2016-06-06 14:44:00

Papa: Lumturitë, udhërrëfyese të jetës së krishterë


T’i ndjekësh e t’i jetosh Lumturitë ungjillore që, si “udhërrëfyese”, u tregojnë të krishterëve udhën e drejtë të jetës. Është ftesa e Françeskut drejtuar besimtarëve në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa i ftoi edhe të ruhen e të mos rrëshqasin në tri këmbët e shkallës së “kundërligjit” të krishterë: idhujtarisë së pasurisë, mburrjes dhe egoizmit.

Për të mos humbur gjatë rrugës së fesë, të krishterët kanë një udhërrëfyes, që u tregon drejtimin: Lumturitë ungjillore. Të mos e përfillësh drejtimin, që të propozojnë, do të thotë të rrëshqasësh gjatë tri këmbëve të shkallës:  idhujve të egoizmit, të parave, të mburrjes, të zemrës së ngopur me gjithçka, që qesh nga kënaqësitë e veta e shpërfill fatet e tjetrit.

Udhërrëfyese  të jetës së  krishterë

Papa nxori një sërë reflektimesh nga  faqja e Ungjillit sipas Mateut, që na e përshkruan Jezusin duke mësuar turmat përmes Predikimit të famshëm në mal. U mësonte, pohoi Françesku, ligjin e  ri, që nuk e shlyen të vjetrin, por e çon në përmbushjen e tij të plotë:

“Ky është ligji i ri, ai që ne e quajmë ‘Lumturitë’. Është ligji i ri i Zotit për ne. E lumturitë janë udhërrëfyese, tregojnë drejtimin, udhën e jetës së krishterë. Pikërisht duke ecur sipas udhëzimeve të këtij udhërrëfyesi, mund të  përparojmë në jetën tonë të krishterë”.

Tri shkallët e dënimit

Françesku e vijoi homelinë duke e plotësuar, në se mund të shprehemi kështu, tekstin e Mateut, me vërejtjet që shton Luka Ungjilltar në fund të të njëjtit rrëfim të Lumturive, domethënë - siç e quan - me listën e katër “mjeranëve”: mjerë  të pasurit, të ngopurit, zgërdhisit, ata, për të cilët  të gjithë flasin mirë. Papa kujtoi se e ka thënë shumë herë që pasuritë janë të mira, ndërsa çka bën keq, është kapja pas tyre, lidhja e ngushtë, adhurimi i parasë, që bëhet, kështu, idhujtari. E më pas, komentoi:

“Ky është kundërligj, është udhërrëfyes i gabuar. Kurioze kjo: këto janë tri këmbët e shkallës, që çojnë në humbje, në rrënim, ndërsa Lumturitë janë këmbë shkalle, që të çojë përpara në jetë. E këto tri këmbë shkalle, që çojnë në humbje, janë kapja fort pas pasurive, aq sa të mos kem më nevojë për asgjë. Është mburrja, dëshira që të gjithë të flasin vetëm mirë për mua… Të mendojmë për shëmbëlltyrën e farizeut e të tagrambledhësit: ‘Të falënderoj, që nuk jam si ky…’. ‘Të falënderoj, o Zot, që jam katolik i mirë, jo si fqinji, si fqinja…’. ‘ E kjo ndodh ditë për ditë… Vjen, pastaj, e dyta këmbë shkalle, mburrja; e pastaj, edhe e treta, dëshira për t’u ngopur me gjithçka, përtalljet, që e mbyllin zemrën.

Çelësi? Butësia

Ndërmjet të gjitha Lumturive, Françesku përzgjodhi njërën që, pohoi ‘nuk po them se është çelësi i të gjithave, por të bën të mendosh shumë thellë: “Lum ata, që janë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën”. Butësia:

“Po, Jezusi thotë për vete: ‘Mësoni nga unë, që jam zemërbutë, që jam i përvujtë’. Butësia është një tipar, që na afron shumë tek Jezusi. Ndërsa sjellja e kundërt shkakton gjithnjë armiqësi, luftëra… shumë e shumë gjëra të shëmtuara, që ndodhin pas. Por butësia, zemërbutësia nuk është marrëzi, është tjetër gjë. Është thellësi në kuptimin e madhështisë së Zotit, e adhurimit të Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.