2016-06-07 16:28:00

Ekspertë në Romë për sëmundjen e Hansenit: 200 mijë lebrozë në vit


U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, kuvendi ndërkombëtar “Për  kurimin e gjithanshëm të njerëzve të sëmurë nga lebra, me respekt për dinjitetin e tyre”. Kuvendi organizohet nga Këshilli Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë e në të do të paraqiten tre projekte për mjekimin dhe rehabilitimin e të sëmurëve në vendet e varfëra. Simpoziumi do të mbahet më 9 e 10 qershor në Institutin Augustinianum të Romës, në përgatitje të Jubileut për të sëmurët dhe të gjymtuarit, që Papa Françesku do të kremtojë të dielën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit.

Sëmundja e Hansenit, siç quhet në gjuhën shkencore ajo e lebrës apo e gërbulës, do të mbledhë 230 ekspertë nga 45 vende të botës, që do të përpiqen të gjejnë përgjigje për tri sfida: zvogëlimi i numrit të të sëmurëve, ndihma për të sëmurët dhe familjet e tyre, integrimi i të sëmurëve në shoqëri. Megjithëse mund të mjekohet me një shpenzim minimal, gërbula prek çdo vit 200 mijë njerëz, sidomos në zonat më të varfëra të botës, me në krye disa zona në Brazil dhe Indi, ku shpesh nuk gjenden ilaçe e struktura. Fatkeqësisht, sëmundja lë pas shenja, që e kompromentojnë jetën e të sëmurit, edhe kur ai është shëruar plotësisht, siç theksoi, në konferencën për shtyp, sekretari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Jean-Marie Mupendawatu:

“Fatkeqësisht, edhe sot, kush është shëruar, por është shenjuar fizikisht nga sëmundja, mënjanohet, i mohohet puna, jeta shoqërore e, në rastin e më të rinjve, edhe shkolla apo çdo lloj forme tjetër formimi”.

Pikërisht për ta ndryshuar këtë mendësi, gjatë simpoziumit do të flasin 20 ish-të sëmurë hansenianë. Ata do të tregojnë si e kanë përjetuar përjashtimin nga shoqëria e nganjëherë edhe nga familja. Të dëgjojmë nënsekretarin e Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, atë Augusto Chendi:

“Paragjykimet për integrimin e atyre që shërohen, janë shumë të mëdha. Në të vërtetë, dëmtimi i nervave, pa terapi rehabilituese, vazhdon të shkaktojë gjymtime e deformime edhe pas shërimit”.

  Yohei Sasakawa dëshmoi për impenjimin 40-vjeçar të Fondacionit Nippon, kryesuar prej tij. Në vitet ’90, ky Fondacion ka përhapur falas në botë terapinë për shërimin e gërbulës, duke kontribuar në mjekimin e 7 milion të sëmurëve. Objektivi është zvogëlimi i këtij numri me një të tretën. E vazhdueshme në këtë fushë, edhe veprimtaria e Fondacionit Raul Follerau, i cili do të paraqesë në kuvend një projekt për diagnostikimin e hershëm të lebrës në një zonë të Malit.

  Konkret, edhe Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës, që do të promovojë një projekt në Kamboxhia. Këndvështrimi do të jetë i gjithanshëm, pra jo vetëm mjekësor, por edhe shoqëroro-ekonomik. I rëndësishëm, kontributi i Kishës Katolike. Sëmundja e Hansenit dhe mëshira do të jenë në qendër të ndërhyrjes së prefektit të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Displinën e Sakramenteve, kardinalit Robert Sarah. Parashikohet edhe një çast dialogu ndërfetar me hebraizmin, islamizmin, hinduizmin dhe budizmin.








All the contents on this site are copyrighted ©.