2016-06-10 08:30:00

Papa krijon një komitet shpërndarës të fondeve për Ukrainën


Selia e Shenjtë formoi një komitet, që do të garantojë shpërndarjen e drejtë të fondeve të mbledhura për Ukrainën në Evropë, më 24 prillin e kaluar. Papa Françesku dëshiron që shuma e madhe të shkojë me të vërtetë “në të mirë të popullsisë, viktimë e luftës, pa dallim feje, besimi apo përkatësie etnike”.

Kujtojmë se pas ngjarjeve tragjike, që përfshinë Ukrainën Lindore në konfliktin me Rusinë, Ati i Shenjtë pati promovuar nismën humanitare “Papa për Ukrainën”, duke caktuar 24 prillin si datë për të kontribuar në krijimin e një fondi për popullsitë vendase, si për banorët e pjesës lindore, ashtu edhe për ata, që u larguan refugjatë në anë të tjera të Ukrainës.

Komiteti teknik, krijuar pikërisht në Ukrainë, përbëhet nga një kryetar dhe katër anëtarë. Kryetari i tij është ipeshkvi ndihmës i Kharkiv-Zaporizhia, imzot Jan Sobilo, polak, i cili duhet të emërojë tre nga anëtarët. I katërti do të caktohet nga Caritas Internationalis dhe nga Këshilli Papnor “Cor Unum”, të cilët do të merren vesh për një emër të përbashkët. Mandati i Komitetit, siç shpjegohet në letrën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, do të jetë njëvjeçar, por nëse është e nevojshme, mund të rinovohet. Selia do të jetë kuria e dioqezës së Kharkiv-Zaporizhias, ndërsa veprimtarët e tij do të jenë vullnetarë.

Në letër përcaktohet edhe se propozimet për projektet e mundshme duhet të vijnë nga asambletë ndërfetare ose ekumenike të zonave, ose nga ipeshkvijtë, edhe nga ata jo katolikë, aty ku nuk ekzistojnë asamble, por do të shqyrtohen edhe plane, ardhur nga organizata të tjera. Vetë kardinali Parolin do të shkojnë në Ukrainë nga 15 deri më 20 qershor. Shuma e saktë e fondit nuk dihet, pasi akoma vijon të grumbullohet, por flitet për miliona euro.








All the contents on this site are copyrighted ©.