin, të luten e të japin prova të guximshme që urrejtja dhe padrejtësia të mos bëhen ligj në rajonin tonë, djep i qytetërimit”. Ftesa për bashkëpunim vjen edhe nga Gjermania, ku kardinali-kryeipeshkëv i Munihut dhe i Fraisingut, Reinhard Marx, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, siguron se Kisha Katolike hedh poshtë pa asnjë mëdyshje, nismat që synojnë kufizimin e lirisë fetare të myslimanëve në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.