2016-06-07 12:51:00

Papa: bateria e të krishterit për të bërë dritë është lutja


Bateria e të krishterit për të bërë dritë është lutja. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio u kërkoi të krishterëve të mos kthehen në kripë pa shije dhe t’i largohen tundimit të “përshpirtërisë së pasqyrës”, siç e quajti ai impenjimin e disave për t’u dukur e për të nxjerrë në dritë vetveten, pa ua çuar dritën e fesë të tjerëve.

Bateria e të krishterit për të bërë dritë është lutja

Drita dhe kripa. Jezusi, nënvizoi Papa, duke komentuar Ungjillin e ditës, flet gjithnjë me fjalë të thjeshta, me krahasime, që të gjithë ta kuptojnë mesazhin e Tij. Vetë Jezusi u thotë të krishterëve se duhet të jenë kripa e tokës e drita e botës. Por të dyja këto elemente, theksoi Ati i Shenjtë, nuk janë për vetveten: “Drita shërben për të ndriçuar tjetrin; kripa për t’i dhënë shije, ose për ta ruajtur diçka”. Por ç’duhet të bëjë i krishteri që drita e kripa të mos mungojnë e të mos mbarojë vaji për të ndezur llambën?

“Cila është bateria e të krishterit për të bërë dritë? Thjesht, lutja. Ti mund të bësh shumë gjëra, shumë vepra, edhe vepra mëshire, ti mund të bësh gjëra të mëdha për Kishën – një universitet katolik, një kolegj, një spital… - e madje, do të të ngrenë një monument si bamirës i Kishës, por nëse nuk lutesh, gjithçka do të jetë pak e errët, në hije. Sa vepra errësohen, sepse mungon drita, mungon lutja. Ajo që e mban, ajo që i jep jetë dritës së krishterë, ajo që shndrit, është lutja”.

I krishteri i jep shije me Ungjill jetës së të tjerëve

Por nevojitet lutja e vërtetë, këshilloi Papa, “lutja e adhurimit për Atin Qiellor, làvdi për Trininë Shenjte, lutja e falenderimit, edhe lutja me të cilën i kërkojmë gjëra Zotit, por duhet të vijë nga zemra”. Ajo është vaji, ajo është bateria, që i jep jetë dritës. Edhe kripa, shtoi Ati i Shenjtë, nuk i jep shije vetvetes:

         “Kripa bëhet e tillë kur jepet. E ky është qëndrim tjetër i krishterë: ta japë vetveten, t’i japë shije jetës së të tjerëve, t’u japë shije gjërave me mesazhin e Ungjillit. Të dhurohet e jo ta ruajë vetveten. Kripa nuk është për të krishterin, është për ta dhënë. I krishteri e ka për ta dhuruar, është kripë për t’u dhuruar, por jo për vetveten. Të dyja – e çuditshme kjo – kripa e drita janë për të tjerët, jo për vetveten. Drita nuk shndrit vetveten; kripa nuk i jep shije vetvetes”.

Kujdes nga tundimi i “përshpirtërisë së pasqyrës”

Natyrisht, vijoi Papa, ndokush mund të pyesë për sa kohë do të kemi akoma kripë e dritë, nëse ua japim vazhdimisht të tjerëve. Aty, theksoi Françesku, duket forca e Zotit, sepse i krishteri është kripë e dritë, dhuruar nga Zoti përmes Pagëzimit. E sa më shumë e dhuron vetveten, aq më fort Hyji bën që kripa e drita të mos mbarojnë kurrë. Kështu ndodh me vejushën e Sareptës - citoi Ati i Shenjtë Leximin e parë të sotëm - e cila i beson Elisë profet dhe mielli e vaji nuk i mbarojnë kurrë. Që këndej, këshilla e Papës për çdo të krishterë:

“Shndrit me dritën tënde, por mbrohu nga tundimi për të shndritur vetveten. Kjo është diçka e keqe, është – si ta quajmë – përshpirtëri e pasqyrës: ndriçoj vetveten. Mbrohu nga tundimi për t’u kujdesur veç për vete. Të jesh dritë për të ndriçuar, të jesh kripë për të dhënë shije e për të ruajtur”.

Vetëm kështu, përfundoi Papa, njerëzit do t’i shohin veprat e mira të të krishterëve e do t’i thurin lavde Atit Qiellor, pra, do të kthehen tek Ai, që e dhuron kripën e dritën. Zoti na ndihmoftë, u lut Françesku, të jemi ky lloj dëshmitari.








All the contents on this site are copyrighted ©.