2016-06-06 15:55:00

Papa: mbledhja e 15-të e K9 kardinajve për reformën e Kuries Romake


Papa Françesku, merr pjesë në sesionin e ri, të 15-të, të Këshillit të 9 kardinajve, që e ndihmojnë në projektin e reformës së Kuries Romake dhe në qeverisjen e Kishës Universale. Punimet që filluan të hënën do të vazhdojnë deri të mërkurën.

Pikërisht të shtunën e kaluar, Ati Shenjtë Bergoglio ka miratuar statutet e dikasterit të ri të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen e Jetën, në të cilin do të përfshihen, nga 1 shtatori i ardhshëm, Këshillat Papnor aktual për Laikët e për Familjen.

Gjithnjë të shtunën e kaluar, Papa shpalli edhe një Motu Proprio “Si nënë e dhembshur” që përcakton modalitetet - e shpejta e të prera – përmes të cilave do të shkarkohen ipeshkvijtë, që nuk i kanë marrë në shqyrtim denoncimet mbi abuzimet që bëjnë priftërinjtë pedofilë.

Të dyja vendimet janë fryt pikërisht i punimeve të grupit të Këshillit të 9 kardinajve. Në kuadrin e reformës së Kuries Romake, tani pritet themelimi edhe i një dikasteri të ri që do të përfshijë Këshillat Papnor për Drejtësi e Paqe, Cor unum, për Emigrantet dhe baritorinë e shëndetit.

Takimet e mëparshme të Papës me Këshillin e 9 kardinajve janë mbajtur nga 1 deri më 3 tetor e nga 3 deri më 5 dhjetor të vitit 2013, nga 17 deri më 19 shkurt, nga 27 deri më 30 prill, nga 1 deri më 4 korrik, nga 15 deri më 17 shtator e nga 1 deri më 11 dhjetor të vitit 2014. Nga 9 deri më 11 shkurt, nga 13 deri më 15 mars, nga 8 deri më 10 qershor, nga 14 deri më 16 shtator e nga 10 deri më 12 dhjetor të vitit 2015; nga 8 deri më 9 shkurt e nga 11 deri më 13 prillin e këtij viti.








All the contents on this site are copyrighted ©.