2016-06-06 17:05:00

Kard. Xhivish: Papa Françesku në tokën e Wojtilës për DBR-në e mëshirës


Dy muaj na ndajnë nga DBR-ja e Krakovit, në të cilën do të marrë pjesë edhe Papa Françesku. Është toka e shën Gjon Palit II, i cili i pati themeluar këto Ditë kushtuar rinisë. Folëm me sekretarin e veçantë të Karol Vojtilës, kardinalin Stanislao Xhivish, aktualisht, kryeipeshkëv i Krakovit. Prelati e nis reflektimin e tij, duke u ndalur tek figura e shenjtit polak Stanislao i Jezus Marisë, kanonizuar dje nga Papa Françesku:

Shenjtit të ri Stanislao iu desh të priste shumë shekuj për t’u bërë shenjt! Por është interesante si kujtohet, po ashtu edhe mesazhi që na ka lënë përmes Kongregatës, që ka themeluar, atë të etërve marianë. Njeri i lutjes, njeri i pendesës. E tani kthehet ky shenjt me këtë mesazh të veçantë për t’u lutur për shpirtrat e Purgatorit! Është harruar ky zakon…Ai është kujdesur shumë për lutjen për të vdekurit e këtu shprehej mëshira e tij.

Të shtunën u takuat me Papën Françesku, ndërsa ai përgatitet të shkojë më parë në Armeni e pastaj në Poloni. Si e presin Atin e Shenjtë për Ditën Botërore të Rinisë?

Pata gëzimin dhe dhuratën të pritesha nga Ati i Shenjtë. Desha t’i përsëris edhe një herë ftesën për Krakovi, në Poloni, e edhe t’i jap lajmet e fundit për zhvillimet e përgatitjeve. I thashë se kemi entuziazëm të madh e kjo, jo vetëm në Poloni – gjë që kuptohet – por në të gjithë botën: ka grupe që vijnë nga 194 vende; e edhe shumë ipeshkvij, janë 930! Sigurisht, dëshirojnë të vijnë në Krakov për të takuar Atin e Shenjtë, por mendoj se duan të vijnë këtu pikërisht në këtë Vit të Mëshirës, sepse Krakovi është kryeqyteti i Mëshirës Hyjnore. Aty, Jezu Krishti ka dhënë mesazhe për gjithë botën: ia ka dhënë Motër Faustinës, por ç’mund të bënte ajo e vetme? E atëherë erdhi edhe një apostull tjetër, Gjon Pali II, që e çoi këtë mesazh, këtë zjarrin e përkushtimit për Mëshirën Hyjnore në të gjithë botën; e tani, edhe Ati i Shenjtë Françesku, me të njëjtën temë, atë të mëshirës. Mendoj se të rinjtë do ta marrin këtë mesazh dhe do ta çojnë pastaj në të gjithë botën e ky do të jetë fryti i kësaj dite, mesazhi i mëshirës. Motër Faustina thotë: “Nëse doni paqen, duhet t’i drejtoheni Mëshirës Hyjnore”.

Gjon Pali II është shenjti i të rinjve, ideatori, themeluesi i Ditës Botërore kushtuar atyre. Edhe Papa Françesku duhet shumë nga të rinjtë. Këto dy figura të jashtëzakonshme do të jenë së bashku në këtë Ditë Botërore të Rinisë…

Sigurisht, shihet vazhdimësia: Gjon Pali II filloi, pastaj, e ndoqi Benedikti XVI e tani, Papa Françesku. Gjon Pali II e pa se të rinjtë e kërkojnë, e pyesin: u duhet dhënë përgjigje, duhen udhëhequr. Të rinjtë kanë nevojë për një bari të mirë, për barinj të mirë. E këtu, pikërisht kjo realizohet.

Gjon Pali II do të jetë i pranishëm në këtë Ditë Botërore nga qielli, në një mënyrë krejtësisht të re…

Shumë njerëz i luten Zotit përmes Gjon Palit II e shohim kaq shumë hire e, edhe mrekulli. Kur ndokush i kërkonte të lutej, nuk e harronte kurrë! Shpesh thoshte: “Shkruajeni lutjen e vendoseni në kapelë”, sepse nganjëherë thuhet ‘do të lutem’ e pastaj harrojmë… Ai, kurrë! Kurrë! Mendoj se edhe tani, nëse ndokush i kërkon diçka Zotit përmes tij, Gjon Pali II është gati e besnik.

Krakovi, dioqeza, besimtarët e të gjithë të rinjtë po përgatiten për këtë ngjarje, apo jo?

Sigurisht! Në Poloni ka interes të madh. Por unë shoh se ka edhe në të gjithë botën. Për shembull, parashikohen shumë e shumë italianë. E pastaj francezët, “u zgjuan” nga gjumi më në fund; por edhe gjermanët. Përgatitja është në fazën e fundit. E vetmja gjë: duhet të lutemi që koha të jetë e mirë!








All the contents on this site are copyrighted ©.