2016-06-10 16:59:00

Shenjtorët e Javës 12 – 19 qershor


E diel më 12 qershor, Kisha katolike kremton të Dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik ‘C’. Gjithnjë më 12 qershor kalendari përkujton edhe shën Onofrin. Liturgji e kësaj së diele na kujton se Jezu Krishti është fytyra e mëshirshme e Hyjit Atë që mishërohet. Falja, që Jezusi ia ofron gruas mëkatare, është një vepër mëshire bujare, falas, që një krijesë nuk mund ta meritojë, mirëpo gjithmonë mund ta kërkojë. Falja e fituar nga Zoti na bënë të jetojmë si vëllezër.

Të hënën më 13 qershor, kalednari kishtar përkujton shëna Ndoun e Padovës. Kështu më 13 qershor, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, e në trevat shqiptare: në Laç të Sebastes, në Gjakovë, Tuz, Gusi, Binçë, Gllogjan dhe Braticë, do të nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.

Të martën më 14 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Elizeun profet dhe Shën Leduinën.  Liturgjia e ditës nga Ungjilli i Markut, na paraqet shëmbëlltyrën e farës dhe atë të kokrrës së senapit, për të na bërë të kuptojmë zhvillimin e papritur të Mbretërisë së Hyjit, të cilën Jezusi e predikon mes shumë vështirësish, pengesash e refuzimesh.

Të mërkurën  më 15 qershor, kalendari përkujton shën Viton martir, shën Bernardin nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermanën Kuzin, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të enjten më 16 qershor, kalendari përkujton shën Kuirikun e shën Gjulietën, martirë. Liturgjia na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të premten më 17 qershor, kalendari përkujton shenjtorët Biaxho dhe Diogjeni, të dy martirë. Liturgjia e ditës na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.

Të shtunën më 18 qershor, kalendari përkujton Shën Markun e Marçelianin, martirë romakë, dhe Shën Marinën. Liturgjia e ditës na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të dielën e ardhshme më 19 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 12-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 19 qershor kalendari i Kishës përkujton shën Romualdin, abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazin e Protazin, martirë milanezë. Në liturgjinë e ditës, psalmi na kujton se Qielli shpall drejtësinë e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.