2016-06-08 13:35:00

Papa: dasma e Kanës, më shumë se mrekulli, është Besëlidhje dashurie


Mrekullia e Dasmës së Kanës. Kjo “shenjë” e parë e mëshirës, e dashurisë së Atit, ishte në qendër të katekizmit të sotëm të Papës, mbajtur në audiencën e përgjithshme. Më se 20 mijë  vetëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku u pohoi se, përtej rrëfimit të një mrekullie, në këtë dasmë fjalët e shprehjet zbulojnë misterin e plotë të Krishtit, lidhjen e Tij të dashurisë me Kishën e me dishepujt, familja e Tij, si dhe misionin besuar të krishterëve: ta dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit.

Pasi thelloi shëmbëlltyrat e Mëshirës, Papa nisi të flasë edhe për mrekullitë, për shenjat; e Kana - vërejti - është një lloj “porte”, diçka më tepër sesa rrëfimi i një mrekullie, gjë që e shikojmë që nga hyrja, me përshkrimin e Jezusit, pjesëmarrës në dasëm së bashku me dishepujt, me familjen e tij.

Në Kanë lidhet një Besë e Re dashurie

 Duke nisur shërbimin publik - shpjegoi Françesku - Jezusi shfaqet si dhëndër i popullit të Zotit dhe e dëfton thellësinë e marrëdhënieve, që e lidhin me Të: një besë e re dashurie:

“Ç’gjë është në themel të fesë sonë? Një akt mëshire, me të cilin Jezusi na lidhi pas vetes. E jeta e krishterë është përgjigjja që i jepet kësaj dashurie, është si historia e dy të dashuruarve. Zoti e njeriu takohen, kërkohen, gjinden, kremtojnë e dashurohen: ashtu si i dashuri me të dashurën në Këngën e Këngëve”.

Gjithçka tjetër vjen si pasojë e kësaj lidhjeje, vijoi Françesku. Duke nisur nga Kisha, familja e Jezusit, mbi të cilën ndikohet gjithë kjo dashuri, që duhet ruajtur e duhet dhuruar. E pastaj, ku lidhet një besë dashurie, nuk mund të mungojë as gëzimi, ashtu si në një dasmë nuk mund të mungojë vera. E, duke prekur këtë argumet, Papa iu drejtuar lirisht besimtarëve, duke u folur jashtë teksti e duke iu drejtuar posaçërisht një grupi bashkëshortësh, ardhur në këtë takim me Papën, për të kremtuar 50-vjetorin e martesës së tyre, përvjetor, të cilin Françesku e quajti “verë e mirë”  e  dëshmi e bukur për bashkëshortët e rinj:

“Uji është i nevojshëm për të jetuar, por vera shpreh begatinë  e  gostisë dhe gëzimin e festës. Është  gosti dasme, në të cilën mungon vera; dhëndër e nuse turpërohen, me të drejtë. Përfytyrojeni ju vetë si do të ndjeheshi në një gosti, që përfundon duke pirë çaj: do të ishte vërtet turp. Vera është  domosdoshme për një festë”.

Prej këndej, uji i shndërruar në verë është Ligji i Moisiut, që Jezusi e shndërron në një gjest, i cili flet vetë: në Ungjillin e gëzimit.

Trashëgimi i të krishterëve: ta dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit

Trashëgimi, që Jezusi na e la ne të gjithëve, ruhet me kujdes - shpjegoi akoma Papa Françesku - dhe e gjen shprehjen e vet në fjalët e fundit, që Maria ua drejton shërbëtorëve të Dasmës së Kanës: "çdo gjë që t’ju thotë, bëjeni!”. Është misioni i Kishës, të cilin Maria vijon ta përsërisë edhe sot - nënvizoi Papa - duke shtuar, jashtë teksti:

“T’i shërbesh Zotit do të thotë ta dëgjosh e ta vësh në jetë Fjalën e Tij. Është këshilla e thjeshtë, por themelore, e Nënës së Jezusit, program i jetës së krishterë. Për secilin nga ne, të pish nga shtamba, do të thotë t’i besosh Fjalës së Zotit, për ta provuar, pastaj, frytin e saj në jetë. Atëherë së bashku me kryetarin e gostisë, që shijoi ujin e bërë verë, edhe ne mund të brohorasim: ‘Ti e paske ruajtur verën e mirë për në fund’. Po, Zoti vijon ta ruajë verën e mirë për shëlbimin tonë, ashtu siç vijon të gurrojë nga kraharori i  shporuar i Tij” (v10).

Në Kanë lind feja e Kishës

Në përfundim, në rrëfimin ungjillor të Kanës, vjen gati-gati një vendim: “Qe fillimi i shenjave të kryera nga Jezusi; ai e shfaqi lavdinë e tij e dishepujt besuan në Të”. Ja pra, kështu përmbushet sekreti i Kanës - përfundoi Papa - fillesë e shenjave, që do të bënte Jezusi, i cili në këtë dasmë i lidh pas vetes dishepujt e i bën familjen e Tij. Prej këndej mund të themi se Dasma e Kanës është  shumë më tepër se rrëfimi i një mrekullie - nënvizoi edhe një herë Papa:

“Si në një peshtaf, Jezusi e ruan sekretin e Vetjes së Tij dhe qëllimin e ardhjes së Tij; Dhëndri i shumëpritur jep shenjën e fillimit të dasmës, që do të përfundojë me Misterin e Pashkëve. Në këtë dasmë, Jezusi i lidh pas vetes dishepujt e Tij me një Besëlidhje të re e përfundimtare. Në Kanë, dishepujt e Jezusit bëhen familja e Tij e pikërisht në Kanë, lind feja e Kishës. Në këtë dasmë, ku jemi të ftuar të gjithë, vera e re nuk do të mungojë kurrë!”.

Ndërmjet shumë përshndetjeve, Papa iu drejtua posaçërisht Veprimit Katolik Italian, që sot propozoi përvojën e lutjes, titulluar “Një minut për paqen”, me kulm, kremtimin eukaristik në Bazilikën e Shpirtit Shenjt në Sassia, në Rome, afër Vatikanit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.