2016-06-07 11:51:00

Kardinali Parolin: bashkimi i njerëzve ndihmon ekumenizmin


“Efikasiteti i ekumenizmit nuk lidhet me ndjetet tona të mira, por me aftësinë për të qenë të bashkuar me Jezusin: sa më shumë do të qëndrojmë me Të, aq më i madh do të jetë bashkimi ndërmjet nesh”. Kështu tha dje Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në meshën e kremtuar në kishën romake të Jezusit, si falenderim drejtuar Zotit për shenjtërimin e themelueses së Urdhërit të të Shenjtnueshmit Shëlbues të Shën Brigjidës, Maria Elisabetta Hesselblad, kanonizuar të dielën nga Papa Françesku. Prelati kërkoi edhe një lutje për “vëllezërit e krishterë akoma të ndarë e për bashkësitë katolike skandinave”, por sidomos “për udhëtimin e Papës Françesku në Lund të Suedisë, më 31 tetor, për të marrë pjesë në ceremoninë e përbashkët të Kishës Katolike me Federatën luterane botërore, në përkujtim të 500-vjetorit të Reformës”.

Lindur pikërisht në Suedi, në një familje luterane, Maria Elisabetta Hesselblad, nënvizoi kardinali Parolin, u kthye “në fenë katolike, pas një rruge të vështirë, në bazën e së cilës dallohet lutja”. Pa të, nuk ka ekumenizëm e vërtet, motër Hesselblad ishte e bindur se “për ta ndihmuar botën të zbulojë thirrjen e saj të zanafillës brenda planit hyjnor të shëlbimit, është i nevojshëm bashkimi i plotë, së pari në zemra e, pastaj, ai i dukshëm, i dishepujve të Krishtit”.

 “Me kalimin e viteve – shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – nënë Hesselblad mësoi se për të arritur bashkimin, përveç lutjes, nevojitej edhe flijimi”. E kështu, përqafoi kryqin: “kryqin e braktisjes, të moskuptimit, të vuajtjeve të brendshme, të vështirësive të mëdha për të çuar përpara veprën e saj, urdhërin e të Shenjtnueshmit Shëlbues të Shën Brigjidës”.

E shtylla mbi të cilën shenjtja e re ringriti urdhërin e Shën Brigjidës e mbështeti krejt impenjimin e saj ekumenik, është ajo e dashurisë dhe e bamirësisë. Kardinali Parolin nënvizoi se Maria Elisabetta Hesselblad e konsideronte të pamundur arritjen e bashkimit të plotë të të krishterëve pa dashuri. Ajo kërkonte që besimtarët të ktheheshin në kishën e të krishterëve të parë, ku të gjithë ishin një zemër e një shpirt i vetëm. Këtë dashuri që e kërkonte tek të tjerët, e dëshmoi ajo vetë gjatë Luftës II Botërore, duke fshehur hebrenjtë në kuvendin e murgeshave në sheshin Farnese në Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.