2016-06-10 15:15:00

Koncili i Kishës ortodokse: i përgjithshëm, por jo ekumenik


Nga 19 deri më 26 qershor do të mblidhet Koncili i Shenjtë e i Madh i Kishës ortodokse, i quajtur edhe Koncili panortodoks. Do të hapet zyrtarisht me një bashkëkremtim panortodoks të liturgjisë eukaristike, në katedralen e Shën Minas, në Heraklion, ditën e Festës së Rrëshajëve, që do të kremtohet më 19 qershor, sipas kalendarit ortodoks. I parashikuar prej një shekulli, i përgatitur prej më se pesëdhjetë vjetësh, është ngjarje historike jo vetëm për Kishën ortodokse, por edhe për mbarë botën e krishterë.

Natyrisht, duhet të ndalohemi së pari tek titulli i kësaj asambleje. Kisha ortodokse e quajti këtë ngjarje të madhe, në gjuhë të ndryshme, koncil e jo sinod. Edhe pse termat koncil e sinod janë sinonime, në ortodoksi fjala sinod përdoret kryesisht për këshillin peshkopal të përhershëm, Sinodin e Shenjtë, ndërsa termi “koncil”, lidhet kryesisht me asamblenë e të gjithë peshkopëve, në nivel si rajonal, ashtu edhe universal. Në këtë rast bëhet fjalë pikërisht për tipin e dytë të asamblesë, duke pasur parasysh rëndësinë saj, sepse do të jetë një mbledhje e përgjithshme e Kishës ortodokse, në tërësi. Do të ketë një rregullore të veçantë: vendimet nuk do varen nga vota e secilit peshkop, por nga miratimi i Kishave të përfaqësuara.

Gjithsesi Kisha ortodokse pati kujdes ta quajë këtë Koncil, Shenjt e të Madh, por jo ekumenik. Kjo zgjedhje, me sa duket, u bë për disa arsye. Në radhë të parë, për ortodoksinë, karakteri ekumenik i një Koncili nuk varet  nga përputhja me kriteret kanonike, lidhur me mbledhjen ose me përbërjen, por me  marrjen pjesë të mbarë Kishës: prej këndej  vetëm pasi të jetë kryer, koncili mund të njihet si ekumenik. Veç kësaj, koncili i ardhshëm, në kundërshtim me ato të mijëvjeçarit të parë, nuk do të merret me çështje dogmatike. Në fund, e sidomos, sipas ortodoksisë, skizma e vitit 1054 ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostantinopojës është pengesë në rrugën e mbajtjes së një koncili vërtet ekumenik, sepse mungon Kisha e perëndimit. Pikërisht për këtë, Kisha ortodokse e ka qortuar Kishën katolike, sepse i ka quajtur ekumenike koncilet e saj të përgjithshme të mijëvjeçarit të dytë. Në këtë kuptim, titulli  i Koncilit të Shenjtë e të Madh është ekumenik, pikërisht sepse Kisha e Lindjes  nuk deshi t’ia jipte këtë titull, për shkak të mungesës së Kishës së perëndimit.

Po ndalemi pak edhe mbi elementin e tretë: “Koncili i Kishës ortodokse”, jo “i Kishave ortodokse”. Ekzistojnë aktualisht katërmbëdhjetë Kisha ortodokse të traditës bizantine, që dallohen nga të tjerat për faktin se i pranojnë shtatë koncilet ekumenike të mijëvjeçarit të parë (si Kisha katolike, por në kundërshtim me Kishat, që njihen me emrin “ortodokse lindore” të traditës sirake, kopte e armene, të cilat pranojnë vetëm tre koncile ekumenike e prandaj thirren “prekalçedoneze”). Këto Kisha ortodokse quhen “autoqefale”, sepse secilës i prin primati i vet, me titullin e patriarkut, të metropolitit ose të kryepeshkopit. Quhen edhe “lokale” apo vendase, sepse e kanë jurisdiksionin në një territor të caktuar. Këto Kisha zënë edhe vend të caktuar në rendin (táxis) e Kishave, fiksuar në diptikët (lutje për Kishën në liturgjinë eukaristike).

Ndonëse autoqefale, këto Kisha ortodokse janë në bashkim të plotë përsa u përket sakramenteve, besojnë në të njëjtën fe, zbatojnë të njëjtat urdhërime e rregulla kanonike themelore, formojnë një Kishë të vetme ortodokse. Koncili i ardhshëm panortodoks do të ketë si objektiv pikërisht të manifestojë unitetin e këtyre kishave, në konciliaritetin e tyre. Që nga ndarja me Romën, Patriarkana e Kostandinopojës zë vendin e parë, si primos inter pares (e parë ndërmjet të barabartëve), në rendin e kësaj Kishe, gjë që i jep një farë epërsie në nismat, që kanë të bëjnë me tërësinë e Kishave motra, posaçërisht përsa i përket thirrjes dhe drejtimit të Koncileve.

Duhet, në përfundim, të themi edhe ndonjë fjalë mbi termin “panortodoks”, që përdoret edhe për të shënuar koncilin, i cili e rimerr këtë epitet, që përdoret për të cilësuar konferencat e fillimit të viteve ’60. Termi kujton mundësinë për t’i kuptuar më mirë veçoritë dhe karakterin historik të ngjarjes së madhe të ardhshme. Në fakt, në kundërshtim me sa thuhet, në mijëvjeçarin e dytë Kishat ortodokse mbajtën shumë koncile ndërortodokse, për të përballuar problemet, që kërkonin përgjigje të përbashkët. Mund të kujtojmë posaçërisht koncilet e shekullit XVI mbi mësimin e Gregorit Palamas, Koncilin e Iashit, në vitin 1642, që miratoi besojmën e fesë të metropolitit Pjetri Mogila, ose, më afër në kohë, Koncilin e Kostandinopojës, në vitin 1872 (edhe ky i quajtur Shenjt e i Madh), që dënoi etnofiletizmin. Por këto koncile nuk kanë të bëjnë me tërësinë e Kishave ortodokse: ishin, natyrisht, ndërortodokse, por jo panortodokse. Koncili i Shenjtë i madh i ardhshëm, në dashtë Zoti, do ta rikrijojë tërësinë e Kishave të bashkuara ortodokse.

Uniteti ortodoks u intereson shumë katolikëve, sepse vështirësitë në marrëdhëniet ndërmjet Kishave ortodokse, përbëjnë një pengesë serioze për dialogun teologjik e edhe për dëshminë e përbashkët të katolikëve e të ortodoksëve në botë. Patriku ekumenik Bartolomeu, në enciklikën e tij të 20 marsit, lidhur me thirrjen e Koncilit, pohon në mënyrë shumë shprehëse: “Kohët janë kritike e bashkimi i Kishave duhet të jetë shembull uniteti për njerëzimin e copëzuar nga përçarjet dhe konfliktet”.

Nuk na mbetet tjetër, veçse të urojmë që ky koncil panortodoks të jetë vërtet “i Shenjtë e i Madh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.