2016-06-08 15:47:00

Veprimi katolik: me Papën një minut lutjeje për paqen


Nga ishujt Tonga, në Betlehem, nga Bujumbura në Romë: ftesa ishte për t’u ndaluar një minut e për t’u lutur për paqen. Promovues të edicionit të dytë të kësaj nisme, ishin Forumi Ndërkombëtar i Veprimit Katolik, Veprimi Katolik Italian, Veprimi Katolik Argjentinas dhe Komisioni Kombëtar Drejtësi e Paqe i Konferencës ipeshkvnore argjentinase, në përvjetorin e dytë të takimit, në Vatikan, të Papës Françesku, Shimon Perez e Abu Mazen. Mënyrë, kjo, për të kujtuar se secili nga ne mund të jetë mjet paqeje, shpjegon Tereza Borrelli, drejtuese e Veprimit Katolik të të rinjve, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Sivjet, në mënyrë të veçantë, deshëm që ky minut për paqen, të na ndihmojë të lutemi sidomos për viktimat e konflikteve. Vendimi për t’i kushtuar një minut të kohës sonë lutjes konkrete për paqen, tregon se Veprimi Katolik ka qenë dhe është gjithnjë plot vëmendje ndaj çastit historik, që po jetojmë. Sivjet, ky “minut për paqen”, pati në qendër të vëmendjes kujtimin e viktimave të konflikteve. Mendimi shkoi posaçërisht tek refugjatët e tek  ata, që kërkojnë strehim, ata, që arrijnë e trokasin në portat e vendeve tona e tek ata, që vdesin duke kapëcyer detin.

Pyetje: - Sot iu drejtua të gjithëve ftesa për t’u ndaluar, kudo që janë, për ta lënë një çast çdo gjë, që bëjnë e për t’u lutur një minut, sipas traditës së vet fetare. Gjest i thjeshtë, për një ndjet kaq të vështirë….

Përgjigje: - Natyrisht, gjest tejet i thjeshtë. T’i kushtosh një minut të kohës sonë lutjes për paqen, është propozim i thjeshtë, por e dimë edhe se sa thellësisht mund të jetohet në mbarë botën një minut i tillë. E kjo, sepse ne besojnë që forca e lutjes, me synim për të kërkuar dhuratën e paqes  - dhuratë e Shpirtit Shenjt, mund të jetë shumë domethënëse, edhe në thjeshtësinë e shkurtësinë e saj, duke nënvizuar sa rëndësi ka të ndalemi një çast e të kujtojmë viktimat e konfliktit. Përfitojmë nga kujtimi i këtij përvjetori të dytë, për të vijuar të lutemi pa pushuar për paqen, njëherësh me besimtarë të feve të ndryshme, që sot u bashkuan me ne në mbarë botën.

Pyetje: - Thirrja jehoi në mbarë botën, nga Argjentina, në Lindjen e Mesme; nga Afrika, sepse merrte pjesë edhe Bujumbura, kryeqytet i Burundit, deri në Romë, ku  ky takim kaq prekës u ndje fort në Sheshin e Shën Pjetrit, zhytur në heshtje të thellë e në meditim. Meditim, që i sillej rrotull botës, me problemet e saj, me luftërat e saj, por edhe me shpresat e saj për paqen, burim i realizimit të të gjitha ëndrrave…

Përgjigje: - Po, takimi ishte sot, në Romë, në audiencën e përgjithshme  të së mërkurës, në Sheshin e Shën Pjetrit, me një grup të rinjsh, që simbolikisht i përfaqësuan të gjithë organizatorët. Pastaj, veç audiencës së përgjithshme, ishte edhe një çast tjetër lutjeje, në orën 13.00, në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, kryesuar nga imzot Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri e edhe koordinator i Jubileut të Mëshirës. Në këtë vit të veçantë të Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, zgjodhëm Romën për ta jetuar këtë çast së bashku, në një Kishë që është vend simbolik për të ripohuar angazhimin tonë në favor të paqes, angazhim që Veprimi Katolik dhe organizma të tjera promovuese, provojnë ta jetojnë sidomos edhe në jetën e tyre të përditshme.   








All the contents on this site are copyrighted ©.