2016-06-08 14:14:00

Papa kërkon një tryezë pune për zbatimin e procesit të reformës martesore


Papa i shkruan Konferencës ipeshkvnore Italiane (KEI), duke i kërkuar organizimin e një tryeze pune, që të përcaktojë çështjet kryesore shpjeguese e zbatuese lidhur me reformën martesore, paraprirë nga Motu Proprio Mitis Iudex Dominus Iesus. Këtë kërkon Françesku, përmes një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Nunzio Galantino.

Gjithçka nisi nga maji i kaluar, kur Papa Françesku dhe ipeshkvijtë italianë qenë mbledhur në sallën e Sinodit, për hapjen e Asamblesë së 69-të të përgjithshme. Ky - shkruan Papa - ishte një çast i frytshëm bashkimi shpirtëror e dialogu vëllazëror, brenda të cilit rëndësi të dorës së parë mori aspekti i reformës së procesit martesor, paraprirë nga Motu Proprio  Mitis Iudex Dominus Iesus.

Ipeshkvijtë - shkruan Françesku - janë në dijeni të rrugëve të ndryshme,  përshkuar deri këtu e edhe realizuar, si përmes strukturave të reja gjyqësore dioqezane e ndërdioqezane, ashtu edhe, atje ku kjo nuk u bë e mundur ose bindëse, përmes struktuarve ekzistuese. Prej këndej - vijon Papa - ipeshkvijtë italianë i njohën nga afër orientimet, që kanë të bëjnë me regjimin administrativ, organizativ edhe ekonomik të gjykatave kishtare lidhur me lëndën  e sakramentit të martesës.

Në këtë perspektivë, që dëshiroj ta inkurajoj - pohon Françesku - më duket e nevojshme një tryezë pune, koordinuar nga sekretari i përgjithshëm i Kii-së, për përcaktimin e çështjeve kryesore shpjeguese e zbatuese, me interes të përbashkët.

Letra përfundon me shprehjen paraprake të mirënjohjes së Papës, prefektit  të Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike, dekanit të Gjykatës së Rota Romana dhe Presidentit të Këshillit për Tekstet Ligjore, për kontributin që do t’i japin, me frymë vëllazërore e kompetencë, Sekretarisë së Përgjithshme të Kii-së, në mënyrë që ajo, duke vlerësuar mbështetjen e tyre, në format që do t’i shikojë si më të frytshme, të mund ta zhvillojë sa më mirë shërbimin e  saj të koordinimit – shton Papa - me besim të plotë edhe në kujdesin tim atëror”.








All the contents on this site are copyrighted ©.