2016-06-06 14:06:00

Papa Françesku: pa liri nga pushteti, gjykatësit korruptohen


Javës së kaluar, Papa Françesku foli në takimin e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore mbi “Trafikun e njerëzve dhe kriminalitetin e organizuar”. Ati i Shenjtë nënvizoi se “Magjistratët duhet të jenë të lirë nga presionet, ka krime që, siç thoshte Benedikti XVI, janë kundër njerëzimit e si të tilla duhen konsideruar nga krerët politikë, shoqërorë e fetarë”. Papa theksoi të drejtën e Kishës për t’u marrë me politikë: “Kisha – tha ai – duhet të përzihet në politikë, sepse ajo është një nga format më të larta të dashurisë e të bamirësisë”.

Në përfundim të takimit, juristët, nga të gjitha anët e botës, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, me të cilën përcaktuan së paku 10 objektiva kundër trafikut të njerëzve. U kujtohet kombeve detyra e tyre morale për t’i njohur e për t’i zhdukur fytyrat e shumta të skllavërisë moderne, sidomos të asaj kundër fëmijëve, duke filluar nga rekrutimi dhe përdorimi i fëmijëve ushtarë. Gjithashtu, dokumenti vë në dukje se nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të rriten fondet e destinuara për luftën kundër trafikantëve të njerëzve, por edhe për mbrojtjen e përkrahjen e viktimave e sidomos, të dëshmitarëve. Kërkohet që trafiku i organeve të njihet si krim e të dënohet si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar; që dënimi i klientëve të prostitucionit të bëhet pjesë e normave penale kundër skllavërisë e kundër trafikut të njerëzve; që viktimat e skllavërisë dhe të trafikut të mos konsiderohen emigrantë të paligjshëm, duke mos lejuar riatdhesimin e tyre, pasi kështu do të hynin sërish në rrjetin e trafikantëve.

Dokumenti i bën jehonë fjalës së Papës, sidomos shembujve pozitivë, që përmendi, si lufta kundër mafies në Itali, shpronësimi i mafiozëve dhe dhënia e pronave të tyre shoqatave si “Libera”, që i përdorin për të mirën e shoqërisë, por edhe fakti që shumë prej burgjeve drejtohen nga gra, gjë që u lejon atyre të përdorin instiktin amnor për të realizuar projekte e për t’i rehabilituar të burgosurit. Edhe Ati i Shenjtë bëri reflektime, që ngjanin si një program i vërtetë për Kishën, por edhe për politikën.

“Duke ndjekur Krishtin – theksoi Françesku – Kisha është e thirrur të impenjohet. Dëgjohet refreni sipas të cilit Kisha nuk duhet të përzihet me politikë”, por Kisha duhet të përzihet me ‘politikën e lartë’, siç thoshte Papa Pali VI, për të cilin, politika ishte një nga format më të larta të dashurisë e të bamirësisë. Por juristi, gjykatësi, duhet të jetë i lirë nga pushteti politik, nënvizoi Papa. “Të ndjekësh thirrjen personale – tha Françesku në Takimin e Vatikanit me gjykatësit nga e gjithë bota – do të thotë ta ndjesh e ta shpallësh veten të lirë: të lirë nga presionet e qeverive, të lirë nga institucionet private, të lirë nga ‘strukturat e mëkatit’, të lirë nga kriminaliteti i organizuar. Unë e di – siguroi Bergoglio – se ju u nënshtroheni presioneve, kërcënimeve dhe e di se të jesh gjykatës sot, të jesh prokuror, do të thotë ta rrezikosh jetën!”. Ati i Shenjtë e njohu publikisht guximin e atyre, që arrijnë ta ruajnë lirinë e profesionit. “Pa këtë liri – përfundoi – pushteti gjyqësor i një kombi korrputohet e bën të lindë korrupsioni”.








All the contents on this site are copyrighted ©.